![]() |
Tradita e takimeve rinore vijoi me sukses edhe këtë vit, duke afruar shumë të rinj nga enori të ndryshme të Kishës sonë, për të njohur edhe më shumë besimin dhe për të rritur miqësinë mes tyre.
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Zyra e Rinisë organizoi gjatë muajve të vjeshtës veprimtari me të rinjtë dhe të rejat orthodhokse, duke i ndihmuar ata në jetën shpirtërore dhe shkëmbimin e përvojave të paharrueshme në shoqërinë e krishterë.
Në datat 31 tetor – 2 nëntor, në Mitropolinë e Tiranës dhe të Korçës u zhvilluan takimet shpirtërore dhe kulturore me rininë orthodhokse. Tema ishte e përbashkët:
|
|
“Me Krishtin do të përballojmë çdo sfidë në jetën tonë”. Folës në takimin rinor të Mitropolisë së Tiranës, i zhvilluar në Qendrën Shpirtërore-Arsimore “Thavor” ishin Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit për Mitropolinë e Tiranës, z. Miron Çako dhe drejtori i Zyrës Rinore z. Jorgo Papadhopuli.
* * *
Në takimin rinor të Korçës, referatet u mbajtën nga Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. Pjesëmarrja ishte e gjerë me të rinj nga të gjitha enoritë e kësaj mitropolie.
|
|
|
|
Morën pjesë rreth 60 të rinj për çdo aktivitet. Programi ishte i larmishëm, ku përveç tre referateve, pati edhe aktivitete argëtuese dhe krijuese. Ditën e fundit të kësaj veprimtarie, të dielën, të rinjtë morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, në katedralen e qytetit të Korçës “Ngjallja e Krishtit”.
* * *
Një javë më pas, në datat 8 – 10 nëntor u zhvillua takimi rinor i Mitropolisë së Beratit. Merrnin pjesë rreth 65 të rinj të ardhur nga pothuajse të gjitha enoritë e kësaj mitropolie. Tema e këtij takimi ishte “Rinia përballë ndryshimeve, duke përballuar sfidat”.
|
|
Referati i parë u mbajt nga Mitropolit Ignati, i cili theksoi problemet e rinisë dhe shpjegoi mënyrat se si mund t’i përballojmë ato. Posaçërisht për këtë aktivitet kishte ardhur si i ftuar nga Greqia, Arkimandrit Serafimi, i cili mbajti referatin e dytë. Programi u pasurua me një ekskursion në kishën e Kryeengjëllit Mihail, e cila ndodhet në një terren shumë të vështirë dhe ku ka asketuar dhe shën Nikodhimi i Beratit. Të dielën, pjesëmarrësit morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore, e cila u zhvillua në kishën e shën Spiridhonit.
|
![]() |
![]() |
* * *
Në vazhdim të veprimtarive rinore, në datat 15 dhe 16 nëntor u zhvillua Takimi Ndërkristian me pjesëmarrjen e të rinjve nga komuniteti Orthodhoks, komuniteti Romano-katolik dhe bashkësia Ungjillore, rreth 20 përfaqësues për çdo komunitet. Tema e këtij aktiviteti ishte vargu shkëputur nga Ungjillit sipas Mattheut 18:20 “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, Unë jam në mes tyre”. Një nga përfaqësuesit e komunitetit orthodhoks, z. Jorgo Papadhopuli, referoi mbi temën “Miqësia”.
|
Takimet e përvitshme rinore nëpër dioqeza u mbyllën në aktivitetin e dytë të Mitropolisë së Tiranës që u mbajt në Qendrën Shpirtërore-Arsimore “Thavor”, në datat 5 – 7 dhjetor. Në këtë takim ishin rreth 60 pjesëmarrës dhe u zhvilluan dy referate, në lidhje edhe me temën kryesore të këtij takimi “Ndarja ndërmjet brezave”. Referati i parë u mbajt në manastirin e shën Vlashit nga atë Kozmai, pedagog i lëndës së Historisë Kishtare, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Znj. Ekaterina Papadhopuli mbajti referatin e dytë, të cilin e zhvilloi në formë trajnimi, duke krijuar një atmosferë ku të rinjtë e ndarë nëpër grupe të ishin vetë pjesëmarrës në diskutime. Kjo mënyrë referimi u pëlqeu shumë nga të rinjve, duke qenë se ishte shumë zbavitëse dhe krijuese.


