Edhe këtë vit, Perëndia ynë i sapolindur na bekoi, duke na mbledhur së bashku në këtë ngjarje mbarë botërore e cila ndryshoi botën. Atmosfera e Krishtlindjeve ndihej dhe u përjetua gjerësisht në Beratin e traditave të shumta. Zbukurimet, gatimet tradicionale, grupet e shumta rinore me yjet në duar, që disa ditë më përpara, sollën një atmosferë ngazëlluese të Krishtlindjeve. Kulmin kjo festë, si gjithmonë, e ka në të aguar të datës 25, në Liturgjinë Hyjnore. Sipas traditës shumëvjeçare, kjo Liturgji filloi në orën 06.00 të mëngjesit, në Kishën e Shën Spiridhonit.

    Qindra besimtarë ndoqën Liturgjinë e Krishtlindjes, të kryesuar nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe i gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Shumë besimtarë kurorëzuan përgatitjen e tyre për pritjen e Shpëtimtarit të botës me marrjen e Trupit dhe Gjakut të Jisu Krishtit, i Cili lindi në grazhdin e thjeshtë në Betlehem për të gjithë ne.
 
    Hirësi Ignati si çdo të kremte të madhe dha për të gjithë besimtarët në kishë një mesazh. Në këtë mesazh ngadhënjimtar të Krishtlindjeve, ndër të tjera ai tha:

    “Ngjarja më e madhe në historinë e botës është trupëzimi i Jisu Krishtit, që ndodhi brenda një heshtjeje të skajshme. Tetëqind vjet më parë profeti Isaia, i frymëzuar nga Perëndia, paralajmëroi se Shpëtimtari që do të lindte është: “Perëndia i gjithëfuqishëm, sunduesi, princi i paqes”.

    Kur, prej Virgjëreshës, “djalë u lind për ne” një shumicë ushtrie engjëllore, duke himnuar pa pushim madhështinë hyjnore, zbriti menjëherë në horizontin e Betlehemit, që të shpallë ç’është ky djalë i çuditshëm.

    Dhe një prej engjëjve vrapon tek barinjtë dhe i lajmëron se “lindi sot shpëtimtari, i cili është Zoti Krisht”. Shumicë ushtrish engjëllore, me ton të ngazëllueshëm dhe melodi engjëllore, shpallte se ky djalë është “paqe mbi dhé”; se u dërgua nga Ati i Tij qiellor që të vendos “paqe mbi dhé”. Krishti erdhi në botë që ndërmjet njerëzve të mbizotërojë paqja; por, përkundrazi, në vend që të bëhet realitet, nga ana jonë, qëllimi i ardhjes së Tij dhe kështu i gjithë njerëzimi të jetojë paqësisht; vërejmë të mbizotërojnë luftëra, kryengritje, grindje, ligësi, armiqësi, egoizma dhe lavdidashje të pangopura … A e pyetëm ndonjëherë veten, përse ndodhin rreth nesh të gjitha këto gjëra të pahijshme?

    Kjo pyetje gjithmonë do të ekzistojë tek ata që kërkojnë paqen jashtë Jisu Krishtit, i cili është “paqja jonë” (Efesianëve 2: 14) dhe jashtë vetes së tyre, e cila duhet të çlirohet nga mëkati, që e bën njeriun armik me Perëndinë, me veten e tij, dhe me të afërmin e tij. Paqja fillon nga pendimi dhe nga kthimi i zemrës sonë. Është një gjendje shpirtërore. Fryt i Shpirtit të Shenjtë. Është gjendje bashkekzistence vëllazërore dhe bashkëpunimi i të gjithë njerëzve me “thjeshtësi zemre”, siç përmendin Veprat e Apostujve (2: 46), e cila kultivohet dhe zhvillohet nga dashuria e Zotit Krisht.

    Por që të qetësohet njeriu duhet që të mundë pasionet e tij; dhe për këtë gjë nevojitet përpjekje e vazhdueshme për paqen dhe për shenjtërimin … Nevojitet shumë luftë shpirtërore që të largojmë nga zemra jonë urrejtjen, antipatinë, hakmarrjen, armiqësinë dhe të fronëzojmë brenda nesh paqen që ka Perëndia dhe që e transmeton tek të tijtë. Përsosmërinë e së cilës dhe të mirat “asnjë mëndje, as njerëzore as engjëllore, nuk mund ta kuptojë”. (Filipianëve 4: 7) … Paqja nuk mund të ekzistojë në të gjithë botën pa dhënësin e paqes që është “Perëndia i trupëzuar”, “Ai që uli qiejt dhe zbriti”, domethënë foshnja hyjnore e Betlehemit.
    Të gjitha këto fenomene, që takojmë përditë në shoqërinë ku jetojmë; marrëdhëniet e tendosura njerëzore, përplasjet në vendet e punës, mënjanimi nga fqinjët tanë të ngushtë, vëllezërit tanë, djemtë tanë, dallimet racore, armiqësitë ndërmjet popujve. Të gjitha këto kanë shkak kryesor largimin tonë nga Perëndia dhe nga ligji i Tij paqebërës.
    
    Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin.
    Le të jetë i nxehtë falënderimi jonë ndaj paqebërësit, Zotit tonë Jisu Krisht, që për shpëtimin tonë u bë njeri; dhe le të jetë një dëshirë dhe përpjekje e jona të jetojmë shpëtimin tonë dhe të bëhemi me të vërtetë “bij të Perëndisë”. Gëzimi, që vjen si rrjedhim tek ata që shijojnë çlirimin nëpërmjet pendimit dhe rrëfimit hyjnor, nuk përbën një dëshirë të paarritshme, por është për secilindo një realitet i prekshëm, një përjetim personal. Me të drejtë admirojmë dhe habitemi për këtë përulësi të skajshme të Zotit. A kemi nevojë për diçka tjetër? Përulësia jonë, gjendja e paqmë dhe thjeshtësia është rruga që duhet të përshkojmë për tek Zoti. Vetëm kështu do të ndjejmë tërë madhështinë dhe bukurinë e Krishtlindjeve. U bëftë!”
 
    Me këtë mesazh kaq frymëzues dhe me urimet Krishtlindje të bekuara, besimtarët u larguan nga kisha për të vazhduar festimin e kësaj feste kaq të madhe në shtëpitë e tyre, në vizitat tek njerëzit e afërm, traditë kjo e cila karakterizon këtë festë.
 
Joan Qako