E Tërëshenjta Mari, shembulli ynë

“Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë sipas fjalës sate”

   Me bekimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Anastas nga datat 21-23 mars 2008, në ambientet e Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit u zhvillua kampi për vajza, në të cilin morën pjesë rreth 150 vajza, nga mosha 11-25 vjeçe.

     Vajzat pjesëmarrëse vinin nga zona të ndryshme të vendit si Gjirokastra, Elbasani, Gramshi, Cërriku, Fieri, Berati, Lushnja, Vlora, Kavaja etj. Kjo fundjavë i dha mundësi të gjitha pjesëmarrëseve për ripërtëritje të lidhjes së tyre me Zotin në këtë periudhë të bekuar kreshme ku Kisha na kujton që duhet të kthehemi te Zoti dhe të ecim sipas porosive të Tij.

     E Tërëshenjta Mari është shembulli që duhet të ndjekim gjatë gjithë ditëve të jetës sonë. Fjalët që ajo i tha Kryeëngjëllit janë fjalë që duhet t’i thotë çdo njëri në jetën e tij. Këto dhe shumë të tjera u theksuan gjatë kohës së kampit.
 

     Programi i kampit përmbante tre referate të cilat ndihmuan në këtë ripërtëritje shpirtërore dhe në thirrjen për kthim te Zoti. Referati i parë u mbajt nga Episkop Nikolla, me temë:“E Tërëshenjta Mari, shembulli ynë”. 

     Episkop Andoni në referatin e tij “Misteri i Falënderimi Hyjnor, Darka Mistike e Zotit”, shpjegoi se çfarë është Misteri i Falënderimit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në të. Referati i tretë u mbajt nga pedagogu i Akademisë Teologjike z. Thoma Çomëni “Disiplina në jetën shpirtërore”, në të cilin u theksua se duhet të jetojmë Krishterimin çdo ditë të jetës sonë si edhe të kemi disiplinë shpirtërore me lutje, me studim të Shkrimit të Shenjtë, me kreshmë, lëmoshë, dhe pjesëmarrje në Mistere etj.

     Vajzat u ndanë në 8 grupe sipas grupmoshave të tyre dhe pas punës në grupe, të shtunën në mbrëmje paraqitën përpara gjithë kampit drama, këngë dhe poezi, të cilat lidheshin me emrin e grupit që ato përfaqësonin: Kreshma, Lutja, Bamirësia, Dëlirësia, Misteret, Shkrimi i Shenjtë, Kisha dheDashuria.

     Secila vajzë pjesëmarrëse u pajis me një pako me materiale shpirtërore, kujtim nga ky kamp, në të cilën përfshiheshin: libri “Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë ju”, “Himni Akathist” dhe “Paraklisi i Vogël i së Tërëshenjtës Mari”, një bllok dhe një stilolaps.

    Në pasditen e së shtunës grupi i studenteve vizituan fëmijët me aftësi të kufizuara, ku treguan edhe një herë që shërbimi ndaj të tjerëve është detyrë e çdo të krishteri.

    Çdo ditë fillonte dhe mbaronte me lutje, dhe shërbesa që kurorëzoi këtë aktivitet ishte Liturgjia e ditës së diel, në predikim e së cilës Episkop Nikolla theksoi se të gjithë ne kemi detyrë të ndihmojmë të tjerët të vijnë te Krishti dhe të jetojnë jetën me Të. Kjo është porosi edhe e vet Zotit tonë.

    Për realizimin e këtij kampi ndihmuan vajza që studiojnë ose kanë mbaruar Akademinë Teologjike në bashkëpunim me studentet e Qendrës Studentore të Kishës sonë, të cilat i falënderojmë shumë për punën e tyre të shkëlqyer.

    Vajzat të gëzuara nga bekimi dhe frymëzimi që morën nga kampi u larguan me shpresën për t’u takuar sa më shpejt në aktivitetin tjetër po kaq të rëndësishëm, kampin veror.

  

     Ana Baba