Data 25 korrik 2008 shënoi 10 vjetorin e fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, Hirësi Joanit. Me këtë rast të enjten në mbrëmje dt. 24 korrik, në sallën e koncerteve të Katedrales, në këtë qytet u organizua një koncert. Ishin të ftuar dhe morën pjesë Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, Prefektja e Qarkut Elfrida Zefi, Kryetari i Qarkut Ilia Milo, Kryetarja e Këshillit Bashkiak Rajmonda Nase, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë Konstandinos Maucos, Mitropolit i Beratit Hirësi Ignati, Myftiu i Korçës Qazim Muçi, klerikë dhe besimtarë.

    Në fund të koncertit përshëndeti Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi : “Ky është një moment shumë emocional, sepse është një moment Hyjnor, i cili do të përjetohej kështu në çdo vend të botës… Por për ne, qytetin tonë dhe për Shqipërinë momente të tilla janë akoma më të rëndësishëm, pasi në këto vite ne jemi duke rindërtuar, duke restauruar sistemin tonë të vlerave. Jemi një vend dhe një qytet në ringjallje. Të gjithë çdo ditë përpiqemi të ringjallim vlerat historike, kulturore, intelektuale, arsimdashëse të këtij qyteti.
    Padyshim që vendin e parë dhe më të rëndësishëm e zënë të gjithë ata që punojnë përditë dhe në vështirësi të mëdha për të restauruar vlerat shpirtërore për të cilat ne kemi më shumë nevojë. Ndaj në vendin e nderit meriton të qëndrojë një njeri i dashur për të gjithë korçarët, jo vetëm për të krishterët, Hirësi Joani”
     Pasi vlerësoi punën e Hirësi Joanit dhe bashkëpunimin me të, z. Niko Peleshi publikoi vendimin e Këshillit Bashkiak të Korçës për t’i akorduar Hirësi Joanit titullin “Qytetar Nderi”.
    Hirësi Joani pasi falënderoi për këtë vendim, ai tha se nuk kufizohet vetëm tek mua, por shtrihet tek i gjithë qyteti… sepse ky komunitet i ka dhënë shumë gjëra materiale dhe shpirtërore këtij qyteti: “Vendi ynë ka nevojë për dritë dhe për mesazhin që përhap Kisha… Tranzicioni i gjatë nuk është problemi ekonomik, por është problemi moral dhe një sëmundje morale mund të shërohet vetëm me mjete morale, sepse nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra dhe padrejtësi… Pikërisht këto vlera, Kisha është munduar t’i përhapë vazhdimisht si në shekujt e kaluar dhe sot, sepse vendi ynë ka nevojë për dritë.
   Që të kemi paqe në jetën tonë personale, në familjet tona dhe më gjerë mundohuni të ruani Kishën. Ta mbroni e ta ndihmoni në çdo gjë, sepse kështu ndihmoni veten tuaj dhe fëmijët tuaj…” Pasi falënderoi komunitetin dhe të pranishmit për dashurinë dhe respektin që kanë treguar në këto vite ai tha: “…Në raste të tilla gjëja e parë që të vete në mendje është falënderimi. Të falënderojmë Zotin që ka qenë kaq bujar gjatë këtyre viteve…
    Në këtë ditë në mëndje me vjen Kryepiskopi ynë i dashur Anastas, i cili i dha këtij vendi gjithçka që kishte, i dha kësaj Kishe të gjithë jetën e tij, mençurinë e tij, përvojën e tij dhe gjithçka tjetër dhe ne nuk duhet të lodhemi së qëni mirënjohës dhe së thëni “Faleminderit”, sepse kur punën e bëjnë të tjerët shpesh herë mund të duket e lehtë. Unë shpesh herë kam qenë bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe kam parë sa vështirësi të mëdha ka kaluar, e falënderoj vazhdimisht sepse i dha Kishës tonë. Jo vetëm thjesht ngriti muret, por përhapi edhe një frymë dashurie, tolerance dhe respekti për çdo njeri tjetër.

