“Kohë e paharruar, vendtakim në vendtakimin me Zotin dhe me të afërmin”
 
    Këtë vit, në kampin e tyre në ishullin monument të natyrës, në Zvërnec të Vlorës, të rinjtë do të përkujtonin edhe një përvjetor të veçantë. U mbushën plot dhjetë vjet që Manastiri i Hyjlindëses, që nën regjimin komunist përdorej si vend izolimi për të internuarit politikë, tashmë ofron për të rinjtë që vijnë nga e gjithë Shqipëria, jo vetëm një kamp argëtues, por edhe një ambient shpirtëror të përshtatshëm, si vendtakim me Zotin dhe me të afërmin.
    Kampi i parë në Zvërnec u organizua në vitin 1998 dhe që atëherë nuk do të lëvizte më që aty, pasi fillimet e rrugëtimit të tij i kishte pasur që në vitin 1995 në Manastirin e Shën Kozmait të Kolkondasit dhe dy herë ishte ndalur në Manastirin e Shën Vlashit. Por të gjithë bien dakord që një gërshetim i përsosur i një Manastiri me një perlë natyrore, si vend ideal për kampe, mund të gjendet vetëm në ishullin e Zvërnecit. Madje sivjet, si për të shoqëruar këtë vit të rinjtë në festimin e këtij jubileu, në lagunën e Nartës që rrethon ishullin, ishin rikthyer edhe banorët e vjetër të këtij ekosistemi të rrallë, pelikanët dhe lejlekët.
    Periudha e dytë e kampit, nga data 11 deri 21 korrik, do t’i rezervohej të rinjve gjimnazistë, të cilët do të ishin këto dhjetë ditë nën drejtimin dhe kujdesin e stafit pedagogjik të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Nën drejtimin shpirtëror të arkimandritit Kozma Sovjani dhe drejtorit të kampit, z. Dhimitër Qosja, pedagogë të Akademisë, dhe me ndihmën e pakursyer të Atë Jani Tereziut, koordinator i këtij Manastiri, të rinjtë shijuan një program të pasur ku ndërthureshin në mënyrë interesante mësimdhënia dhe argëtimi.
    Programi ditor hapej me lutjen e mëngjesit, katekizmin për katikumenët dhe meditimin në grupe, për të vijuar më pas me dy orë në plazhet e pashkelura të Jonit në afërsi të ishullit. Mbasditja do të kishte si nisje aktivitetet sportive, të organizuara në formë kampionatesh, si dhe referatin kryesor të ditës në sheshin para kishës. Orët e darkës të rinjtë do t’i kalonin në biseda të lira duke përshëndetur njëri tjetrin, madje do të provonin edhe emocionet e mikrofonit në shoqërinë e programeve argëtuese të radios së vogël të kampit, që funksiononte nën kujdesin e stafit të Radios “Ngjallja”, e cila edhe këtë vit do t’i sillte të rinjve surpriza të bukura, për ta bërë më të drejtpërdrejtë njohjen me ta.
    Por të gjitha këto bëheshin në mbështetje të funksionit kryesor të kampit, të adhurimit të Perëndisë në komunitet dhe të mësimit të fjalës hyjnore. Tema qendrore do të ishte “Ka shpresë” (Rom. 15:12) dhe kjo do të shpalosej me sukses në çdo referat dhe në çdo predikim apo mësim të ditës. Përpjekja e të gjithë pedagogëve dhe studentëve të Akademisë u kurorëzua edhe me pagëzimin e 14 katikumenëve, që iu shtuan listës së të pagëzuarve në këtë manastir, si anëtarë të Kishës së Krishtit.
    Këtë vit, të rinjtë u prezantuan me Akademinë Teologjike, institucionin më të lartë arsimor teologjik në Shqipëri, që kishte marrë përsipër dhe mbarëvajtjen e kampit, me anë të një dokumentari me metrazh të shkurtër, që pasqyronte jetën dhe veprimtarinë e shkollës, si edhe ambientet e bukura të manastirit të Shën Vlashit. Dokumentari ishte realizuar me shumë pasion nga pedagogu, z. Harallamb Tereziu.
     Por ky përvjetor dhe gjithë kjo histori e gjatë kampesh nuk do të qe e mundur pa kujdesin e drejtpërdrejtë dhe financimin e përvitshëm të tyre prej Kryepiskopit Anastas, i cili në këtë jubile mori falënderime dhe duartrokitje të shumta. Fortlumturia e Tij, që çdo vit është gjendur pranë kampistëve, me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë ose me interesimin e veçantë që tregon, gjithmonë i ka nxitur bashkëpunëtorët e tij që të japin maksimumin e tyre në këto kampe, pasi siç thekson vetë ai: “Kampet janë fidanishtet e kuadrove të ardhshëm të Kishës dhe përbëjnë për të gjithë ne, Universitetet e Verës”.
 
Aleks Çuri.