Takimi filloi në datën 9 tetor, në Konstandinopojë në Selinë e Patriarkanës Ekumenike në Fanar, me një pritje nga Patriarku Ekumenik.
Në mëngjesin e ditës së premte të datës 10 tetor, në kryekishën e Shën Gjergjit, u hap zyrtarisht takimi nga Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu, ku mbajti edhe një fjalim mjaft të bukur, plot horizont dhe me mesazhe të shumta, për të vazhduar me sesionet plenare, që vazhduan pasdite dhe u mbyllën të shtunën paradite të datës 11 tetor.
Komisioni i përgatitor i mesazhit të përbashkët përbëhej nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, Mitropoliti i Smolenskut (Patriarkanës së Rusisë) Kirilli, Mitropoliti i Pergamit (Patriarkanës së Konstandinopojës) Joani, Mitropoliti i Francës Emanueli (Patriarkanës së Konstandinopojës). Ky komision hartoi këtë mesazh, duke u frymëzuar dhe punuar mbi mesazhet përgatitore që ishinpërgatitur nga takimi ndërorthodhoks i Rodos, nga fjalimi përshëndetës i Patriarkut Ekumenik dhe nga sugjerime të vetë primatëve dhe përfaqësuesve orthodhoksë pjesëmarrës të këtij takimi historik ndërorthodhoks në Fanar.
Takimi u mbyll me leximin e këtij mesazhi të përbashkët. (kliko)
Mesazhi, u firmos nga të gjithë kryetarët e Kishave dhe përfaqësuesit e tyre të pranishëm.

Mbledhjen e Primatëve të Kishave Orthodhokse e rinovoi Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik z. Vartholomeu menjëherë pas zgjedhjes së tij, në mënyrë që të mundësohet e të tregohet dukshëm uniteti i Kishës Orthodhokse, por edhe që të arrihet koordinimi i Kishave Orthodhokse lokale për çështje të drejtpërdrejta bashkëkohore që shfaq koha e sotme. Siç dihet, takime të tilla të Primatëve janë bërë në vitet 1992 (në Fanar të Konstandinopojës), 1995 (Patmos), 1998 (Sofje), 2000 (Jerusalem, Konstandinopojë dhe Nikea të Bitinisë), 2005 (Fanar të Konstandinopojës).
Folës në simpozium ishin profesorë universitetesh dhe specialistë të Dhiatës së Re nga mbarë bota e krishterë (orthodhoksë, romano-katolikë dhe protestantë). Gjatë punimeve të këtij simpoziumi shkencor u kryen vizita pelegrinazhi në Smirnë (Izmir), Efes, Pamfili, Atalia (Antalia), Pergë, Rodos dhe Kretë, vende të cilat i ungjillëzoi dhe i shenjtëroi Apostull Pavli.
Delegacioni i Kishës sonë mori pjesë jo vetëm në Takimin e Primatëve të Kishave Orthodhokse, por edhe në të gjitha punimet e Simpoziumit për Apostull Pavlin. Delegacioni kryesohej nga Kryepiskopi Anastas dhe përbëhej nga Mitropolitët e Korçës e Gjirokastrës, Hirësinë e Tij Joanin dhe Hirësinë e Tij Dhimitrin dhe Kryedhjakon Asti Bakallbashi.