
Kampi veror ditor për fëmijët 6 – 12 vjeç, është një ndër aktivitetet që fëmijët e zonave të ndryshme të Shqipërisë e presin me padurim. Edhe këtë verë të 2008-ës, Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, organizoi në 27 vende, kampe verore, ditore, një javore për fëmijë. Zyra Qendrore e Fëmijëve bëri të mundur realizimin e këtyre kampeve në bashkëpunim me priftërinjtë e Dioqezave të ndryshme, katekistët që punojnë pranë Kishave të ndryshme Ortodokse dhe me të rinjtë e zonave të ndryshme, të cilët ofruan ndihmën e tyre vullnetarisht përgjatë zhvillimit të këtyre kampeve.
Vendet ku këto kampe u zhvilluan ishin: Tirana (Bathore (2), Thavor, Kinostudio, Katedralja e Tiranës, Qyteti Studenti), Berati, Lushnja, Poro, Bubullimë, Verri, Sheqishte, Frakull, Shën Pjetër, Elbasani (2), Gjinar, Kryezjarr, Kuqan, Fikas, Cërrik, Shelcan, Shën Joan Vladimir, Librazhd, Gramsh, Shtërmen, Durrësi. Numri i fëmijëve pjesëmarrës ishte afërisht 1550.

Tema e kampeve për fëmijë ishte: “Duaj Perëndinë me gjithë zemrën tënde dhe të afërmin si veten tënde”. Programi i këtyre kampeve konsistonte në diskutime në grupe të vogla, të cilët mbanin emrat e fryteve të Shpirtit të Shenjtë si dashuria, respekti, liria, paqja, vetëkontrolli, ai përmbante edhe këngë, lojëra të ndryshme në grupe të vogla dhe të mëdha, punë dore etj.
Diskutimet në grupet e vogla ishin të bazuara në librin e përgatitur enkas për këto kampe të titulluar “Zgjedhjet e duhura”. Ky libër trajtohej nga mësuesit e grupeve në atë mënyrë që fëmijët të mësonin se çfarë është e drejtë dhe e gabuar. Kush janë mirësitë e një zgjedhjeje të drejtë dhe kush janë pasojat e një zgjedhjeje të gabuar. Diskutimi në grup ishte i mbushur me pjesë të shkëputura nga Bibla të cilat u tregonin edhe me shumë fëmijëve se Perëndia i ka krijuar ata me shumë dashuri, dhe për të parë vlefshmërinë e një jete që ka si qendër Zotin dhe mësimet e Tij. Mësuesit ishin të përgatitur për ta ilustruar diskutimin para fëmijëve jo vetëm nga ana verbale, por edhe nga ajo vizuale. Programi përmbante biseda në grupe, këngë, punëdore, etj.

Por duke ditur botën e fëmijëve, mësuesit ishin të përgatitur me një sërë këngësh me lëvizje, lojëra nga më të ndryshmet, poezi etj. Puna e dorës për këtë vit ishte formimi i një buburreci ku në çdo krahëz të tij do të shkruheshin nga fëmijët gjërat më interesante që ata mësonin çdo ditë në kamp. Nëse do të vije re se çfarë ata shkruanin apo vizatonin në çdo krahëz të buburrecit, do të kuptoje se interesi i tyre fillonte që nga himni i kampit që lidhej me temën, shkruanin gjërat më kryesore që mësuesja u thoshte në diskutimet në grupe të vogla, këngët që ata pëlqenin më shumë dhe mendimet e tyre personale se si ata po e kalonin kohën në kamp. Një ndër fëmijët tha: “Këtë buburrec do ta shfletoj shpesh, deri kur të vij kampi i vitit tjetër, se jam kënaqur shumë këtu”.
Programi i kampit ishte hartuar në atë mënyrë që fëmijët edhe do të edukoheshin me vlerat e krishtera, por edhe do të argëtoheshin përgjatë këtyre kampeve.
Këto kampe zhvillojnë te fëmijët më ndjenjën e përgjegjësisë për veprimet e tyre. Nëpërmjet kampeve, fëmijët mësojnë se nuk është mjaftueshëm të duash vetëm veten tënde po mbi të gjitha Perëndinë që na krijoi dhe na udhëzon si të jetojmë, dhe të duam të afërmin ashtu si veten. Fëmijët nëpërmjet kampit e marrin këtë informacion në mjaft pjesë të programit. Shpenzimi i kohës me miqtë e tyre dhe gjetja e miqve të rinj e bën edhe më interesante kohën e kampit për fëmijët.
Prindërit shprehen se shoqërizimi i fëmijëve, kujdesi dhe përgjegjësia që tregohet për fëmijët përgjatë kampit, i bën prindërit që të vazhdojnë të sjellin fëmijët e tyre vit pas viti në këto kampe, duke parë vlerat që fëmijët e tyre rritin nga dita në ditë.
Zhvillimi i këtyre kampeve u realizua nga një staf prej 65 personash të cilët u trajnuan në grupe të vogla për çdo pjesë të programit të kampit nga Zyra e Fëmijëve. Disa nga këta persona ofruan kontributin e tyre në më shumë se një kamp. Personat që kishin përgjegjësi për zhvillimin e këtyre kampeve, në shumicën e rasteve udhëtonin çdo ditë për të shkuar në vendin e kampit. Pjesë e programit ishte edhe pelegrinazh në vendet e shenjta. Vlen për t’u përmendur zelli dhe përkushtimi i personave që patën përgjegjësi në këto kampe, sepse suksesi i kampeve varet shumë nga përkushtimi i stafit të punës.
Post Views: 191