|
Si në të gjitha Kishat Orthodhokse në mbarë botën, edhe në qytetin e Beratit u duk qartë madhështia dhe gëzimi që sjell festa e pashkëve, Ngjallja e Zotit Krisht, Perëndisë sonë. Pas një jave të gjatë pësimesh, vuajtjesh dhe trishtimi ja ku i erdhi radha gëzimit, lumturisë dhe ndriçimit me dritën e Ngjalljes. Djalli u mund sepse Zoti Krisht triumfoi mbi të, vdekja u shkatërrua sepse Zoti Krisht e shkeli atë duke hapur kështu dyert e parajsës dhe të pavdekësisë. |
|
|
|
Shërbesa e Ngjalljes dhe Liturgjia Hyjnore, në Berat u krye paralelisht në dy kisha historike, mesnatën e të dielës. Ishte Kisha e Shën Spiridhonit në lagjen Goricë ajo që priti besimtarët më të shumtë në numër, prezenca e mijëra njerëzve në këtë natë flet qartë se Ngjallja e Krishtit është epiqendra e besimit tonë dhe festa më e madhe e Kishës Orthodhokse. Po të dilje në hajatin e kishës dhe të hidhje sytë nga rrugica që është gati 200 metra, e cila të sjell në kishë, menjëherë do të asistoje me ndjesinë sikur përball kishe një lum të zjarrtë, i krijuar nga llambadhat e ndezura. |
|
Kisha e dytë në të cilën u kryen shërbesat e lartpërmendura ishte Katedralja Historike e Fjetjes së Shën Marisë në Kala, ku në hajatin e saj gjendet Muzeu Onufri. Këtu shërbesat u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignati. Në të dy kishat pas shpalljes së lajmit të Ngjalljes u lexua mesazhi i Pashkës drejtuar klerit dhe gjithë besimtarëve nga Imzot Ignati në të cilin ndër të tjera u theksua:
|
|
|
|
“Që të mund të ndjekim Krishtin tonë të ngjallur, që ta bëjmë tonin, na duhet një tjetër shikim dhe një zemër trime, të etur për pavdekësinë. Askush nuk mund t’i afrohet çudisë së pashprehur me fjalë të madhështisë së Perëndisë, të shikojë dritën e paafrueshme, me ndjenja të papastruara, me mendime të botës, me dyshime që e dëmtojnë frymën, kur rrënjosen brenda njeriut. Atëherë Ngjallja bëhet një festë e botës dhe jo një tronditje e thellë dhe e madhe e qenies. Prandaj dhe Shën Joan Damaskini, ky gjuhëperëndishëm, na thotë: “Me ndjenja të pastra do të shikojmë përballë nesh Krishtin të shkëlqejë në dritën e paafrueshme të Ngjalljes dhe kthjelltësisht do të dëgjojmë të na thotë “Gëzohuni” në momentin kur ne do të këndojmë këngë fitoreje”. |
|
Çfarë duhet të bëhet, që Ngjallja e Zotit Krisht të përjetohet nga njerëzit e epokës sonë? Për t’ia arritur këtij synimi, është e nevojshme t’i përvishemi të gjithë një përpjekjeje të programuar dhe të detajuar. Sa e ndiejmë veten tonë më afër Krishtit dhe Ungjillit, sa e kemi shijuar, në çfarëdo niveli, nektarin e së vërtetës dhe të jetës së krishterë, duhet të jemi një dëshmi e gjallë e frymës së Ngjalljes, e cila, siç thamë dhe më lart, është fryma bazë e optimizmit dhe e shpresës. Dhe, natyrisht, kundrejt Kishës qëndron, së pari edhe kryesisht, detyra e madhe, e cila është një detyrë e përgjithshme dhe e të gjithëve ne, e familjes, e shkollës, e shoqërisë, por edhe e secilitdo prej nesh.
|
|
|
|
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!Vetëm kur në zemrën dhe jetën e të krishterëve do të kthehet besimi ndaj Zotit dhe të vërtetës së Ungjillit, jo thjesht si teori, por si një praktikë dhe përjetim, vetëm atëherë Ngjallja e Zotit do të ushtrojë një ndikim bamirës tek jeta e botës. Atëherë do të kapërcehet frika e vdekjes, do t’i shmanget njeriu asfiksisë së mohimit të çdo vlere, do të tregohet hero dhe do të bëhet krijues i një bote më të mirë, i botës së gëzimit të Ngjalljes!
Krishti u Ngjall!
|
|
Kjo natë e paharruar u mbyll si gjithmonë me dhënien e Kungatës Hyjnore për të gjithë shpresëtarët dhe besnikët e Zotit Krisht. Emocionet e Pashkës vazhduan të përjetoheshin dhe të nesërmen në Mbrëmësoren e Dashurisë, e cila u krye në kishën e Shën Spiridhonit të dielën në orën 10. Të veçantat e kësaj shërbese ishin: Temjanisja e popullit nga kryebariu i tyre i paraprirë nga shumë fëmijë me llambadha të ndezura në duar si dhe Leximi i Ungjillit të ditës në 8 gjuhë të ndryshme. |
|
|
Pas kësaj shërbese vijuan urimet e zakonshme paskale në ambientet e Mitropolisë së Hirshme, ku për të uruar erdhën gjithë përfaqësuesit e institucioneve lokale, partive politike, përfaqësuesit e Kishës Romano-Katholike e Komunitetit Mysliman si dhe besimtarë të shumtë. Krishti u Ngjall!
|
|
|
Joan Qako |
|






