|
Me mesazhin: “Dua të jetoj dhe unë”, ky zë i brendshëm i fëmijëve talasemikë që kanë nevojë për gjak motivon dhe mobilizon çdo njeri që e do jetën. Perëndia nuk harron dhe i shpërblen të gjithë ata, të cilët nga dashuria për të tjerët ofrojnë edhe prej jetës së tyre. Megjithëse dhurimi i gjakut është një dhuratë e vogël, por ky akt është në thelb një vepër shpirtërore. |
|
|
|
Këtyre fëmijëve talasemikë, që kërkojnë gjak, pas një muaji do t’u duhet përsëri një dhurues tjetër. Kërkesat janë shumë të mëdha. Vetëm në Tiranë ka 500 fëmijë talasemikë, të cilët kërkojnë ndihmën dhe kontributin e njerëzve me shëndet të rregullt. |
|
Të ndërgjegjësuar nga ky realitet, të rinj orthodhoksë të Tiranës organizuan në datën 26 janar sesionin e dhurimit vullnetar të gjakut në qendrën “Bethlehem”. Pjesëmarrja e gjerë e të rinjve dhe të rejave frymëzoi stafin e mjekëve të ardhur nga Kryqi i Kuq Shqiptar, të cilët një javë më parë dhanë një informacion paraprak për procedurën e dhurimit të gjakut. |
|
|
|
Këta të rinj shprehën dëshirën të imitojnë qoftë edhe në mënyrë simbolike Zotin tonë Jisu Krisht, i cili nga dashuria fali gjakun e Tij për të gjithë njerëzit. Vetë jeta e njeriut është dhuratë nga Perëndia. Trupi dhe gjaku ynë është dhuratë nga Perëndia për ne. |
|
Të rinjtë orthodhoksë kontribuuan për vëllezërit dhe motrat më të vegjël talasemikë në mbarë vendin nëpërmjet dhurimit të 300 ose 400 mililitrave gjak konform kritereve kërkuese. Krahas shumë të rinjve, i pranishëm ishte dhe Arkimandriti Kozma Prifti, i cili dhuroi gjak dhe mbështeti të rinjtë në këtë nisëm, të cilën ai e konsideroi “vepër shpirtërore”. |
|
|
Sesione të tjera të dhurimit të gjakut janë zhvilluar vit për vit si në këtë qendër rinore por edhe në qendra të tjera orthodhokse: në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit dhe në qendra rinore orthodhokse të tjera.
Elesa (Matilda) Hoxha |
|



