Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
3. Të frymëzuar nga doktrina dhe vepra e Apostull Pavlit, theksojmë së pari rëndësinë që ka për jetën e Kishës dhe, në mënyrë të veçantë, për shërbesën e të gjithë neve, detyra e hierapostolisë, në bazë të porosisë së fundit të Zotit: “do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut” (Vepr. 1, 8). Ungjillëzimi i popullit të Perëndisë, por edhe të atyre që nuk besojnë te Krishti, përbën për Kishën detyrë supreme. Kjo detyrë nuk duhet përmbushur me agresivitet apo me forma të ndryshme proselitizimi, por me dashuri, përulësi dhe nderim ndaj identitetit të çdo njeriu dhe veçorive kulturore të çdo populli. Në këtë përpjekje hierapostolike duhet të kontribuojnë të gjitha Kishat Orthodhokse duke nderuar rendin kanonik.
7. Përpjekjet për mënjanimin e fesë nga jeta shoqërore përbëjnë prirje të përbashkët të shumë shteteve bashkëkohore. Ndërkohë, parimi i laicitetit të shtetit mund të ruhet, por interpretimi i tij si margjinalizim radikal i fesë në të gjitha sferat e jetës është i papranueshëm.
8. Humnera midis të pasurve dhe të varfërve zgjerohet në mënyrë dramatike për shkak të krizës ekonomike, e cila është zakonisht rezultat i spekulimit maniak nga ana e operatorëve ekonomikë dhe i një veprimtarie ekonomike të shtrembër, e cila, kur privohet nga dimensioni dhe sensibiliteti antropologjik, nuk i shërben, përfundimisht, nevojave reale të njerëzimit. Ekonomi e qëndrueshme është ajo, e cila ndërthur efikasitetin me drejtësinë dhe solidaritetin social.
9. Në lidhje me marrëdhëniet midis besimit të krishterë dhe të shkencave ekzakte, Kisha Orthodhokse u është shmangur përpjekjeve për të kërkuar tutelën e evolucionit të kërkimit shkencor dhe pozicionimit kundrejt çdo çështjeje shkencore. Për botëkuptimin orthodhoks, liria e kërkimit përbën dhuratë hyjnore për njeriun. Por në të njëjtën kohë, Orthodhoksia evidenton rreziqet që fshihen në disa arritje shkencore, caqet e dijes shkencore dhe ekzistencën e një “dijeje” tjetër, e cila nuk është në varësinë e drejtpërdrejtë të fushës shkencore. Kjo dije shfaqet shumëfish e domosdoshme për caktimin me drejtësi të kufijve të lirisë dhe shfrytëzimin e fryteve të shkencës për kufizimin e egocentrizmit dhe të respektimit të vlerës së personit njerëzor.
10. Kisha Orthodhokse beson se progresi teknologjik dhe ekonomik nuk duhet lejuar të çojë drejt shkatërrimit të mjedisit dhe konsumit të burimeve natyrore. Pangopësia për të kënaqur dëshirat materiale çon në varfërimin e shpirtit të njeriut dhe të mjedisit. Nuk duhet harruar se pasuria natyrore e dheut nuk është vetëm pronë e njeriut, por para së gjithash, krijim i Perëndisë: “I Zotit është dheu dhe gjithçka që është në të” (Psalm. 23, 1). Duhet të kujtojmë se, jo vetëm brezat e sotëm, por edhe ata të ardhshëm, kanë të drejta mbi të mirat natyrore, të cilat na i ka dhënë Krijuesi.
11. Duke mbështetur në mënyrë konstante çdo përpjekje paqësore për një zgjidhje të drejtë të konflikteve të lindura, përshëndesim qëndrimin e Kishave të Rusisë dhe Gjeorgjisë ndaj konfliktit të armatosur të kohëve të fundit dhe bashkëpunimin vëllazëror të tyre. Në këtë mënyrë të dyja këto Kisha kryen detyrën e shërbesës së paqtimit. Shpresojmë se përpjekjet reciproke kishtare do të kontribuojnë në kapërcimin e pasojave tragjike të operacioneve ushtarake dhe pajtimin sa më të shpejtë të popujve.
13. Ne, Primatët dhe Përfaqësuesit e Kishave shumë të Shenjta të Kishave Orthodhokse, duke qenë thellësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e problemeve të lartpërmendura dhe duke luftuar për përballimin e shpejtë të tyre si “shërbëtorë të Krishtit dhe kujdestarë të mistereve të Perëndisë”
(1.Kor. 4, 1), deklarojmë prej kësaj selie të Kishës Parëfronëse dhe riafirmojmë:
a) Qëndrimin dhe detyrimin tonë të palëkundur për të siguruar unitetin e Kishës Orthodhokse në “besimin” e Etërve tanë, “që iu dha një herë shenjtorëve” (Juda 3), në po atë Eukaristi Hyjnore të përbashkët dhe në zbatimin me besnikëri të sistemit kanonik të drejtimit të Kishës nëpërmjet zgjidhjes me shpirt dashurie dhe paqeje të problemeve që lindin në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin.
b) Vullnetin tonë për shërimin sa më të shpejtë të çdo anomalie kanonike, që është pasojë e kushteve të caktuara historike dhe nevojave pimantike, si në rastin e të ashtuquajturës Diaspora Orthodhokse, për të kapërcyer përfundimisht çdo ndikim të mundshëm që është i huaj për eklesiologjinë orthodhokse. Në këtë drejtim, përshëndesim propozimin e Patrikanës Ekumenike për të thirrur për këtë problem, ashtu si edhe për vazhdimin e përgatitjeve të Sinodit të Madh të Shenjtë, Konferenca Mbarorthodhokse brenda vitit të ardhshëm 2009, në të cilat, sipas rendit dhe praktikës para Konferencës Mbarorthodhokse të Rodit, do të ftojë të gjitha Kishat Autoqefale.
c) Dëshirën tonë që, me gjithë vështirësitë që mund të hasim, të vazhdojmë dialogun teologjik me të krishterët e tjerë, por edhe dialogun ndërfetar, sidomos me Judaizmin dhe Islamin, përderisa dialogu përbën të vetmen mënyrë zgjidhjeje të mosmarrëveshjeve midis njerëzve, sidomos në një periudhë si kjo e sotmja, ku çdo lloj përçarjeje përmban edhe atë në emër të fesë, kërcënojnë paqen dhe unitetin midis njerëzve.
d) Mbështetjen tonë për nismat e Patrikanës Ekumenike, si edhe të Kishave të tjera Orthodhokse, për mbrojtjen e mjedisit natyror. Kriza e sotme ekologjike, e cila i atribuohet edhe shkaqeve shpirtërore e morale, e bën imperative detyrën e Kishës për të kontribuar në mbrojtjen e krijimit të Perëndisë prej pasojave të grykësisë njerëzore nëpërmjet mjeteve shpirtërore që ajo disponon. Në këtë drejtim, riafirmojmë caktimin e 1 Shtatorit, ditës së parë të vitit kishtar, si dita e lutjes së veçantë për mbrojtjen e krijimit të Perëndisë dhe mbështesim futjen e çështjes së mbrojtjes së mjedisit në veprimtarinë katekiste, predikuese dhe në atë baritore në përgjithësi të Kishave tona, ashtu siç tashmë po ndodh në disa prej tyre.
e) Vendimin për të kryer veprimet e nevojshme për të krijuar një Komision Ndërorthodhoks për studimin e çështjeve të bioetikës, për të cilat bota pret pozicionimin e Orthodhoksisë.
Duke iu drejtuar si më lart popullit orthodhoks kudo ku ndodhet dhe botës mbarë, urojmë “përsëri dhe përsëri” që paqja, drejtësia dhe dashuria e Perëndisë të mbizotërojnë përfundimisht në jetën e njerëzve.
“Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Jisu Krishtit” (Efes. 3,20-21). Amin.
Konstandinopojë, 12 Tetor 2008.
+ Vartholomeu i Konstandinopojës
+ Theodhori i Aleksandrisë
+ Ignati i Antiokisë
+ Theofili i Jerusalemit
+ Aleksi i Moskës
+ Amfilohu i Malit të Zi
(përfaqësues i Kishës së Serbisë)
+ Laurenti i Transilvanisë
(përfaqësues i Kishës së Rumanisë)
+ Dometiani i Bidinit
(përfaqësues i Kishës së Bullgarisë)
+ Jerasimi i Zukdidit
(përfaqësues i Kishës së Gjeorgjisë)
+ Krisostomi i Qipros
+ Jeronimi i Athinës
+ Jeremia i Vrtslavit
(përfaqësues i Kishës së Polonisë)
+ Anastasi i Tiranës
+ Kristofori i Çekisë dhe Sllovakisë