Emocione dhe gëzim në kampin e fundit veror për këtë vit
Rreth 100 të rinj nga e gjithë Shqipëria morën pjesë në kampin e tretë dhe të fundit të djemve për këtë vit në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Zvërnec të Vlorës, në periudhën 26 korrik-6 gusht 2008. Ashtu si në dy kampet e mëparshme, edhe në këtë kamping tema ishte “Ka shpresë”. Një pjesë e të rinjve kishin njohuri rreth besimit të krishterë orthodhoks, ndërsa pjesa tjetër ishte e painformuar. Me besimin e vërtetë se një ditë ata do të jenë apostuj të Krishtit drejtuesit e kampit u angazhuan të zhvillonin mësime intensive katekizmi, duke ofruar më shumë dashuri për njëri-tjetrin, ashtu si Zoti tregoi për ne.
|
|
Sigurisht, edhe në këtë kamp nuk do të mungonin lojërat dhe aktivitetet kulturore, por në mes të këtij gëzimi kishte edhe nga ata që nuk ishin bërë akoma anëtarë të Kishës, ende nuk ishin të pagëzuar. Bisedat shpirtërore i ndihmuan vëllezërit më Krishtin të njiheshin më shumë me Perëndinë. Të rinjtë filluan të ishin shumë të zellshëm, duke kërkuar të dinin sa më shumë për besimin dhe kjo vihej re në pyetjet e tyre të shumta. Por dhe lutja që ata bënin së bashku në Kishë ishte një e veçantë tjetër dhe një emocion i papërshkrueshëm që e karakterizoi këtë kamp .
|
|
Traditë e këtij kampi është edhe ekskursioni. U mendua se në një vend të veçantë si nga pozicioni ku ndodhej, por dhe nga bukuria natyrore që e rrethonte, do të ishte manastiri i Shën Theodhorit në Dhërmi. Të rinjtë shkuan aty për ta parë nga afër këtë vend të shenjtë dhe për të kryer shërbesën e Paraklisit të së Tërëshenjtës Mari. Më pas, ata shijuan bregdetin e bukur të Jalës. Ditët e fundit do të ishin më të bukura dhe më të bekuara sepse si çdo herë me fjalën e tij të ngrohtë, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati do të ishte përsëri pranë nesh.
|
|
Pas kryerjes së Liturgjisë Hyjnore, Hirësia mbajti një fjalim në prani të të gjithë kampistëve, duke folur me fjalë të thjeshta, por me një kuptim të madh. Pas predikimit, Hirësi Ignati drejtoi misterin e pagëzimit ku 17 të rinj u bënë pjesë e Kishës sonë të Krishtit. Ndihmë shpirtërore për këtë kamp dha edhe At Justini, i cili me punën e tij të palodhshme dhe këshillat e vyera bëri të mundur që shumë të rinj të kryenin misterin e Pendim-Rrëfimit.
|
Fundi i kampit iu rezervua festivalit, ku çdo grup do të përgatiste një këngë dhe një skeç. Në këtë festival u vu re një përgatitje dinjitoze e të gjitha grupeve dhe në fund u përzgjodh kënga dhe skeçi më i mirë. Në natën e fundit u ndanë çmimet për të gjithë fituesit si për lojërat sportive ashtu dhe për këngën më të bukur. Në fund të kampit, të gjithë u larguan me besim dhe shpresë tek Perëndia, duke menduar për t’u kthyer përsëri në këtë ishull të bekuar. |
---|
Ilia Bragjeçi.