“Krishti lindi, lavdërojeni!”

    Me këtë thirrje të gëzueshme në atmosferën mbushur me drita e dekor simbolik, u përshkrua Manastiri i shën Vlashit pasditen e 18 dhjetorit. Studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, nxënësit e Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Sukth dhe fëmijët e “Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës” e kremtuan ardhjen e Krishtlindjes, përmes një programi festiv që zgjati rreth dy orë, i mbushur me këngë, drama, pjesë humoristike dhe mesazhet e vërteta të Krishtlindjes.

    Salla “Sion” mikpriti gjithashtu edhe të ftuar të tjera klerikë, burra, gra, mësues e prindër atë pasdite të vërtetë dimri. Gëzimi i kësaj dite depërtonte më shumë në buzëqeshjet e fëmijëve të “Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës”, të cilët dhuruan më shumë se kushdo tjetër emocione me një program të pasur. Ata shfaqeshin herë si engjëj me krahë të bardhë dhe herë si fëmijë të varfër. Historia, e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja kalonin përmes mesazheve të tyre në këngë, valle e recitime.

    Nxënësit e Shkollës së Mesme Kishtare shpalosën gjatë programit talentet e tyre në gëzimin e ardhjes së Krishtit, duke treguar se i përkasin një shkolle tashmë të konsoliduar dhe me qëllime të larta.

      
    Mikpritësit dhe organizatorët, studentët e Akademisë Teologjike, transmetuan tek të pranishmit thelbin e gëzimit të festës, duke u paraqitur në mënyrë dinjitoze me muzikën bizantine, lexime nga historia e Krishtlindjes etj.

    Gjatë programit foli edhe ndihmësdrejtori i Akademisë, Episkopi i Apollonisë, Nikolla, i cili theksoi se kjo ngjarje është e madhe, sepse jo vetëm një Mbret bëhet shërbëtor, por një Mbret lë gjithë lavdinë e Tij dhe bëhet si një milingonë për të shpëtuar njeriun. “… Zbukurimet e shumta janë shprehje e dashurisë, por nuk duhet të mbetemi vetëm në gjëra sipërfaqësore, duhet të depërtojmë në thelb të misterit. Krishti dëshiron që të bëhet grazhd në zemrën tonë”.

    Të pranishmit përjetuan një veprimtari të larmishme, në një kohë kur zemra e të krishterëve shpreh gëzimin e ardhjes së Shpëtimtarit.

Isidor Koti