Ndarja e kekut të Shën Vasilit të Madh, festë e mesazhe për fillimin e vitit. (Janar 2008)
Traditat pasojnë njëra – tjetrën nga brezi në brez. Ato marrin formë simbolike sa herë përcjellin mesazhe të përhershme. Dashuria për të afërmin është një festë shpirtërore që shprehet edhe përmes këtyre simboleve, të cilat trashëgojnë përvojën e vyer ku gjenden rrënjët e besimit tonë të krishterë orthodhoks.
Një festë e kësaj natyre është kthyer në traditë simbolike çdo fillim viti. Sa herë ndërrohen kalendarët pritet me padurim nga çdo moshë “ndarja e kekut të Shën Vasilit të Madh”, një traditë e vjetër në vendin tonë, që në familje praktikohet me anë të një lakrori, kulaçi ose ëmbëlsire. Në monedhën e fshehur brenda këtij gatimi do të gjendet edhe “njeriu më me fat i vitit”.
Në Qendrën Studentore të Kishës Orthodhokse në Tiranë ndarja e kekut të Shën Vasilit të Madh u bë në praninë e rreth 100 studentëve, nën drejtimin e një kleriku nga SHBA, i cili ka kontribuar për 10 vjet rresht në Kishën tonë, At Luka Veronis.
Anëtaret e Lidhjes së Grave Orthodhokse “Përhapja e Dashurisë”, në Tiranë, e zhvilluan këtë ceremoni në datën 9 janar. Pasi foli teologu Jorgo Papadhopulli, Atë Aleks Ndoni ndau për pjesëmarrëset kekun e Shën Vasilit. Në fund rezultoi që monedha ndodhej në pjesën që i ishte rezervuar Krishtit. Gratë patën një gëzim të veçantë pasi, sipas tyre, kjo dëshmon se “Perëndia është me të gjithë ne”.
Një takim tjetër, me përmasa edhe më të mëdha, u bë pasditen e 20 janarit. Në Shtëpinë e Rinisë Orthodhokse “Bethlehem”, në Tiranë, Kryepiskopi Anastas zhvilloi një takim me të rinjtë e kësaj Qendre, ku ndau edhe kekun e Shën Vasilit. Veprimtaria u hap me një program muzikor nga kori dhe orkestra e Radios “Ngjallja”, që u pasua me bisedën e Kryepiskopit me të rinjtë.
Fortlumturia e Tij u njoh me mbarëvajtjen dhe problemet e tyre në shkollë dhe në mjediset e tjera shoqërore, duke i pyetur se si ndihmojnë të rinjtë orthodhoksë për të minimizuar këto probleme dhe çfarë roli ka besimi dhe Kisha në jetën e tyre. Kryepiskopi tregoi histori nga rinia e tij, dha këshilla atërore për të rinjtë e këtij brezi dhe foli për rëndësinë që ka jeta shpirtërore, duke e konkretizuar me jetën dhe veprat e Shën Vasilit të Madh.
“Fruti i Shpirtit të Shenjtë na bën të komunikojmë me të tjerët me zemërgjerësi dhe dashuri. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë misterin e vetëpërmbajtjes, sepse pa të do të kemi probleme të tjera. Do t’ju lutesha që të keni besim e të jeni të thjeshtë. Gjëja më thelbësore është të luteni, sepse kjo është dhurata më e çmuar që na ka dhënë Perëndia” – nënvizoi Kryepiskopi.