Atmosfera e Pashkës filloi të ndihej me intensivisht që nga e Diela e Dafinave, ditë e cila shënon mbylljen e periudhës së Kreshmës së Madhe dhe fillimin e Javës së Madhe të pësimeve shpëtimtare.

    Kjo atmosferë në qytetin e Korçës shprehej jo vetëm në zbukurimin e objekteve të kultit, por edhe në intensitetin e lutjeve dhe shërbesave kishtare, por edhe banderolat me urime paskale në rrugët e qytetit demonstronin një klimë festive. Shërbesat kishtare u zhvilluan në të gjitha kishat e qytetit dhe u ndoqën nga besimtarë të shumtë. Shërbesa e Dhëndrit mblodhi shumë njerëz në të gjitha kishat. Në njërën prej këtyre shërbesave Imzot Joani duke folur mbi kuptimin e këtyre ditëve tha:

 

    “Të dashur motra e vëllezër më Krishtin ne do të flasim pak për Javën e Madhe, e cila është java që jep në mënyrë më të përqendruar misterin e shpëtimit dhe tërë veprën shpëtimtare të Krishtit. Ajo na e bën më të qartë për të depërtuar më thellë këtij misteri.

 

    Ne në çdo të diel dhe në çdo pjesë të Ungjillit përmendim fjalën sot. Sot Krishti paraqitet para Pilatit, sot Krishti bëri këtë… Është pikërisht fuqia liturgjike e Kishës për ta sjellë ngjarjen e kaluar në të tashmen. Feja e kapërcen historinë nëpërmjet një përjetimi total ne mund ta rijetojmë edhe njëherë atë ngjarje që ka ndodhur 2000 vjet më parë. Çdo vepër dhe çdo fjalë e Krishtit është e përjetshme.

 

    Tre ditët e para të Javës së Madhe përbëjnë në vetvete një njësi të veçantë liturgjike. Aty ne shohim që në Shërbesën e Dhëndrit, tema kryesore është pikërisht tragjedia e mëkatit dhe dashuria e pafund e Perëndisë ndaj njeriut. Gjatë kësaj ne dëgjojmë debatin e madh të Krishtit me farisenjtë.

    Le të ndalemi pak dhe të shikojmë se përse Krishti debaton me farisenjtë. Çdo takim me Krishtin i ndan në përgjithësi njerëzit në dy pjesë. Sa herë që Krishti vjen do të ndodhë kjo ndarje. Në kohën që ai predikonte ndarja ndodhte më lehtë, njerëzit gjithmonë merrnin një pozicionim ose do të besonin në fjalët dhe mrekullitë që bënte Krishti ose do ta kundërshtonin Atë.

 

    Kjo ngjarje ka vazhduar për 2000 vjet. Krishti bën një paralajmërim të madh për të gjithë brezat, duke iu drejtuar farisenjve, Ai na drejtohet të gjithëve ne aty kur ju thotë “Ju ngrini varret e profetëve, duke thënë që po të kishim jetuar ne në atë kohë nuk do ta kishim vrarë”. Të njëjtën gjë themi edhe neve sot.

    Duke lexuar Ungjillin shumë njerëz thonë, po të kishim qenë ne në kohën e Krishtit nuk do të rreshtoheshim me judenjtë. Në fakt kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, gjithsekush që i kundërvihet drejtësisë, gjithsekush që i kundërvihet çdo gjëje të mirë i është kundërvënë Krishtit në pozicione të ndryshme të jetës. Çdo ditë na vjen në dorë që të marrim një vendim, sa herë që ndodhemi para një padrejtësie dhe heshtim, ne kemi heshtur ndaj kryqëzimit të Krishtit, nëse ndodhemi para një gjëje të keqe dhe prapë ne heshtim, nuk po themi kur marrim pjesë edhe vetë, por edhe me heshtjen ne kemi heshtur ashtu siç heshti një pjesë e madhe e popullit dhe nuk foli kundër asaj padrejtësie.