    Padyshim falënderimi shkon edhe në njerëz të tjerë të njohur e të panjohur, që gjatë këtyre viteve e ndihmuan Kishën tonë dhe komunitetin tonë për ta rindërtuar përsëri nga hiçi…”.
    Dita e premte, 25 korrik filloi me Liturgjinë Hyjnore e cila mblodhi të krishterët orthodhoksë në kishën “Burimi Jetëdhënës” për të falënderuar Perëndinë dhe për tu lutur së bashku. Bashkëmeshuan Mitropolit i Beratit Hirësi Ignati, Mitropolit i Gjirokastrës Hirësi Dhimitri, Mitropolit i Siatistës Hirësi Pavlos, klerikë e besimtarë nga Korça dhe rrethe të tjera të vendit.
    Mitropolit i Beratit, Hirësi Ignati, pasi kujtoi aktivitete të Hirësi Joanit si prijës shpirtëror dhe udhëheqës brenda shoqërisë, me Hirin e Perëndisë dhe ndihmën dhe punën titanike të Kryepiskopit Anastas uroi: “Duke falënderuar Zotin ju urojmë nga thellësia e shpirtit shëndet të plotë, jetë të gjatë, kryepriftëri të shenjtë, që të gëzoni këtë grigjë të shenjtë që ju rrethon dhe me aq mall, respekt e dashuri tregohet me ju bashkë me klerikët drejtues dhe udhëheqës. Suksese të mëtejshme për arritje të larta për lavdinë e Perëndisë, për të mirën e Kishës dhe për dobinë tuaj shpirtërore”.
    Episkop i Stiatirës, Hirësi Pavllos, pasi shrehu falënderimin ndaj Perëndisë dhe gëzimin për praninë në ditën e 10 vjetorit të fronëzimit të Hirësi Joanit dhe për punën e madhe që ka bërë Kryepiskopi Anastas për ringritjen e Sinodit tha: “…Si episkop je një shenjë e qënies së Krishtit në mes popullit të vet. Sot, pas 10 vjetësh vijmë që të mburremi me veprën, që me Hirin e Perëndisë, keni realizuar. Shoh, sot, klerin orthodhoks që ju ka vënë në mes dhe grigjën që ka mbushur këtë kishë të shenjtë.

    Është puna e baritimit tuaj të shquar së bashku me bashkëpunëtorët e tu. Kisha e Krishtit është një kudo. Ne gëzohemi me gëzimin tuaj dhe mburremi me sukseset në punën tuaj. Lavdërojmë Zotin që jemi edhe ne sot këtu edhe gëzohemi me gëzimin tuaj.

    Mitropolit i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse tha: “…Në një ditë si kjo është rasti të lavdërojmë Perëndinë dhe të kujtojmë si erdhëm deri këtu.
    
