Veprimtari me fëmijët nëpër dioqeza në kuadër të Pashkës Ata ishin të gëzuar si vetë Pashka. (Prill 2008)
Fjalët e ngrohta me buzëqeshjet e sinqerta të fëmijëve si dhe urimet e përzemërta të prindërve, ishin dhurata më e veçantë gjatë periudhës parapërgatitore të Pashkës së Madhe nga dt. 12–25 prill në të katër Dioqezat e Kishës sonë.
Në kuadër të festës së Ngjalljes së Krishtit, më shumë se 1200 fëmijë morën pjesë në aktivitete edukuese dhe argëtuese, të organizuara në fund të Kreshmës së Madhe nga Zyra e Fëmijëve në bashkëpunim me katekistët e dioqezave. Ky aktivitet u zhvillua në Tiranë, Elbasan, Gramsh, Shkodër, Berat, Fier, Lushnje, Korçë etj.
Disa ditë më parë, fëmijët ishin lajmëruar për zhvillimin e një veprimtarie të veçantë dhe ata e prisnin pa durim. Aktiviteti ishte i larmishëm dhe i gëzueshëm si vetë Pashka. Fëmijët ndaheshin në grupe dhe merrnin mësime rreth kësaj feste, zhvilluan lojëra, këngë dhe në fund të aktivitetit në disa vende fëmijët morën nga një pako si dhuratë festive. Në fytyrat e fëmijëve dukej një gëzim i veçantë dhe ndërsa të gjithë përfunduan punën e dorës gjatë së cilës përgatitën vezën e Pashkës, largoheshin të gëzuar nga qendrat e me shpresën se vitin tjetër do të mësojnë dhe përjetojnë më shumë rreth kësaj feste të madhe.
Vlen të theksohet se programi e përmbushi qëllimin, duke e çuar lajmin e mirë te këta fëmijë dhe familjet e tyre. Kjo u konstatua edhe nga përqendrimi që patën në mësim, por mbi të gjitha në lutjet e falënderimit ndaj Perëndisë. Një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve ndihmuan klerikët gjatë kryerjes së shërbesave nëpër kisha gjatë Javës së Madhe. Përgjatë mësimit nuk munguan pyetjet e shumta dhe fëmijët tregonin interes të madh. Mësuesit u përpoqën të përçonin te fëmijët kuptimin e kësaj feste si edhe u shpjeguan kuptimin e vezës së kuqe.
Sindi nga Gramshi, në klasën e gjashtë na tha: “Ndryshe nga herët e tjera, ky aktivitet ishte më i veçantë. Mënyra se si ndjeheshim kur mësonim rreth Pashkës do të mbetet e paharrueshme në kujtesën time”. Ndërsa Dionisi nga Tirana u shpreh: “Unë dua të jem një qiri i ndezur kudo që shkoj”. Gjatë një bisede me një prej prindërve u konstatua edhe një fakt interesant: “Më parë ishin prindërit që u mësonin fëmijëve rreth besimit, ndërsa tani janë fëmijët që na mësojnë ne prindërve. Im bir na mësoi troparin e Pashkës si mua edhe gruas sime dhe gjithashtu mësuam kuptimin e vezës së kuqe”.
Ky aktivitet pati një rëndësi të madhe shpirtërore sepse fëmijët jo vetëm që kaluan disa orë në një shoqëri të krishterë, por ata u njohën me mësimin e Kishës mbi Pashkën e Madhe dhe përjetuan më thellë pësimet shpëtimtare dhe atë që Zoti bëri për çdonjërin prej nesh personalisht për shpëtimin tonë dhe jetën e përjetshme. Një ndihmesë të rëndësishme në realizimin e këtij projekti dhanë edhe të rinjtë e enorive tona.
Në këtë mënyrë, gëzimi i periudhës së Pashkës u shoqërua me veprimtari të shumta shpirtërore dhe kulturore me fëmijët. Ky aktivitet po kthehet në një traditë të pasur të Kishës sonë, e cila u jep mundësinë grupmoshave të reja për të njohur besimin orthodhoks dhe të bëhen anëtarë të një komuniteti të madh dashurie, me Krishtin në qendër. Atmosfera ishte entuziaste dhe shumë fëmijë përjetuan gëzimin e njohjes me njëri-tjetrin, si dhe lutjeve e adhurimin së bashku të Perëndisë, duke dëshiruar të ndjekin rrugën e Krishtit për të qenë anëtarë të denjë të Kishës.