    Gjatë kësaj jave akoma dhe më shumë Zoti na fton që të jemi nga e djathta e Tij, gjatë kësaj jave Perëndia na fton që të jemi më seriozë në veprimet që ne bëjmë. Ne do ta shikojmë gjatë këtyre tre ditëve fuqinë e madhe të Ferrit, do të shohim sesi zemërimi kishte lindur kundër njeriut të drejtë. Farisenjtë, të cilët e kishin kundërshtuar vazhdimisht Krishtin, gjatë këtyre ditëve që i bien ditët para pësimit të Krishtit dalin haptas kundër Tij. Ne do të shohim tërë tragjedinë e madhe të mëkatit njerëzor do të shikojmë tërë vrerin e Ferrit dhe ky vrer vazhdon akoma edhe sot. Tragjedia që ndodhi me Birin e Perëndisë vazhdon vazhdimisht, sa herë që bëhet padrejtësi, sa herë që në zemrat tona lind urrejtje, shpifje të mos flasim pastaj për mëkate akoma më të mëdha për vrasje dhe gjëra të tjera, por qoftë dhe mëkate të vogla të gjithë ne jemi që ngrihemi kundër Birit të Perëndisë.

    Çdo gjë e padrejtë që bëjmë ne në jetë në jetën tonë personale ose pak më gjerë është një gozhdë që shtohet në Kryqin e Krishtit. Edhe po të mundohemi të jemi indiferentë nuk mund të jemi dot, në çdo hap të jetës tonë, ne do të marrim një anë ose do të jemi nga e djathta ose do të jemi nga e majta. Konflikti dhe debati i madh që kishte Krishti me farisenjtë, është diçka që flet më tepër për ne sot, sidomos për ne që vijmë më tepër në Kishë. Sa herë që në zemrat tona ndizet urrejtja, po e përsëris është një gozhdë që ngulet përsëri në Kryqin e Krishtit. Nuk ka rëndësi se sa herë ne vijmë në Kishë, nuk ka rëndësi se sa orë harxhojmë ne në Kishë, rëndësi ka sesa këto orë i kanë shërbyer zemrës sonë, rëndësi ka sesa këto shërbesa e kanë zbutur zemrën tonë dhe e kanë afruar më afër Perëndisë.

    Në përgjithësi e gjithë Java e Madhe në kishë ndjehet me një ngjyrim pak më të përzishëm, për të treguar që ai realitet i vdekjes vazhdon vazhdimisht. Nëse njeriu i parë mëkatoi dhe vdiq, vdekja prej asaj dite mbretëron mbi dhe, kudo që të hedhësh sytë do të shikosh atë, kudo që të hedhësh sytë mëkati ka ngritur fronin e tij, pikërisht dhe kjo veshje e zezë që është në Kishë, është për të kujtuar çdonjërin nga ne për realitetin e mëkatit. Ai që harrohet më shumë nga të gjithë është mëkati dhe sidomos harrimi më i madh është kur të gjithë e bëjnë mëkatin, aq sa kur mëkati bëhet nga të gjithë – ka thënë një njeri i madh – pushon së qënuri mëkat, por mëkati mbetet mëkat. Nëse ne do të jemi vrasës nuk do të thotë se mëkati i vrasjes nuk është gjë, nëse të gjithë ne bëhemi të shthurur nuk do të thotë se mëkati i shthurjes mbaroi. Nëse bëhet nga të gjithë mëkati mbetet përsëri mëkat, por krijohet përshtypja sikur ai nuk është më, dhe kjo shpeshherë është një nga plagët më të mëdha që kap njerëzimin. Kur mëkati shtohet dhe bëhet një praktikë e të gjithëve dhe të gjithë ambientohen me të dhe harrojnë fuqinë tragjike të mëkatit.

    Ditët e para të Javës së Madhe na e sjellin parasysh ne më shumë se kurdoherë tragjedinë e mëkatit, megjithatë kjo zi e Kishës nuk është njësoj si e atyre që nuk kanë shpresë. Tragjedia e mëkatit gjithmonë shoqërohet me dashurinë e madhe të Perëndisë dhe fjalën finale për çdo gjë prapë e ka Perëndia. Pamja e mëkatit nuk është një pamje e pashpresë, por është diçka për të na bërë ne më realë për të na treguar që e keqja ekziston realisht, sado kjo fjalë t’iu duket e thjeshtë, njerëzit shpeshherë nuk e kuptojnë shpirtërisht ose mendërisht, sepse po të bëhen të ndjeshëm për praninë e mëkatit do të bëhen të ndjeshëm edhe për shpëtimin prej tij.

