Në të gjitha zonat e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, Pashka e Madhe ishte e mbushur me madhështinë e festës. Ngjarja më e rëndësishme në historinë njerëzore, Ngjallja e Krishtit, përshkroi mbarë komunitetin orthodhoks të kësaj zone.

    Klerikët dhe besimtarët më të vjetër në Kishë panë më shumë njerëz të rinj nëpër kisha, në një atmosferë të mbushur me llambadha dhe urime, të cilat vazhduan për një kohë të gjatë në kishat dhe sheshet e tyre, si në qytete ashtu edhe në fshatra. Në shumicën e enorive u kryen me devotshmëri shërbesat e Javës së Madhe dhe në veçanti Shërbesa e Ngjalljes.

    Në Gjirokastër, me gjithë programin e ngjeshur që kishte Mitropoliti, Imzot Dhimitri, të Dielën e Dafinave, të Enjten e Madhe dhe të Dielën e Ngjalljes, ai mori pjesë në kishën e “Kryeengjëjve Mihail dhe Gabriel” si edhe në Mbrëmësoren e Dashurisë ku së bashku me klerikë të tjerë lexoi Ungjillin në gjuhë të ndryshme të botës si: greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht, etj.

    Edhe këtë vit ra në sy ardhja e një numri të konsiderueshëm të emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi, të cilët i dhanë kësaj atmosfere më shumë gëzim në familje dhe ambiente të tjera. Pjesëmarrja e tyre me devocion në Shërbesën e Ngjalljes plotësoi gëzimin e kësaj të kremte. Puna shpirtërore u krye me dashuri dhe përkushtim. Në misterin e Kungatës Hyjnore morën pjesë besimtarë të shumtë, të rinj e të reja, fëmijë dhe të moshuar. Atmosfera e Ngjalljes mbushi shpirtin dhe zemrat e tyre kudo: në Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Përmet etj.

    Në të dyja gjuhët shqip dhe greqisht, që tradicionalisht fliten nga besimtarët në këtë Dioqezë, vendi u mbush me psalmet: “Krishti u Ngjall së vdekurish…” dhe “Hristos anesti ek nekron…”. Këto urime mbushën shpirtin e besimtarëve atë natë, por edhe në ditët në vazhdim. Vlen të theksohet se në këtë Mitropoli është një traditë e bukur në disa fshatra, kur shumë besimtarë gjatë gjithë javës së Pashkës ngjiten në kishat dhe manastiret e shumta me të cilat është e mbushur zona për të kryer lutje të veçanta drejtuar Krishtit, Tërëshenjtës Mari dhe shenjtorëve të Kishës sonë.

    

Atë Theodhori Nikolla