– Më jep dritë, o Zot! –
 
Më jep dritë, o Zot, dritë,
Ku duhet të shkoj,
Dritë, o Zot, dritë,
Ku të të kërkoj!
    Kjo ishte thirrja që studentët e Qendrës Studentore të Kishës Orthodhokse i drejtuan Zotit në takimin e ditës së martë, më 16 dhjetor 2008. Ky ishte takimi i fundit për vitin 2008, takimi i cili i përgatiti të gjithë për pritjen e madhe të ardhjes së Shpëtimtarit. Më shumë se 70 të rinj mbushën sallën ku u zhvillua takimi festiv me rastin e Krishtlindjes. Gjithçka në Qendër tregonte se kjo e kremte e madhe sjell harmoni dhe bukuri në jetë. Të gjitha zbukurimet tregonin në heshtje se në botë po vjen Drita që i ka munguar aq shumë njerëzimit, Drita që do të na tregojë rrugën ku duhet të ecim në jetë, drita që do të ndriçojë tërë skutat e zemrës sonë dhe do ta mbushë plot gëzim dhe shpresë jetën tonë.
    Vetëm nëpërmjet kësaj Drite, mund të bëhemi bijtë e dritës dhe të ndriçojmë kudo që jemi, gjë të cilën përpiqemi të mësojmë çdo herë në aktivitetet që organizon Qendra Studentore.
    Fillimisht studentët shkruan emrat e tyre dhe i vendosën në pemën e Krishtlindjes, gjë e cila na tregoi edhe një herë që jemi të gjithë anëtarë të Trupit të Krishtit dhe vetëm të bashkuar me Të dhe me njëri-tjetrin, mund të jetojmë një jetë me kuptim dhe plot gëzim.
    Takimin e hapi përgjegjësi i Qendrës Studentore, z. Nathan Hoppe, i cili shpjegoi me detaje historinë e lindjes së Krishtit, dhe i ftoi të gjithë të përpiqen të gjejnë veten në personazhet e kësaj historie.
    “Ai po vjen të lindet në hanin tonë, ashtu si lindi para 2008 vjetësh në hanin e Betlehemit. Ne nuk duhet t’i themi Atij, ik se nuk kemi vend në han. Por me gjithë zemër le të hapim hanin e zemrës sonë, dhe le t’i themi eja Jisu të lindësh në hanin e zemrës sime, eja të qëndrosh me mua”.
    Takimi vijoi me një meditim Krishtlindjeje ku të gjithë studentët në shoqërinë e dritës së qirinjve reflektuan më tepër në kuptimin e kësaj të kremteje. Meditimi përbëhej nga lexime të ndryshme të shoqëruara me këngë Krishtlindjesh.
    Secili mësoi që kjo e kremte është një rikrijim i dytë e gjithë gjindjes së njerëzve, sepse ardhja në botë e Shpëtimtarit, do të  thotë ribashkim me jetën e përjetshme me Zotin. Në meditim u theksua që të gjitha zbukurimet e jashtme janë shprehje e gëzimit të brendshëm që sjell lindja e Shpëtimtarit tonë. Në mes të dimrit të acartë të jetës pa shpresë, vjen Drita që ndriçon errësirën dhe rigjallëron tërë krijesën.
E Pastër është nata e sotme,
në të cilën u shfaq i PASTËRTI,
 i cili erdhi të na pastrojë!
Le të pastrohet dëgjimi ynë,
le të dlirësohet shikimi i syve tanë,
le të shenjtërohen ndjenjat e zemrës sonë
dhe le të jetë e sinqertë e folura jonë!
Nata e sotme është nata e pajtimit,
prandaj askush le të mos jetë i zemëruar
dhe askush të mos ofendojë vëllain e tij!
Kjo natë i dha paqe gjithë botës,
prandaj askush të mos kërcënojë!
Kjo është nata më e butë,
 askush të mos jetë zemërgur!
Kjo është nata e të Përulurit,
askush të mos jetë krenar!
Tani është dita e gëzimit,
le të mos hakmerremi për ofendimet!
Tani është dita e mirëdashjes,
le të mos bëhemi të ashpër!
Në këtë ditë të qetësisë,
le të mos shqetësohemi nga zemërimi!
Sot Perëndia erdhi mes mëkatarëve,
le të mos lartësojnë veten të drejtët mbi mëkatarët!
Sot Më i Pasuri u bë i varfër për hirin tonë,
le të ftoj njeriu i pasur të varfrin në tryezën e tij!
Sot morëm një dhuratë të cilën nuk e kërkuam,
le t’u japim lëmoshë atyre që thërrasin pas nesh dhe lypin!
Dita e sotme ka hapur derën e qiellit për lutjet tona,
edhe ne le t’u hapim derën tonë atyre që na kërkojnë falje!
Sot Hyjnia mori mbi Vete vulën e njerëzimit,
dhe njerëzimi u zbukurua me vulën e Hyjnisë!
 
    Pas meditimit të gjithë ne i dërguam nga një kartolinë Krishtit në grazhd ku i premtuam dhuratën që do t’i bënim Atij këtë vit. Shumë prej nesh premtuam që zemra jonë do të bëhet vend banese për Të, të tjerë premtuan që lotët e tyre të pendimit do të lajnë Krishtin foshnje, disa të tjerë premtuan që të gjithë dashurinë e zemrës së tyre do ta ofrojnë për foshnjën hyjnore dhe për të tjerët etj.
    Sipas traditës festive, një studente e veshur si shën Nikolla, ndau për të gjithë studentët dhurata, në kujtim të dhuratës së madhe që Perëndia bëri për mbarë njerëzimin, Birin e tij të Vetëmlindur.
    Duke kënduar së bashku: “Më jep dritë o Zot, më jep dritë” dhe “Dashuri që të psalin qiejt, eja të lindësh brenda zemrës sime”,  u mbyll ky takim frymëzues me rastin e Krishtlindjeve, me urimet Krishtlindje të bekuara dhe sa më shumë dritë në jetën tonë!
Ana Baba

Qendra Studentore