|
|
“Gëzuar Krishtlindjen!” Ky ishte refreni i një dite që për besimtarët e krishterë përbën jo vetëm një festë, por edhe reflektim shpirtëror në jetën e tyre. Ndonëse termometri regjistroi temperatura nën 0 gradë celsius, kjo nuk i ka penguar besimtarët orthodhoksë të kryeqytetit të shkonin në kishë për të adhuruar Krishtin e porsalindur. Urimet, lutjet, qirinjtë e ndezur në kishë e ngrohën shpirtin e tyre. |
|
Në fakt, atmosfera festive e Krishtlindjes nisi të ndihej që më parë, me përgatitjet për ta pritur sa më mirë Krishtin-Foshnje, pas një periudhe të gjatë përgatitore lutjeje dhe kreshmimi. Kremtimi i parë ishte ai të Dielën e Para-Krishtlindjes, pasditen e së cilës besimtarët të mbledhur në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari”, morën pjesë në Misterin e Efqelisë, atë të lyerjes me vaj të shenjtëruar. |
|
|
|
Në 24 dhjetor, herët në mëngjes, besimtarët morën pjesë në shërbesën e bukur të Orëve të Mëdha të Krishtlindjes, të mbushur me tropare dhe me lexime nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, që flasin për Lindjen e Krishtit, duke u pasuar më pas me shërbesën e Mbrëmësores dhe atë të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh. Mëngjesi i vigjiljes së Krishtlindjes nisi në orën 06.00. Kisha ishte tejmbushur me qindra besimtarë, të cilët ndoqën Liturgjinë Hyjnore të Joan Gojartit dhe më pas u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, gjë e cila kurorëzoi përgatitjen për kremtimin e kësaj feste. |
|
Gëzimi më i madh ka qenë për fëmijët dhe të rinjtë, numri i të cilëve këtë vit ishte më i lartë, duke ndarë me njëri-tjetrin gëzimin e festës. Një ditë, me kuptim dhe me motivin për të qenë pranë të gjithë njerëzve, pranë lutjeve dhe falënderimeve. Një ditë ku secili ka pasur një moment reflektimi mbi jetën e tij dhe besimin, por edhe një ditë urimesh dhe dhuratash. |
![]() |
![]() |
* * * Atmosfera e Krishtlindjes vijoi edhe në mjediset e Kryepiskopatës së Shenjtë, ku priteshin vizitat e urimit të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, personaliteteve të larta shtetërore, intelektualëve të shquar dhe shumë besimtarëve. Siç është bërë tashmë traditë, për urim erdhën përfaqësues të politikës, drejtues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj. |
|
“Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave edhe në situatat më të vështira. Kemi çfarë të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh. Uroj që Krishtlindja t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. Shëndet e mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë”! – uroi Presidenti i Republikës z. Bamir Topi.
|
![]() |
|
|
Më tej, Kryepiskopin Anastas e vizitoi dhe dha urimin e tij edhe Kryeministri i Republikës z. Sali Berisha. “Le të falënderojmë Zotin në këtë ditë të madhe për të gjitha këto mirësi që kombi pati gjatë këtij viti. Kjo është ditë mirëkuptimi dhe unë dua që të bëj apel për mirëkuptim në të gjitha aspektet” – uroi ai.
|
|
Kreu i opozitës, i Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, mori pjesë në këtë pritje dhe ndau me të pranishmit urimin e tij: “Uroj shpresë dhe mundësi të gjithëve atyre që janë të varfër e të papunë, në një Shqipëri që jeton ditë të vështira dhe ku kemi nevojë të gjithë për një besim të ri, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat.” |
![]() |
![]() |
Kryepiskopi Anastas shprehu gëzimin për vizitën e aktorëve kryesorë të politikës në vend, duke theksuar se “Krishti është bashkë me ne dhe të gjitha përpjekjet e dashurisë vijnë nga Ai.” |
|
* * * Atmosfera festive vazhdoi dhe mijëra besimtarë e qytetarë vinin në kishë për gjatë gjithë ditës e më pas vizitonin familjet e njëri-tjetrit, duke shprehur urimet e tyre dhe gëzimin e ardhjes së Krishtit në botë. |
![]() |
| Isidor Koti |





