Hirësisë së Tij, Episkopit Nikon
Arqidioqeza Shqiptare, SHBA
 
 
           Shumë i dashur vëlla më Krishtin
          Hirësia Juaj Nikon,
 
    Ishte një kënaqësi e veçantë të isha i pranishëm me ju, Hirësinë e Tij Episkopin Ilia të Filomilit dhe shumë të nderuarin Atë Arturin, së bashku me komunitetin shqiptar, 9 marsin e shkuar, për nisjen e kremtimeve të 100-vjetorit të hierapostolisë shqiptare në Amerikën e Veriut. U pa shumë e përshtatshme që ne nisëm këto celebrime në të Dielën e Faljes, në fillim të Kreshmëve të Mëdha, si një shenjë e pajtimit Hyjnor tek i cili na thërret Zoti ynë të gjithëve. Ju falënderoj për mikpritjen që më treguat.
 
    Ky vit shënon një rast shumë domethënës për Arqidioqezën Shqiptare të Amerikës. Duke përballuar shumë sprova dhe beteja në fillim të shekullit të kaluar, prifti i ri Theofan Stilian Noli, që më pas u bë një hierark me talente dhe dhuratë të shumëllojshme, ofroi lidershipin e nevojshëm dhe të përshtatshëm për të krijuar enorinë e parë shqiptare në Amerikë. Kjo enori e Bostonit u bë një shtysë për një arqidioqezë të gjerë.
 
   Episkopi Theofan, nuk e kufizoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Orthodhoksët e Amerikës, por krijimtaria e tij, aftësitë intelektuale dhe të gjithanshme ndikuan fuqishëm shqiptarët Orthodhoksë në atdheun e tij. Ai ishte personalitet që jetonte me shqetësimet e kohës, shumë i ndjeshëm për problemet botërore, për drejtësi shoqërore, me interes të madh për njerëzit në nevojë: një person dinamik, me horizont të gjerë, ide krijuese dhe nisma të guximshme, për përparimin e popullit.
 
   Si Orthodhoksë, ne kujtojmë paraardhësit jo vetëm historikisht, por nënkuptojmë se me Perëndinë, ata janë të pranishëm në kungim me ne edhe tani, në këtë çast. Kështu, është radha jonë të ushqejmë dhe përcjellim këtë njohje dhe thesar besimi te gjeneratat e reja të besimtarëve. Në këtë rast të mbarë, dëshira dhe lutja ime baritore është për Perëndinë tonë Triadike.
 
    Që të udhëheqë dhe të drejtojë shqiptarët Orthodhoksë të Amerikës drejt unitetit dhe dashurisë, që të prosperojnë e shtohen me shumë besim dhe dëshminë e përbashkët në mjedisin që i rrethon.
   
    Me dashuri të thellë më Krishtin, 
        
        + Anastasi
        Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë  
Tiranë, 17 Shtator 2008.