|
|
Në datën 7 shkurt u mblodh Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Greqisë i përbërë prej 78 mitropolitësh, i cili zgjodhi Kryepiskop të Athinës dhe të gjithë Greqisë Mitropolitin e Thivës dhe Livadhjasë, Jeronimin. Ai u zgjodh në votimin e dytë, duke marrë 45 vota kundrejt 27 që mori kandidati kryesor Mitropoliti i Spartës, Efstathi. Kryepiskopi i ri i Kishës së Greqisë lindi në Inofita të Viotisë, në vitin 1938. Mbaroi Fakultetin e Filozofisë, degën e Arkeologjisë dhe Fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Athinës. Vazhdoi studimet pasuniversitare në Grac të Austrisë dhe Regensburg e Mynih të Gjermanisë. |
|
Kreu i ri i Kishës së Greqisë, konfirmoi se do të respektojë sistemin e përgjithshëm të administrimit të Kishës dhe se do të vazhdojë veprën e Kryepiskopit Kristodhul.
Me gëzim dhe kënaqësi u prit lajmi i zgjedhjes së Mitropolitit Jeronim në postin e Kryepiskopit të Athinës edhe në Patriarkanën Ekumenike si edhe në Patriarkanat dhe Kishat e tjera Autoqefale.
Mesazhe urimi për Kryepiskopin e Athinës Jeronimin dërguan udhëheqja shtetërore dhe politike vendit, si dhe të gjitha Kishat Orthodhokse dhe ato kryesore të Krishtera të botës.
Në një intervistë pas zgjedhjes, Kryepiskopi Jeronimi tha se “Ne jemi të detyruar të gjejmë mjetet që së bashku dhe në harmoni të vazhdojmë në shëndoshjen e të gjitha problemeve që prekin trupin e Kishës… Kisha nuk ka asnjë arsye që të thotë slogane, por, në të kundërt, duhet të tregojë, me fjalët dhe veprat, mesazhin që Krishti është ngjallur dhe kështu shpresa mund të mbushë edhe momentet më të vështira të jetëve tona”. Ai deklaroi se është vetëm i pari midis të barabartëve, Episkopi i Athinës, dhe se do të drejtojë Kishën së bashku me Sinodin e Shenjtë, duke parë në këtë garancinë për të pasur një drejtim sa më shpirtëror dhe kolegjial. Gjithashtu deklaroi edhe se do të punojë vazhdimisht për forcimin e unitetit të Kishave Orthodhokse në mbarë botën.
Fronëzimi i Fortlumturisë së Tij Jeronimi u bë të shtunën, 16 shkurt, në orën 11.00, në Katedralen “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari” të Athinës, në prani të anëtarëve të Sinodit të Shenjtë dhe autoriteteve më të larta shtetërore të vendit, si edhe të përfaqësuesve të të gjitha Kishave Orthodhokse. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua në fronëzim nga Kryepiskopi i gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastas, Mitropoliti i Beratit Ignati dhe Episkopi i Apollonisë Nikolla.
|
|
|
|
|
