Pashkë, 2008

Shpresë dhe fuqi

+Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

 

 

    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,
 

    Shpresën, në tërë plotësinë e saj, e ripërtërinçdo vit në zemrën e besimtarëve festa e Ngjalljes. Shpresën në triumfin përfundimtar të drejtësisë mbi padrejtësinë, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, e mbi të gjitha, shpresën në fitoren përfundimtare të jetës mbi vdekjen.

    Kryqëzimi dhe varrimi i Jisuit i hodhën nxënësit e Tij në hidhërim dhe në dëshpërim. Por në një kohë të shkurtër, siguria se “u ngjall Krishti me të vërtetë” i dha krahë shpresës së tyre dhe i transformoi ata në apostujt dinamikë të Tij. Si përfundim, përvoja paskale përcaktoi shpresën mahnitëse dhe fuqinë e të gjithë atyre që në vazhdim, në mbarë shekujt, u bënë dëshmitarë të Ngjalljes, në të gjithë gjatësinë dhe gjerësinë e tokës.

 

A

 

    “I bekuar qoftë Perëndia…i cili sipas përdëllimit të tij të shumtë na lindi përsëri në një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pet. 1:3).

    Shkrimi i Shenjtë është i mbushur me referime që kanë lidhje me shpresën. Vargje të shumta biblike theksojnë kuptimin dhe vlerën e saj. Por shpresa e krishterë arrin pikën më të lartë dhe kuptimin më të thellë të saj në sigurinë për triumfin e Krishtit mbi vdekjen dhe transformimin përfundimtar të trupit, që do të bëhet shpirtëror, i paprishshëm dhe i pavdekshëm, “për një trashëgimi të paprishshme, të papërlyer dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ne” (1 Pet. 1:4).  Siç e thotë në mënyrë të përmbledhur Vasili i Madh, Krishti i kryqëzuar “zgjidhi dhimbjet e vdekjes dhe pasi u ngjall të tretën ditë, i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish. Meqë nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes kryetari i jetës, u bë pema e parë e të fjeturve, i paralinduri nga të vdekurit, që të jetë Ai gjithçka, duke qenë i pari në të gjitha” (Liturgjia Hyjnore). Kjo e vërtetë përbën themelin e shpresës sonë për ngjalljen e të vdekurve në të fundmet e Historisë.

    Përvoja paskale jep që tani pjesëmarrjen në misterin e jetës së re, gjë të cilën Krishti na e bën të arritshme nëpërmjet mistereve të Kishës sonë. Në këtë mënyrë Ngjallja e Krishtit e shtrin shpresën drejt së ardhmes, drejt përjetësisë dhe me dinamizmin e saj, e lartëson gjithë jetën e besimtarit me një intensitet të paparë.

    Në një kohë kur shqetësime të çdo lloji dhe ngjarje tragjike po përhapin ankth dhe shkurajim në jetën tonë, festa e Ngjalljes jep shpresë të vërtetë në zemrën tonë që nuk gjen qetësi. Nuk i referohet ndonjë ideje apo propozimi të pacaktuar, por lidhet me një person që duroi tortura të frikshme, i cili në fund triumfoi dhe fitoi mbi vetë vdekjen. Hyrja e tij në jetën e njerëzimit, fjala, vepra, sakrifica e tij zbuluan dashurinë e pakonceptueshme të të Gjithëpushtetshmit Perëndi për njeriun. Shpresa e Ngjalljes ndriçon ndërhyrjen e Perëndisë brenda historisë dhe paralajmëron plotësimin e saj në të fundmet.

    Pra, duke e mbështetur vështrimin dhe zemrën tonë në Krishtin e Ngjallur, mund të përballojmë realitetin mizor të jetës sonë me shpresën që ndryshon krejtësisht edhe kushtet më tragjike, duke u dhënë atyre kuptim shpëtimtar. Kur sprovat, dhimbja, sëmundja, vdekja e njerëzve tanë të dashur e errësojnë mendjen dhe zemrën tonë, shpresa nga prania e Zotit të Ngjallur ngushëllon dhe fal fuqi. Kur gjatë rrugëtimit tonë personal përballemi me hidhërime të ndryshme, padrejtësi dhe zhgënjime nga korruptimi i përhapur gjerësisht, nuk zhytemi në melankoli dhe në dëshpërim. E dimë se në fund e ardhmja, si e jona dhe e mbarë njerëzimit, nuk varet nga arroganca dhe planet imorale të të mëdhenjve apo të vegjëlve. Shpresa jonë mbështetet në mesazhin fitimtar të Ngjalljes, në sigurinë se Jisu Krishtit iu dha “çdo pushtet në qiell dhe mbi dhé” (Matth. 28:18). Se Ai qëndron pranë nesh. Prandaj dhe festojmë duke psalur: “O zëri yt i hyjshëm, i dashur dhe fort i ëmbël, se me të vërtetë u zotove të jesh bashkë me ne gjer në mbarim të jetës, o Krisht, këtë zë duke e patur ne besnikët si spirancë shprese, ngazëllohemi”.

