Më datën 6 tetor, Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” nisi vitin e ri akademik 2008-2009. Akademia Teologjike që ka nisur funksionimin e saj në shkurt të vitit 1992 si Seminar Hieratik, është institucioni më i lartë arsimor teologjik në Shqipëri, themeluar nën përkujdesjen, financimin dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryepiskopit Anastas.

    Dita e parë e Akademisë u hap si çdo vit me shërbesën e Ajazmës, apo Ujit të Bekuar, që u kryesua prej Drejtorit të Akademisë Teologjike, Hirësisë së Tij, Episkopit të Filomilit, Imzot Ilias. Hirësia e Tij, Ilia, që është edhe Episkopi përgjegjës i Dioqezës Orthodhokse Shqiptare të Amerikës ka ndihmuar Kishën tonë, duke dhënë mbështetjen e tij të vyer edhe në çështje të vështira, që prej rifillimit të jetës së saj kanonike, me ardhjen e Kryepiskopit Anastas në Shqipëri. Në shërbesën e Ajazmës ishte i pranishëm edhe Ndihmës Drejtori i Akademisë, Episkopi i Apollonisë, Imzot Nikolla, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar me prezencën dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë për jetën shpirtërore dhe pedagogjike të të gjithë komunitetit të Akademisë Teologjike.

    Mbas shërbesës së Ajazmës, Hirësi Ilia, iu drejtua studentëve të Akademisë dhe sidomos të porsaardhurve në vitin e parë, me një fjalim, me rastin e hapjes së vitit të ri akademik. Ai u uroi mirëseardhjen studentëve të rinj dhe u dha atyre porosi shpirtërore për një mbarëvajtje sa më të mirë të punës së tyre në Akademi. Hirësi Ilia përcolli dhe bekimet atërore të Kryepiskopit Anastas, që megjithë dëshirën e tij të madhe për të marrë pjesë në këtë ceremoni hapjeje, nuk mundi të ishte prezent si pasojë e detyrave të tij, si Kreu i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    “Falënderoj Zotin – hapi fjalën e tij Hirësi Ilia – që më dha mundësinë të ndodhesha përsëri pranë jush, që me kaq nostalgji ju kam kujtuar gjithë këtë kohë që ndodhesha në Amerikë, për të plotësuar detyrat e mia të shenjta në atë vend, duke u shërbyer besimtarëve orthodhoksë shqiptarë atje. Por asnjëherë nuk më ka shpëtuar nga lutjet dhe vëmendja Akademia shumë e shtrenjtë. Vendimin për ardhjen tuaj këtu nuk e keni marrë vetëm, por edhe me bekimin dhe hirin e Zotit, i cili drejton hapat e çdo njeriu, por sidomos të besimtarëve. Do t’ju kërkoja, si çdo vit, që ju me vendosmëri t’i kushtoni veten tuaj, kësaj detyre të shenjtë, duke mbështetur fuqitë tuaja të dobëta në hirin e Zotit. Këtu në Akademi, të gjithë së bashku, duke lypur bekimin e Zotit, të kemi bindje të plotë në mbështetjen e njeri-tjetrit, që nga këshilli pedagogjik, studentët dhe gjithë sa kanë lidhje me këtë manastir. Përpiquni ta përmirësoni veten tuaj në mënyre shpirtërore, intelektuale dhe shoqërore. Lidhni marrëdhënie me domethënie me njëri-tjetrin dhe sidomos me pedagogët tuaj. Duke ju uruar mirëseardhjen – përfundoi Drejtori i Akademisë – lutem që Perëndia t’ju dhurojë shëndet, ecuri dhe pjekuri në jetën tuaj. Dhe të gjithë, sipas mundësive që kemi, të japim kontributin tonë në ndërtimin e trupit të Zotit, d.m.th. të Kishës, që ka nevojë për punëtorë të devotshëm të Ungjillit të Zotit tonë Jesu Krisht”.

    Studimet në këtë Akademi zhvillohen në kohën të plotë, të një cikli mësimdhënieje prej 4 vjetësh, duke u dhënë mundësi studentëve të saj të marrin një formim sa më të plotë teologjik, në përmbushje të kërkesave të Kishës për kuadro drejtues në të gjitha departamentet e saj.

     – Duke iu uruar studentëve suksese në këtë fillimviti akademik lutemi që dëshira e tyre për të predikuar Orthodhoksinë në të gjithë Shqipërinë të japë sa më shumë fruta shpirtërore. –       

 

Aleks Çuri