|
|
|
|
|
Ditën e shtunë, dt. 5 dhjetor 2009, me rastin e 15 vjetorit të krijimit të Përkujdesjes Ditore (kopshtit) “Frymë Dashurie” në qytetin tonë të Durrësit, organizuam një aktivitet me tematikë.
“15 vjet … Me Dashuri dhe Mirësi rrisim filizat e së ardhmes”
Në këtë ceremoni të rëndësishme dhe emocionuese për kopshtin tonë na nderuan me praninë e tyre: i dërguari i Kryepiskopit Anastas, Arkimandrit Kozma Sovjani, Drejtoresha e Zyrës së Përkujdesjeve Ditore znj. Nafsika Melo, priftërinjtë e kishës sonë, edukatore, prindër, dhe shumë të ftuar.
Aktiviteti u shoqërua me një koncert të madh festiv, në të cilin fëmijët recituan, kënduan, interpretuan dhe kërcyen, por më e veçanta e këtij spektakli ishin të ftuarit që dikur kanë qenë filizat e para të kopshtit tonë, ndërsa sot janë 15 vjet më të rritura. (prezantueset e shfaqjes Joana dhe Klara).
Në fund të programit të ftuarit i përshëndeti Arkimandrit Kozma Sovjani dhe Drejtoresha znj. Nafsika Melo. Më pas të pranishmit ndoqën me interes ekspozitën “Duart e arta” me punimet më të bukura të krijuara nga vetë fëmijët. Mjaft interesante ishte këndi “Kopshti ynë në vite”, në të cilin ishin vendosur fotografi që pasqyronin aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në kopshtin tonë gjatë këtyre 15 viteve.
Festa u mbyll me kokteilin e shtruar për këtë ceremoni shumë të rëndësishme për kopshtin tonë.
Nga Përkujdesja Ditore e qytetit të Durrësit