|
Në fillim askush nuk e mendonte se në një vend të braktisur do të dëgjoheshin hapa njerëzish dhe mbi të gjitha zëra rinorë. Me besim dhe shpresë, dëshira për ndryshim gjeti terren. Kanë kaluar katër vjet që mrekullia në sytë e të gjithëve tashmë e ka një identitet. Është dora e Zotit që vepron dhe janë fëmijët e të rinjtë më shumë se kushdo tjetër, të cilët e përjetojnë besimin dhe shpresën në një ambient mahnitës, pikërisht në kampin veror të Manastirit të Shën Gjergjit, pranë Sarandës.
|
Ndonëse në ditë të nxehta vere, freskia e pemëve dhe gjelbërimi rrotull Manastirit të çlodhnin shpirtin. Lutjet dhe shërbesat në kishë të kridhnin në meditim, qoftë edhe një vështrim në thellësitë e gurëve që flasin për shekujt dhe njerëzit. Aty merr rrugë tradita dhe rëndësia e jetës pranë Perëndisë.
|
|
|
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe mbështetjen e Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, kampi rinor në Manastirin e Shën Gjergjit u organizua këtë vit në datat 11-19 korrik, duke ndjekur programin tradicional, në vazhdimësi të të gjitha kampeve që organizohen nga Kisha jonë në mbarë vendin.
|
Por sigurisht nuk mund të mungonin edhe risitë, të cilat fillojnë që nga emrat e rinj të pjesëmarrësve e deri te pagëzimet, si një moment kulmor i ditëve të kampit, ku shumë prej katikumenëve u bënë anëtarë të Kishës së Krishtit.
|
|
|
Kampet verore me të rinjtë në Mitropolinë e Gjirokastrës janë kthyer në një ngjarje të spikatur dhe një ndër përfitimet më të rëndësishme është mësimi i Fjalës së Zotit. Sivjet tema kryesore e kampit ishte: “Ka shpresë”, duke iu referuar Shkrimit të Shenjtë (Rom. 15:12) dhe u realizua nga bashkëpunimi i Zyrës së Rinisë me Zyrën e Katekizmit.
|
Kampi përbëhej nga nxënës të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe nxënës të shkollës së mesme profesionale “Frymë Dashurie” në Mesopotam, si dhe të rinj të ardhur nga zona të ndryshme të Mitropolisë. Dita e kampit niste me shërbesën e Mëngjesores dhe më pas të rinjtë zhvillonin një bisedë shpirtërore, duke folur secili grup për shenjtin e grupit të tyre.
|
|
|
Kishte histori interesante për jetë shenjtorësh si Shën Gjergji, Shën Harallambi, Shën Dhimitri, me qëllim që të njiheshin me veprimtarinë e tyre dhe pse jo më vonë t’i imitojnë në jetën e tyre shpirtërore.
|
Programi ishte i pasur me aktivitete të ndryshme sportive, kohë argëtimi, plazh në ujërat e detit Jon dhe konkurse në fushat e ndryshme të dijes. Kampi i Kishës sonë është një moment shumë i rëndësishëm në jetën e të rinjve, sepse ata edhe argëtohen, por edhe marrin mësime të vyera që do të shërbejnë shumë në jetën e tyre. Kujtimet e këtij kampi u fiksuan në celuloid, por më shumë në zemrat e pjesëmarrësve, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre me kujtimet më të bukura nga ky aktivitet brilant.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Isidor Koti
|