 

B’

 

    Shpresa që buron prej Ngjalljes çel horizontin në përjetësi. Por jo për të humbur në ide të pacaktuara, por që të përballemi me konkreten dhe të sotmen me paqe dhe fuqi. Ne të krishterët, si bij të Ngjalljes, bëjmë pjesë tek ata,“që ruhemi me fuqinë e Perëndisë” (1 Pet. 1:5). Pas Ngjalljes së Tij, Zoti u premtoi nxënësve të frikësuar: “Do të merrni fuqi prej së larti kur të vijë Shpirti i Shenjtë mbi ju” (Vep. 1:8). Të gjitha gjërat e mëpastajme në jetën apostolike u zhvilluan “në fuqinë e Perëndisë”.

    Në tekstet e apostujve, një vend mbizotërues ka referimi në fuqinë unikale të Perëndisë. “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Filip. 4:13), zbulon apostull Pavli. Dhe na këshillon: “Forcohuni në Zotin dhe në pushtetin e fuqisë së tij” (Efes. 6:10). Por nxjerr në pah, nevojën për t’iu afruar në një mënyrë sa më thelbësore misterit të Kryqit dhe të Ngjalljes së Zotit, “për të njohur atë dhe fuqinë e ngjalljes së tij… duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Filip. 3:10), pra duke përqafuar vendimin e sakrificës dhe të bindjes absolute ndaj vullnetit të Perëndisë.

    Kryqëzimi dhe Ngjallja e Krishtit, e forcojnë me një fuqi të veçantë vullnetin tonë, që të mund të përballojmë tundimet dhe të durojmë sprovat. Fuqi për të falur frikën, shpirtvogëlsinë dhe mosmirënjohjen e tanëve apo të huajve; për të falur ata që na bëjnë padrejtësi ose na urrejnë; fuqi për të duruar në lodhje dhe në shkurajim. Për të mos u përkulur para presioneve të paligjshme të të fortëve. Fuqi për të duruar dhimbjen e sëmundjes, tonën dhe atë të njerëzve të afërm, për t’u paqtuar gjatë largimit nga kjo botë, fuqi për të duruar ndarjen nga njerëzit tanë të dashur dhe për të mos u sjellë “si të tjerët, që nuk kanë shpresë” (1 Thes. 4:13). Fuqi me pritjen e qetë të ngjalljes përfundimtare.

 

*  *

 

    Le të çelen shpirtrat dhe mendja jonë brenda rrezatimit të dritës së Ngjalljes, për të ndjerë nga afër mesazhet që na jep Ngjallja e Krishtit, dhe t’i transmetojmë ato me ngazëllim.

    Shpresa e Ngjalljes nuk imponohet. Ajo transmetohet nga njëri tek tjetri.

    Le ta sjellim me fjalën dhe jetën tonë në shoqërinë tonë të plagosur.

    Uroj me gjithë shpirt që jeta jonë e përditshme, të mbështetet në shpresën dhe fuqinë që na fal Ngjallja; në shpresën për mbizotërimin final të së drejtës, për shfuqizimin e vdekjes dhe për fitoren përfundimtare të jetës; në shpresën që bazohet në sigurinë se Krishti i Ngjallur është Zoti i jetës dhe i vdekjes. Ngjallja e Krishtit le të na falë fuqinë për të përballuar me kthjelltësi sprovat, për të mbrojtur të vërtetën, drejtësinë, dinjitetin e çdo personi njerëzor, pa dallim origjine; fuqi për të rikrijuar në çdo fushë të jetës, që lartëson njeriun dhe gjithë shoqërinë.

    Krishti u Ngjall! Le të mbushet shpirti ynë me shpresën dhe me fuqinë e Tij.   

 

 

 
Me gjithë dashurinë time,
+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë