“Fundi i vitit shkollor 2007-2008 rezultoi i suksesshëm
dhe përparimi i vërtetë i nxënësve ka qenë në jetën shpirtërore”

    Nxënësit dhe studentët, Bijtë e Dritës që nuk perëndon, përbëjnë në thelb ecjen përpara të Kishës sonë, duke punuar vazhdimisht për të qenë të parët në mësime, në moral dhe në ndjenjën e përpjekjes. Ata e dinë mirë se njeriu që u ka qëndruar më shumë pranë në përparimin e tyre e do shumë arsimin dhe dijen. Gjithmonë Kryepiskopi Anastas e ka parë të ardhmen e Kishës dhe të vendit në “sytë e tyre”, në perspektivën e dijes për Perëndinë dhe praninë me dinjitet në profesione të ndryshme të shoqërisë.

    Në të gjithë institucionet arsimore të Kishës Orthodhokse në Shqipëri është treguar kujdes i veçantë nga Kryepiskopi, i cili ka mundësuar mbulimin e të gjitha shpenzimeve, përfshirë edhe ato shkollore. Dhe në fund vijnë rezultatet, të cilat kurorëzojnë përpjekjet e përbashkëta, të mundimshme, por edhe me fryte të ëmbla.

    “Fundi i vitit shkollor 2007-2008 rezultoi i suksesshëm dhe përparimi i vërtetë i nxënësve ka qenë në jetën shpirtërore” – tha drejtori i Liceut Kishtar “Kryqi i nderuar” në Sukth të Durrësit, z. Anastas Dodbiba. Kjo shkollë konkludoi vitin e parë të jetës së saj dhe gëzimi nuk fshihet nga askush, as nga nxënësit dhe as nga stafi pedagogjik.

    Përparimi ka qenë i dukshëm dhe 37 nxënësit e klasës së parë dhe të dytë ndihen më të përgatitur në formimin edukativ dhe shpirtëror. Mjediset e  reja të kësaj shkolle janë nga më modernet, aq sa ishte i gjetur etiketimi nga një vizitor, se ky ambient i ngjan “një aristokracie të vërtetë angleze”. Megjithatë drejtuesit janë të kujdesshëm dhe modest, duke pretenduar se ka ende shumë punë përpara.

    62 nxënësit e Liceut tjetër Kishtar “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër, me përvojë 10-vjeçare mbyllën ciklin e studimeve me arritje të spikatura për të përgatitur kuadrot e rinj të Kishës dhe të shoqërisë. Nxënësit e vitit të fundit i kaluan me sukses “ethet” e provimeve të Maturës Shtetërore dhe tani presin tetorin për të ndjekur studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, ose studimet në universitetet brenda dhe jashtë vendit.

    Këtë vit, një pjesë e konsiderueshme e këtyre nxënësve, të cilët janë përgatitur edhe në jetën e tyre shpirtërore, duke mësuar disa lëndë fetare gjatë procesit mësimor, kanë pohuar për faqen zyrtare të Kishës (www.orthodoxalbania.org) se do të ndjekin studimet e tyre në Akademinë Teologjike.
 

    Arsimi kishtar dhe profesional në Mitropolinë e Gjirokastrës po njeh nga viti në vit një përparim të dukshëm. Në vitin e dytë të saj mbylli vitin mësimor edhe shkolla profesionale në Mesopotam të Sarandës, duke përgatitur në mënyrë dinjitoze 104 nxënës në degët: Informatikë, Instalime hidraulike, Instalime elektrike dhe Instalime frigoriferike, duke shërbyer si një fidanishte e të ardhmes së Kishës dhe të shoqërisë shqiptare. Mësuesit dhe pedagogët shqiptarë dhe të huaj dhanë eksperiencën e tyre në dijet shkencore, duke i njohur nxënësit edhe me elementët më bashkëkohorë të degëve përkatëse.

    Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” është dalluar edhe këtë vit si një nga shkollat më të mira 9-vjeçare në kryeqytet. Sipas drejtoreshës së saj, znj. Pauline Russell, këtë vit u përgatitën me metodat më bashkëkohore të mësimarrjes 172 nxënës, të cilët shkëlqyen edhe në Olimpiadat në rang qyteti, duke dalë ndër nxënësit më të mirë.

    Edhe në përgatitjen e aktiviteteve brenda dhe jashtë shkollës, nxënësit ishin protagonistët e vërtetë. Në dy veprimtaritë e fundit, festën e Abetares dhe mbylljen e vitit shkollor, ata mahnitën prindërit dhe mësuesit e tyre me nivelin e formimit dhe krijueshmërisë. Ditën e fundit të shkollës, nxënësit organizuan vetë një panair me produkte të ndryshme të bëra me dorën e tyre, të cilat i shkëmbyen me njëri-tjetri për të treguar aftësitë dhe bashkëpunimin e tyre.

    Gjatë vitit mësimor, rreth 25 mësuesit e kësaj shkolle u trajnuan me metodat më bashkëkohore perëndimore në fushën e mësimdhënies. Vitin e ardhshëm, Kryepiskopi Anastas ka menduar një tjetër dhuratë për këtë shkollë, mjediset e reja dhe moderne që janë në proces ndërtimi te Rruga e Kavajës.

    Edhe shkolla fillore shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, në Durrës, përfundoi vitin shkollor me përparime në fushën e dijes për 44 nxënësit e tre klasave të para të saj. Sipas drejtorit të shkollës, z. Kristaq Mile, pati një nivel të lartë në rezultate nga ana e nxënësve, duke u dalluar si një ndër shkollat më të mira në Durrës, bashkë edhe me  ambientet komode dhe bazën materiale e didaktike moderne.

    Instituti i Formimit Profesional “Fryma e Dashurisë” me qendër në Tiranë dhe filialin në qendrën “Emaus”, në Gjirokastër, përfunduan vitin akademik 2007-2008 me standarde të larta kualifikuese. 250 studentët e degëve: Kuadër Menaxher, Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Informatikë, Specialist në Laboratorët Mjekësorë, Restaurim dhe Konservim veprash arti, si edhe Ikonografi Bizantine, në Tiranë, përvetësuan me sukses programin mësimor.

    Edhe në Institutin tjetër që ndodhet në qendrën “Emaus”, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës përfunduan studimet e këtij viti akademik 100 studentë të viteve të para dhe të dyta në degët: Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Administrim Ndërmarrjesh, Specialist i Enteve Turistike dhe Informatikë e Zbatuar. Përveç lëndëve teorike, studentët ndoqën edhe praktikat mësimore, për të qenë të aftë dhe konkurrues në tregun e punës në përfundim të studimeve dyvjeçare.

    Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme së bashku me institutet profesionale të Kishës shërbejnë si laboratorë të ringjalljes shpirtërore dhe morale të shoqërisë sonë dhe përgatitjes cilësore në profesionet e jetës. Organizimi shumë i mirë për mbylljen me sukses të vitit të ri shkollor, me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, tregon vlerësimin e madh që i jepet formimit të një brezi të ri me dije e kulturë për të ardhmen e Kishës dhe vendit.

 

 

Isidor Koti