Ndonëse e mbuluar nga dëbora dhe i ftohti, Gjirokastra i ka të gjitha ngjyrat e festave të fundvitit. Mes shumë urimeve dhe sloganeve të vendosura nëpër qytet me titullin “Gëzuar Krishtlindjet”, besimtarët orthodhoksë në Mitropolinë e Gjirokastrës e kremtuan ardhjen e Shpëtimtarit Jisu Krisht me lutje dhe gëzim, në një atmosferë të ndriçuar nga dritat e shumta të festës. Në të gjitha kishat e kësaj dioqeze, festa u përjetua me entuziazëm, si nga banorët e qytetit, por edhe nga emigrantët e shumtë që kishin ardhur për festat e fundvitit.
 
*   *   *
    Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, i ftoi besimtarët orthodhoksë gjirokastritë të merrnin pjesë në shërbesën e Liturgjisë Hyjnore që do të zhvillohej në kishën “Metamorfoza e Shpëtimtarit”, më 25 dhjetor, me qëllim që ata të ishin së bashku këtë të kremte. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët kishin ardhur për të marrë pjesë në shërbesat e ditës festive. Para besimtarëve orthodhoksë, pjesëmarrës në këtë Liturgji Hyjnore, u lexua mesazhi i Kryepiskopit Anastas, Krishtlindjet 2008.
 
    Atmosfera e festës vijoi për disa ditë, me takime të shumta, urime dhe përshëndetje mes klerikëve e besimtarëve, të cilët këto ditë të bekuara i festuan së bashku sipas traditës së shenjtë orthodhokse. Më 25 dhe 26 dhjetor, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, priti personalitete të qytetit si edhe besimtarë të shumtë në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë.
    Brenda kësaj periudhe festive u organizua edhe një aktivitet për të rinjtë, tashmë tradicional. Ditën e diel, më 28 dhjetor, pas Liturgjisë Hyjnore, u zhvillua takimi i përvitshëm, ku u mbajt edhe një temë rreth perspektivës së rinisë në ditët e sotme dhe si duhet të qëndrojnë të rinjtë në besim.
 
    Pas referatit, të rinjtë bënë komente dhe diskutime me Mitropolitin dhe të ftuarit, duke folur mbi çështjet më të rëndësishme të jetës shpirtërore dhe sociale. Në fund të këtij takimi u shtrua një drekë, ku pjesëmarrësit morën si bekim për festat edhe një dhuratë nga Mitropoliti.
                                                     
*   *   *
 
    Atmosferë festive përcolli edhe festa e Shën Vasilit të Madh, më 1 Janar, në kishën e Kryeëngjëjve, drejtuar nga Hirësi Dhimitri, ku merrnin pjesë edhe klerikë dhe besimtarë të shumtë të qytetit të Gjirokastrës.
 
    Në fund të Liturgjisë, Mitropoliti i ftoi besimtarët të merrnin pjesë në qendrën shpirtërore që ndodhet pranë kishës për ndarjen e kekut të Shën Vasilit. Pas këtij aktiviteti, i cili krijon një atmosferë shumë të gëzueshme, Mitropoliti Dhimitër së bashku me të rinj dhe të reja orthodhokse të qytetit shkuan në azilin e qytetit, për të shpërndarë dhurata për të moshuarit si edhe mesazhet e urimit. Ata u mirëpritën me shumë ngrohtësi dhe dashuri nga pjesëtarët e azilit, duke kaluar kështu së bashku momente festive dhe gëzimi.
 
    Vlen të theksohet se me iniciativën e rinisë orthodhokse, gjatë ditëve festive të Krishtlindjes, u shpërndanë ndihma dhe dhurata edhe për familjet e dëmtuara të pallatit që u shkatërrua para pak kohësh në një nga lagjet kryesore të qytetit të Gjirokastrës.
 
Isidor Koti