    Gjithë vuajtjet dhe pësimet e Krishtit, nuk janë pësimet e një heroi tragjik, por është pësimi që Perëndia e kthen në shpëtim. Ndonëse njerëzit e kryqëzuan dhe kur them njerëzit gjithsecili prej nesh vuri dorë në kryqëzim, prapë Kryqi u kthye në një instrument tjetër. Ajo gjë që ne mundohemi ta sjellim për keq Perëndia e sjell për mirë. Çdo vuajtje që vjen në jetën tonë dhe ne e shohim si dënim, shpeshherë nuk është dënim, por është ndihmesë për të kuptuar më thellë jetën. Jo vetëm fetarët, por edhe filozofët e ndryshëm kanë thënë që nuk mund të ketë dot një kapërcim, nuk mund të ketë dot një trashendencë mendore pa një lloj vuajtje. Vuajtjet shpeshherë e çajnë atë kore që mbulon shpirtin që nuk arrin të kuptojë dot tragjedinë e madhe të mëkatit dhe shpëtimin e madh të Perëndisë.

    Nëse do të afrohemi dhe do të shijojmë pak nga misteri i Zotit atëherë do të kuptojmë se çfarë thesari humbim ne duke mos e shijuar atë. Dëshirat shpirtërore nuk janë si dëshirat trupore, sa më tepër që e shijon aq më tepër i uritur je, nuk janë si dëshirat trupore që pasi ha diçka velesh. Me Zotin nuk velesh kurrë. Sa më tepër ta shijosh aq më tepër do të ndizet dëshira për ta shijuar më tepër, prandaj le të mundohemi që gjatë kësaj jave të shijojmë diçka nga ajo që na ofron Kisha nëpërmjet shërbesave të saj, atëherë shpirti ynë do të gjejë paqe, do të mbushet me dhembshuri dhe do të arrijmë të kuptojmë gjëra që më parë nuk i kishim kuptuar. Le ti lutemi përsëri Perëndisë që ti japë këtij vendi dhe gjithë vendeve rrotull nesh një paqe, pajtim edhe harmoni. Amin.”

    Më intensive pjesëmarrja u bë të Mërkurën e Madhe në mbrëmje, ku siç është bërë tashmë traditë të gjithë besimtarët u mblodhën në katedralen e Burimit Jetëdhënës dhe ndoqën shërbesën e Efqelisë, e cila u celebrua nga Imzot Joani, kjo shërbesë monoklise u mbyll me vajosjen e shenjtë.

    Të Enjten e Madhe shërbesat vazhduan në të gjitha kishat. Ndërsa në orët e mbrëmjes, sipas tipikosë së ritualit të ditës Zoti i varur mbi Kryq u vendos në mes të kishës dhe ku dhjetëra mijëra njerëz u përgjunjën përpara të Kryqëzuarit.

     Ditën e të Enjtes në sheshin përpara katedrales u vendosën nga Bashkia Korçë dhjetë shtëpi prej druri dhe u zhvillua panairi tradicional i baltës, një traditë mjaft e vjetër në Korçë. Sipas legjendës kjo traditë është marrë nga ungjilli, ku me të hollat që Juda kthehu pas tradhtisë që i bëri Zotit u ble ara e shtëmbarit (paçebërësit) dhe këtë ditë sipas traditës të gjithë blenë artikuj balte, si kujtim i kësaj ngjarjeje.

    Dita e Premte në mëngjes filloi me Shërbesën e Zbritjes së Zotit nga Kryqi. Menjëherë pas këtij momenti tingujt e kambanave filluan të përshkojnë vajtueshëm qytetin. Përsëri mijëra njerëz u falën përpara Epitafit të Zotit. Zhvillimet e kësaj dite mbartin me vete edhe një traditë e cila nuk dihet kur dhe si i ka fillesat. Të gjithë shkojnë dhe përshëndoshin Epitafin në të gjitha kishat në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për sakrificën sublime që Zoti bëri për njerëzimin. Kjo traditë bën që në rrugët e qytetit njerëzit të mos rreshtin gjatë gjithë ditës, ndonëse në tonet e natyrshme vajtuese. Mbasditja e së Premtes mblodhi përsëri besimtarët në kishat e enorive të tyre, ku pas Vajtimeve të Përmbivarrshme në orën 18:45 u bë takimi i pesë epitafëve të të gjitha kishave. Më pas procesioni vazhdoi, banda e qytetit shoqëronte epitafët me marshe funebër dhe nën melodinë e stancës së tretë të vajtimeve “Gjithë gjeneratat…”. Procesioni u ndoq nga mijëra njerëz, të cilët shoqëronin nga pas kortezhin përgjatë lëvizjes së tij në unazën e vogël të qytetit. Kështu duke u kthyer përsëri në kishat përkatëse u mbyll kjo ditë vajtimi dhe gëzimi, ku Ngjallja kalon nga Kryqi dhe jeta nga vdekja.

