Festa e Tre Hierarkëve (Shën Vasili i Madh, Shën Grigor Teologu dhe Shën Joan Gojarti) në botën e Krishterë Orthodhokse kremtohet në mënyrë të veçantë, sepse këta shenjtorë njihen si mbrojtës dhe ndriçues të arsimit, të mësuesve, pedagogëve dhe nxënësve.
 
    Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit, pranë qytetit bregdetar të Durrësit, e vlerëson këtë ditë si i festën e shkollës. Që në orët e para të datës 30 janar, klerikët, studentët, pedagogët, banorë të zonës përreth, nxënës të Shkollës së re të Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” në Sukth si edhe pjesëtarë të Shtëpisë Orthodhokse e Shpresës u mblodhën së bashku në kishën e Manastirit të Shën Vlashit për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kujtim të Tre Arkondëve. Liturgjia Hyjnore kryesohej nga Nëndrejtori i kësaj Akademie, Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla.
    Të tre Hierarkët kishin njohuri të thella në shkencën dhe diturinë e epokës së tyre. I kishin të gjitha mundësitë për tu bërë njerëz të famshëm e të pushtetshëm, por preferuan Urtësinë e Perëndisë. Shumë njerëz menduan se këta njerëz humbën, por për 17 shekuj radhazi, ata jo vetëm që u admiruan nga njerëzit, por edhe nga Perëndia, duke u dhënë atyre kurorën e lavdisë qiellore.
    “Shumë nga ju studentë dhe pedagogë mund të zgjidhnit drejtime të tjera në jetë, me mundësi edhe më të mëdha, por zgjodhët Akademinë Teologjike. Mos u pendoni për këtë, sepse nuk keni humbur, por keni fituar ujin e gjallë të jetës, si Tre Hierarkët. Nuk ka gjë më të lartë se të punosh në arën e Perëndisë” – theksoi në predikimin e tij, Hirësi Nikolla.
    Dy karakteristika vendimmarrëse kanë qenë në jetën e tyre: dashuria për Shkrimin e Shenjtë dhe dashuria për të afërmin. “Këto dy dashuri duhet të kemi parasysh në jetën tonë dhe të lutemi të gjithë ne, që Tre Hierarkët të ndërmjetojnë tek Zoti për tu bërë edhe ne transmetues të ujit të gjallë të Perëndisë”.
    Pas Liturgjisë Hyjnore studentë të vitit IV të Akademisë lexuan nga jeta dhe shkrimet e këtyre shenjtorëve.  Në fund, studentët kënduan himnin e Akademisë si një premtim në Kishë përpara Tre Arkondëve, dhe vetë Perëndisë për rrugën e një jete të pastër të udhëhequr nga Krishti, duke ndjekur shembullin e shenjtorëve, që mbeten përherë pararojë e dijes dhe të gjitha njohuritë e tyre i vendosin në shërbim të njerëzve të thjeshtë.
    Po kështu edhe në ambientet e Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, në Tiranë, u organizua nga pedagogët dhe studentët e këtij instituti një program festiv për këtë ditë kremtuese të Tre Hierarkëve të mëdhenj, si festa e arsimtarëve. Në këtë festim znj. Leni Galanopulu foli për jetën, veprën e këtyre hierarkëve ekumenikë, si edhe për rëndësinë e veprës së tyre, duke sjellë mendime dhe fjalë për ta nga mendimtarë e shkencëtarë të ndryshëm në shekuj. Në fund studentë të institutit lexuan poezi nga këta Etër të mëdhenj të Kishës.
I.Koti & L.Pjetri