    Ishte Kryepiskopi ynë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, që me një vullnet të hekurt, me mençuri të rrallë dhe kryesisht me dashuri të pamasë përqafoi këtë Kishë të munduar dhe i dha asaj vizionin e Krishtit të Ngjallur dhe krijoi këtë atmosferë ngjallësore në çdo enori dhe cep të këtij vendi dhe i dha ditë lavdie, që shekuj Orthodhoksia nuk kishte njohur në këto treva. Dhe në kuadrin e këtyre ndërhyrjeve të tij për ringritjen dhe ringjalljen, një kujdes i veçantë ishte ai për përgatitjen e kuadrove dhe kryesisht të klerit orthodhoks nga radhët e besimtarëve vendas. Është rasti të tregojmë se një nga përkujdesjet e veçanta të Kryepiskopit ishte pikërisht respekti ndaj dinjitetit të çdo personi dhe mbështetja ndaj Kishës sonë që po ngrihej pikërisht nga elementi vendas. Në këtë mënyrë duke ruajtur ekuilibra të brishtë, që të gjithë i kemi parasysh, arritëm që të festojmë përvjetorin e 10-të të fronëzimit tuaj Hirësi i dashur, vëlla Joan dhe njëkohësisht të kremtojmë edhe 10 vjetorin e ringritjes së Sinodit Kanonik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Ishte hapi tjetër i rëndësishëm i Kishës sonë pas ardhjes së Kryepiskopit, siç thashë më lart, që tregon se çfarë mrekullish bën Perëndia duke dëgjuar lutjen tonë dhe çfarë ndryshime bën në jetën e njeriut kur njeriu i bindet vullnetit të Tij me gjithë zemër. Besoj se ky është shembulli që i jep brezit të ri të Kishës sonë Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani. Një njeri që me besimin e tij tek Perëndia Triadik, duke ecur në rrugën e Orthodhoksisë me mësimet e urta të Kryepiskopit Anastas u denjësua në gradën më të lartë të kryepriftërisë, atë të episkopit. Të episkopit të një grigje me traditë të lashtë, me përkushtim dhe me rrënjë të thella në besimin tonë. Vëlla i dashur më Krishtin puna që bën në vreshtin e Perëndisë tonë është e njohur prej Krishtit, por veprën tuaj dhe të njerëzve që ju mbështesni e sheh grigja juaj. Kisha madhështore e “Ngjalljes së Krishtit” dhe kjo kishë këtu, ku çdo të diel kryet Liturgjia Hyjnore, janë dëshmi kuptimplotë për këtë intensitet të madh në të cilën ngjallet Kisha jonë.

    Ndërsa Atë Ilia Kotnani klerik në Mitropolinë e Korçës në fjalën përshëndetëse tha ndër të tjera: “…Kushdo që është i njohur me biografinë e Mitropolitit është i bindur që ndodhet përballë një personaliteti që gëzon një prestigj të lartë në mbarë dioqezën tonë dhe në mbarë K.O.A.SH-in. Kontributi i tij i çmuar si studiues, përkthyes, autor i disa librave, kumtesave tregon se ai është vlerësuar drejt për vlerat dhe aftësitë e tij me vendimin që u mor duke u bërë anëtar i Sinodit të Shenjtë dhe Mitropolit në një qytet me vlera dhe me traditë në besim, djep i kulturës në Shqipëri dhe më tepër në një Kishë të shkatërruar dhe me pak shpresa për t u ngritur vetë. Imzot Joani ka patur dhe ka fatin e madh që në krye të Kishës të ketë arkitektin, udhëheqësin dhe frymëzuesin e ringjalljes së saj, Kryepiskopin Anastas. Që të tre së bashku me Imzot Ignatin dhe të ndjerin episkopin Kozma u bënë shtylla të forta dhe garanci mbështetëse për të ardhmen…”.

    Përshëndetën gjithashtu: Arkimandrit Kozma Sovjani në emër të Episkopit të Apolonisë, Hirësi Nikollës dhe të gjithë Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, duke kujtuar që Hirësi Joani ka qenë pedagog dhe drejtor i kësaj Akademie. Dhe në vazhdim përshëndetën grupi i të rinjve orthodhoksë të dioqezës së Korçës, shoqata “Vëllazëria Vithkuqase”, grupi i grave orthodhokse të Tiranës, grupi i grave orthodhokse të Korçës, fëmijët e korit të katedrales së Korçës, vajzat e kampit veror “Bariu i Mirë”, përfaqësues nga kleri i Mitropolisë së Beratit. Në liturgji ishin të pranishëm: Kryetari i Bashkisë, Prefektja e Qarkut, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Konsulli i Greqisë në Korçë, përfaqësues nga Komuniteti Mysliman etj.

     Hirësi Joani falënderoi për ngrohtësinë dhe dashurinë si edhe për dhuratat që mori, pasi “…dhurata buron nga zemra” tha ai. Më pas për të gjithë të pranishmit u organizua një koktej.
    

     Julia Lila (Pjetri)