Deklaratë e përbashkët mirëkuptimi e bashkëpunimi midis dy qendrave të Orthodhoksisë shqiptare në SHBA.
 
 
    Marsi shënon 3 përvjetorë tepër të rëndësishëm dhe domethënës për Kishën tonë: 8 Marsi është 100-vjetori i dorëzimit të Theofan Nolit në prift. 22 Marsi është 100-vjetori i të parës Liturgji Hyjnore në gjuhën shqipe nga Atë Theofani dhe i themelimit të kishës shqiptare të Shën Gjegjit, në Boston. 13 Marsi është përvjetori i fjetjes së Hirësisë së Tij Theofan Nolit (1965).
   Të dielën, 9 Mars, në Kishën Katedrale të Shën Gjergjit, Boston, SHBA, në prani të qindra besimtarëve që e kishin mbushur përplot vendin e shenjtë, u krye Liturgjia Hyjnore festive jubilare. Ajo u drejtua nga dy episkopët e shqiptarëve të SHBA, Hirësia e Tij Nikoni (Liolin) dhe Hirësia e Tij Ilia (Ketri). Ishte i ftuar dhe mori pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi.
    Binte në sy organizimi i përkryer dhe përkushtimi e qetësia në ndjekjen e shërbesës, me gjithë pjesëmarrjen tepër të madhe (asnjëherë kisha nuk kishte parë kaq klerikë, besimtarë e miq të ftuar). I veçantë ishte edhe kori që shoqëroi shërbesat, sepse në të kënduan më shumë besimtarë se asnjëherë tjetër. Në fund një grup fëmijësh dha një program të vogël festiv.  Atë Artur Liolini tha në përshëndetjen e tij, se vazhdimësia pa ndërprerje e veprimtarisë së këtij institucioni shpirtëror fetar vërteton atë vizion e largpamësi që kishte Fan Noli kur filloi përpjekjet për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare të Amerikës.
    Pastaj përshëndeti të pranishmit shqip dhe anglisht dhe nderoi kujtimin dhe veprën e Imzot Theofanit, Fortlumturia e Tij Anastasi. Ai tha se ngjarje si kjo e nxisin njeriun jo vetëm të kujtojë, por edhe të mendojë për Fan Nolin dhe të arrijë në përfundimin se ai ishte një personalitet me talent të jashtëzakonshëm.
    Më pas, Hirësi Ilia dhe Hirësi Nikoni, dolën përpara të pranishmëve dhe lexuan një deklaratë të përbashkët mirëkuptimi e bashkëpunimi midis dy qendrave të orthodhoksisë shqiptare në SHBA.
    Në përshëndetjen e tij, Imzot Ilia Ketri tha se mbarëvajtja e Orthodhoksisë shqiptare ishte edhe ëndrra e Nolit, dhe e quajti nënshkrimin e deklaratës vazhdimësi të veprës dhe dëshirës së kryepeshkop Nolit për mirëkuptim, ndjesë e bashkëpunim.
 
    Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas, Hirësi Nikoni dhe Hirësi Ilia bënë homazh dhe vendosën lule te fotografia e Imzot Theofanit.

 Pas kësaj, në mjediset e restorantit të njohur Pier 4, i themeluar nga Antoni Athanas, u shtrua dreka festive e rastit, ku morën pjesë rreth 400 vetë. Edhe këtu pati përshëndetje, si dhe u shfaq një kolazh i përgatitur nga pjesëtarë të enorisë së kishës së Shën Gjergjit, të cilët shkurtimisht folën për historinë, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj trashëgimie të pasur, që Fan S. Noli e themeloi 100 vjet më parë. Kolazhi shoqërohej me një sfond muzikor dhe fotografi të ndryshme të komunitetit orthodhoks shqiptaro-amerikan në vite.

    Kremtime festive do të mbahen edhe më 22 mars, por edhe i gjithë viti është konceptuar si një vit jubilar, që do kulmojë në shtator me një mbrëmje-gala.
 

                                                                                   * * *
 

Disa media përpiqen

të prishin festën dhe injorojnë përvjetorin
 

    Në këtë atmosferë jubilare u panë edhe tentativa për ta prishur festimin. Disa media vizive, por sidomos të shkruara, ditë përpara kremtimit historik, filluan një fushatë kundër Kishës dhe Kryepiskopit Anastas. Si përherë, me pretekstin se ishin të shqetësuar për Kishën, për festimet dhe për Imzot Theofanin (Nolin).
 

    Nuk kërkuan informacion e prononcim nga burime orthodhokse, si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA, siç e kërkonte profesionalizmi, por disa shkuan te mashtruesi N. Marku, dhe më pas vollën vrer, me një qëllim të vetëm: Tentuan si donkishotë të nxisnin besimtarët orthodhoksë të Amerikës që ta ndynin festën e tyre. Por realiteti ishte krejt ndryshe.
 

    Kremtimi qe një sukses i plotë, siç e meritonte Imzot Noli, për të cilin harrohet lehtë dhe qëllimshëm, se përveçse një patriot i madh ishte edhe klerik dhe besimtar orthodhoks, i përkushtuar për Kishën e tij. Dhe duke fyer Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Sinodin, klerikët dhe besimtarët e saj, përbaltin edhe vetë Orthodhoksin e madh Theofan Noli.
 

    Gjithashtu, nuk u fol fare për faktin e madh historik të bashkëmeshimit pas disa dekadash dhe deklaratën e përbashkët të pajtimit të episkopëve të të dy Komuniteteve shqiptare-orthodhokse të SHBA, sepse nuk kërkohej afrimi, por përçarja.
 

    Dëshmi e këtij provokacioni të ulët ishte dhe fakti se më pas, mbas festimeve, pothuajse nuk u fol më për përvjetorin dhe sidomos për festimin e tij madhështor në Katedralen e Shën Gjergjit.
 

    Këtë e dëshmon edhe fakti se u injoruan vlerësimet pozitive për Kryepiskopin Anastas nga Atë Artur Liolini, Presidenti, Kryeministri dhe nga intelektualë të shquar shqiptarë, duke iu dhënë jehonë vetëm fjalëve të fandaksura të një individi apo të disa gazetarëve hapur dhe krenarisht tendenciozë.
 

    Kujtojmë se Atë Artur Liolini do të theksonte se “Kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët. Nëse bëjmë këtë me ndihmën e Zotit, mundësitë për progres në të ardhmen do të hapen. Ky është opinioni i episkopit Nikon, i pjesës më të madhe të krerëve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe, gjithashtu, pozicioni im personal.”Atëherë, kush e kërkon ndarjen dhe përçarjen? Sigurisht, jo vetë orthodhoksët!

    Sa për z. Marku, megjithëse ai nuk është klerik as për Kishën tonë, dhe për asnjë Kishë orthodhokse në botë, por vetëm një uzurpues dhe abuzues me mjedise kishtare, nga disa gazetarë këmbëngulet të quhet si i tillë, duke injoruar hapur besimin orthodhoks dhe duke treguar qartë se shtyhen nga qëllime të tjera dhe jo se u djeg zemra për fatet e Komunitetit tonë, që janë të sigurta e në rrugë të mbarë.