– Të jetojmë së bashku në një Komunitet Dashurie –
 
 
 
    Më 16 tetor 2008, Qendra Studentore rihapi aktivitetet e saj me studentët. Aktiviteti i parë konsistoi në takimin me grupin ekzistues të qendrës studentore, të cilët vitet e kaluara e kanë frekuentuar rregullisht. Qëllimi i këtij takimi ishte që ky grup studentësh prej 40 vetash të jenë fuqia e ndryshimit në jetën e studentëve dhe dëshmi e gjallë për besimin e krishterë orthodhoks midis studentëve të tjerë. Takimi filloi me lutje falënderimi si mirënjohje për atë që Zoti ka bërë dhe bën çdo ditë për ne. Diskutimi në grupe iu dha studentëve mundësinë për të ndarë dëshminë e tyre personale në lidhje me besimin. Shumë prej tyre ishin të gatshëm të ndanin historinë e tyre me të gjithë grupin e studentëve. Në fund të takimit, drejtuesi i këtyre aktiviteteve, z. Nathan Hoppe, tregoi se sa ndryshim mund të sjellim ne të gjithë nëse ofrojmë te Krishti të paktën një person në semestër. Ashtu si njerëz të tjerë na kanë njohur me Krishtin, edhe ne kemi përgjegjësi të ofrojmë të tjerët që nuk njohin besimin të burimi i jetës. Kjo është dhurata më e madhe që mund t’i bëjmë dikujt.

    Dita e martë, më 22 tetor, shënoi fillimin e takimeve të përgjithshme, një traditë e ruajtur që prej shumë vitesh. Tema e vitit akademik 2008 – 2009 për Qendrën Studentore do të jetë: “Të ecim si bij të dritës”.

    Ndërsa çdo të enjte tashmë në qendrën studentore organizohet ora shpirtërore në grup të vogël, në të cilën studiohet dhe diskutohet rritja jonë në Zotin, duke u bazuar në një tekst të caktuar.

    Çdo të shtunë, do të zhvillohet Liturgjia hyjnore e pasuar nga vizita baritore në njerëz në nevojë dhe aktivitete sportive.

    Qendra Studentore me shërbimet që ofron dhe gjithë aktivitetet që organizohen aty kanë si qëllim të përmirësojnë cilësinë e jetës studentore të të rinjve që jetojnë në Qytetin Studenti, duke i bërë anëtarë të një komuniteti dashurie me në qendër Krishtin.

    Qendra Studentore është e hapur çdo ditë nga 9:00 – 20:00. Studentët mund të vijnë çdo ditë në Qendër për të punuar në kompjuter, për të studiuar për provimet e tyre, për t’u çlodhur, për të kaluar kohë me njëri-tjetrin, si dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e Qendrës.

 
    Ajo është një fole e bekuar që i mbledh të gjithë, një strehë e sigurt ku studentët mund të gjejnë ngrohtësi, vendi ku mund të gjejnë frymëzim dhe shpresë për të ardhmen, vendi ku mund të hedhin themelet për besimin e krishterë, ose të rriten në të nëse janë tashmë të krishterë.

    Këtë vit, ajo është e pajisur me një bibliotekë të pasur me libra të shumtë, rreth 1.000 libra dhe lidhen me degët përkatëse që studentët ndjekin. 7 kompjutera janë në shërbim të studentëve, si dhe një sallë për punime artizanale, me ide e modele të ndryshme, si qëndisje me motive fetare, thurje komboskini, punime të ndryshme me rruaza, punim në allçi etj. Në hyrje të Qendrës është vendosur një raft me materiale të ndryshme të besimit tonë si dhe në lidhje me problemet sociale si droga, Hiv-Aids etj. Këto materiale ofrohen falas te studentët me qëllim që ata të rritin njohurinë mbi jetën shpirtërore dhe të ndërgjegjësohen më tepër në lidhje me problemet sociale.

 
Ana Baba
Koordinatore e Qendrës Studentore,Tiranë