Në 16 qershor, studentët e vitit të fundit të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, u mblodhën së bashku në sallën “Sion” me pedagogët dhe të afërm për të festuar ditën e diplomimit. “Këto katër vjet do të mbeten në kujtesë si vitet më të bukura dhe mbresëlënëse në jetën e tyre, sepse asnjë shkollë tjetër në vendin tonë nuk do të jepte mundësinë të mësonit dije teologjike.
    Asnjë vend nuk mund të krijonte mundësinë për të përjetuar këtë besim, jetën adhuruese dhe ndërtimin shpirtëror. Për të gjitha kushtet që u janë krijuar studentëve, dua të falënderoj Kryepiskopin Anastas, sepse gjithçka ka qenë dhuratë prej tij” – theksoi në fjalën hapëse zëvendësdrejtori i Akademisë, Episkop Nikolla.
    
    Dita e hënë, data 16 qershor, ishte dita e kremtimit të Shpirtit të Shenjtë. Apostujt kërkonin vazhdimisht Shpirtin e Shenjt dhe mbusheshin me të. “Ky Shpirt i Shenjt që ndryshoi kaq rrënjësisht dhe drejtoi jetët e apostujve është i gatshëm të jetojë dhe të veprojë brenda nesh sot, duke ndryshuar edhe jetët tona. Kjo ditë e shënuar bëhet edhe më e veçantë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të vitit të katërt, pjesë e të cilëve jam edhe unë” – tha studentja më e mirë, e sapodiplomuar, Theano Kostoli.
    
    Në vazhdim të fjalës tradicionale të studentit më të mirë, ajo tha se rruga për të arritur në këtë fazë të jetës nuk ka qenë e lehtë, por me përpjekje të vazhdueshme, me lodhje, mundim dhe mbi të gjitha me shpresën për të ecur përpara. Pas gjithë këtyre fshihet shpresa, besimi dhe dashuria që buron nga Perëndia”.
    Në këtë ditë të rëndësishme akademike në ambientet e Akademisë u organizua një program festiv me fjalime, meditime, himne dhe një drekë me të gjithë të pranishmit. Me të vërtetë Akademia dhe Kisha festonte kurorëzimin e studimeve të këtij brezi studentësh, duke i përgatitur kështu ata, si bashkëpunëtorë të rinj dhe të zellshëm për veprën shpirtërore e sociale të Kishës në të gjithë Shqipërinë. Në këtë festim kishte ardhur edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, Episkop Andoni (dikur student i kësaj Akademie), klerikë dhe pedagogë etj.
    Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryepiskopi Anastas tha: “Duke ndjekur këtë festë të sotme më vijnë në mend fjalët e psalmistit që thotë: “Le të bekojmë Zotin në çdo kohë. Zemra mbushet me lavdërim për Perëndinë dhe mendja kthehet mbrapa atëherë kur në këtë vend ishte një gërmadhë. Që nga viti 1992 e deri më sot është kryer një punë shumë e madhe. Kur isha në Afrikë, atje ishte zakon që në përfundim të Shërbesës së Mbrëmësores kishte shumë valle dhe gëzim. Atyre u thashë se është një vend që quhet Shqipëri dhe për 23 vjet me radhë ata i kanë ndaluar krejtësisht që të lexojnë Shkrimin e Shenjtë, të ndezin qiri ose të kenë ikonat e tyre. Sytë e të gjithëve u mallëngjyen e u çelën. Më tej, unë u thashë që jam ngarkuar nga Patriarkana që ka një përgjegjësi për mbarë botën që të shkoj dhe të jap ndihmesën time. Çfarë thoni? Ra heshtje e thellë. Unë u thashë se jeni ju që duhet të më jepni bekimin dhe uratën tuaj dhe do të bëni një lutje të vazhdueshme këtu, në këtë vend për mua, sepse ju thashë që rruga mesa duket ka për të qenë tepër e vështirë. Dhe ishte një nga netët më mallëngjyese. Historia këtu në Shqipëri e ka zanafillën në Afrikë. Me të vërtetë gjërat këtu ishin shumë të vështira. Liturgjitë e para i bënim nën pemë ose në gërmadhat e kishave. I kujtojmë këto kohë, që zemra jonë të mbushet me falënderim për Perëndinë për të gjitha gjërat që na ka falur”.
    Pas fjalimeve dhe himneve në këtë sallë pasoi edhe ndarja e diplomave si edhe gëzimi i urimeve dhe përgëzimeve të ngrohta drejtuar të sapodiplomuarve, duke vazhduar këto edhe në drekën festive. Edhe këtu Kryepiskopi iu drejtua studentëve të sapodiplomuar duke i uruar që të kenë gjithmonë një kujtesë të gjallë, kujtesë të dhuratave të Perëndisë, ashtu si edhe populli izraelit i Dhiatës së Vjetër, të ndjejnë përgjegjësinë e detyrës tuaj ndaj Kishës, të kenë guxim, zell në punë e në frymë, duke dëshmuar Krishtin në çdo kohë, . Më tej edhe prindër e studentë uruan ashtu si edhe Kristi, student që sapo përfundoi vitin e dytë: “I uroj shokët e mi më të mëdhenj, që sapo u diplomuan, të mbajnë lidhjen me Kishën dhe të japin çfarë ata ndjejnë në thellësi të zemrave të tyre, duke qenë të gatshëm në çdo kohë që Kisha ka nevojë për ta”. Në fund studentët u ndanë me përqafime dhe lot gëzimi e me dëshirën për të ofruar në Kishë e shoqëri bagazhin teologjik, shpirtëror e social që morën në këtë Akademi.
Julia Pjetri