    Kulmi i festimeve arriti natyrshëm në mesnatën e së Shtunës. Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joani shpalli lajmin e gëzuar dhe triumfal të Ngjalljes dhe tha në  urimin e tij: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekjen vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën  u fali”.

    “Ky himn i famshëm i Kishës shpall atë që ne kremtojmë me kaq ngazëllim – mundjen e vdekjes dhe dhuratën e jetës.

   Të gjithë e dimë këtë himn dhe të gjithë e këndojmë, por kur një gjë e përsërisim shpesh dhe nuk ndalemi në domethënien dhe nuk meditojmë rreth saj, ajo e humbet kuptimin. Nëse do të ndërgjegjësohemi për kuptimin e këtij tropari, nëse do të jemi të vetëdijshëm për çdo fjalë të tij, atëherë gëzimi ynë do të jetë i patreguar, ngazëllimi ynë do të jetë i parrëfyer dhe jeta jonë do të marrë kuptim, shpresë dhe gëzim.

    Qenia njerëzore është një bashkim i shpirtit dhe i trupit dhe vdekja është armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve, sepse pikërisht e godet njeriun në thelb të qenies së tij, duke ndarë shpirtin nga trupi dhe duke e shkatërruar kështu personin njerëzor. Çdo fuqi njerëzore është e pafuqishme para asaj. Askush nuk shpëton dot prej vdekjes dhe ajo është stacioni përfundimtar i të gjithëve.

    Parë në këtë perspektivë jeta do të ishte një trishtim dhe bota një vend dëshpërimi. Kështu do të ishte nëse nuk do të mundej vdekja. Kështu do të ishte nëse nuk do të ishte Zoti. Prandaj Pashka është jo vetëm ngjarja më e rëndësishme e historisë së krijimit, por edhe një ngazëllim i madh: sepse Zoti e mundi vdekjen dhe bëri të mundur rifitimin e integritetit njerëzor. Duke e mundur atë, Ai e hapi rrugën për të gjithë ne, që duke jetuar me Të në këtë jetë të përkohshme të fitojmë jetën pa mbarim. Prandaj ne këndojmë me gëzim për mundjen e vdekjes dhe ngjalljen e Zotit.”

    Fitorja e Zotit të ngjallur mbi vdekjen është fitore e cila i prek të gjithë pa përjashtim, sepse Zoti me ngjalljen e tij mundi vdekjen armikun e përbashkët të njerëzimit dhe na dha të gjithëve mundësinë të triumfojmë mbi vdekjen nëpërmjet tij.

    Ditën e diel në ora 10:00 sikundër është traditë u celebrua Mbrëmësorja e Dashurisë, e cila në Korçë është një shërbesë monoklise dhe kryhet gjithmonë në kishën e Burimit Jetëdhënës. Më pas nga ballkoni i Selisë së Mitropolisë së Shenjtë të Korçës Hirësia e Tij Mitropoliti Joan siç është traditë shpalli përsëri lajmin e Ngjalljes që nga korçarët njihet me emrin “Dhefteri Anastasi” Ngjallja e dytë. Kështu në vazhdim në Selinë e Mitropolisë u pritën vizita me rastin e Pashkës. Morën pjesë deputetë të zonës, pushtetarët lokale, njerëz të artit dhe kulturës, personalitete të botës akademike edhe qindra besimtarë, të cilët me urimin “Krishti u Ngjall”, morën dhe bekimet atërore të Mitropolitit Joan. Gjithçka ishte e mbushur me urimin “Krishti u Ngjall”!

 

 

Mihal Sonellari