Në ujërat e detit “Adriatik” në qytetin e Durrësit, koha e ftohtë dhe me shi nuk e ndali shpresëtarinë e besimtarëve për të marrë bekimet e Zotit në festën e Theofanisë.

    Kisha e Apostull Pavël dhe Shën Astit ishte mbushur me dhjetëra besimtarë të ardhur në festën zotërore “të Dritave” siç quhet ndryshe, pasi Krishti që është edhe Dielli i Drejtësisë ndriçon të gjithë botën dhe mbarë njerëzimin.

   Episkopi i Apolonisë, Hirësi Nikolla drejtoi Liturgjinë Hyjnore, i shoqëruar nga kleri dhe kori i studentëve të Akademisë Teologjike. Ai nuk mbajti predikim, por shpjegoi para besimtarëve se dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar.

    Mesazhet e kësaj festeje i jep vetë urata e bekimit të Ajazmës së Madhe që mbart të gjitha mesazhet historike, dogmatike dhe teologjike të kësaj festeje. Në pagëzimin e Tij, Krishti fillon të predikojë ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë. Krishti nuk kishte nevojë të pagëzohej, por na tregoi edhe ne se duhet të ecim në rrugën që Ai vetë e filloi.

    “Do të shkoni në shtëpitë tuaja dhe të gjitha t’i bekoni. Të gjithë jepuni mundësinë të tjerëve të marrin gëzimin dhe Hirin e Perëndisë. Sot marrim Dritën në festën e dritave” – nënvizoi Hirësi Nikolla.

    Pas shërbesës së Bekimit të Ujit, të gjithë u zhvendosën në kalatën nr. 5 të Portit të Durrësit për të kryer ceremoninë tradicionale të hedhjes së kryqit në det. Banda muzikore e qytetit shoqëronte pjesëmarrësit me himnin e festës “Në Jordan kur pagëzoheshe…”. Momentet emocionuese kulmuan nga guximi i tre djemve durrsakë, të cilët u hodhën në ujërat e ftohta të detit për të kapur kryqin.

    15 vjeçari, Dhimitër Xhimitiku, i cili është edhe anëtar i rinisë orthodhokse të qytetit, u tregua më i shkathëti, duke e nxjerrë nga ujërat me entuziazëm kryqin e shenjtë. Familjarët dhe shumë besimtarë përqafuan Dhimitrin, duke e uruar me përzemërsi. Pas ceremonisë, kleri dhe besimtarët u kthyen në kishë për të marrë ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.

     Isidor Koti