|
Në datën 27 nëntor 2008, dy muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor, në mjediset e Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, në Tiranë, u organizua ceremonia e dorëzimit të diplomave studentëve që përfunduan këtë vit. Merrnin pjesë Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, studentë dhe familjarë të tyre, pedagogë etj.
Kryetari i Këshillit Drejtues të IFP, Prof. Dr. Leandro Haxhi, e hapi këtë veprimtari. Ai, pasi vlerësoi arritjet në jetën profesionale të studentëve që ka nxjerrë ky Institut për shtatë vjet, që nga krijimi i tij, tha:
|
“Këta studentë kanë fituar njohuri teorike dhe e theksoj në mënyrë të veçantë shprehi praktike. Këtë e them me krenari, sepse në këtë drejtim nuk na konkurron asnjë nga universitetet në vendin tonë. Dhe kjo është arritur falë kujdesit atëror, pasionit dhe largpamësisë së Presidentit tonë të nderuar, Prof. Dr. Anastasit, për të pajisur Institutin me infrastrukturë të nevojshme… Po kështu kjo u arrit edhe falë pasionit të trupit pedagogjik për të hartuar programe përkatëse”.
|
|
|
Gjatë ceremonisë u dorëzuan diplomat për 72 studentë, që mbaruan në degën Specialist për Laborator Mjekësor (41 studentë); në degën Menaxhim (11 studentë); në Llogari e Kompjuterizuar (11 studentë); Informatikë (11 studentë) dhe në degën Restaurim i Veprave të Artit (2 studentë).
Gjatë veprimtarisë përshëndetën edhe pedagogë të Institutit, studentë që diplomoheshin, si edhe studentët bursantë.
Diplomantja Entela Lelo, e cila më parë kishte mbaruar studimet e saj në degën për mësuesi në biologji e kimi, në Universitetin e Tiranës, shpreh në fjalën e saj se:
|
“Kënaqësinë dhe gëzimin që kam ndierë në këtë shkollë, nuk e kam gjetur më parë dhe dua të shpreh edhe një falënderim të veçantë për personin që mundësoi hapjen e kësaj shkolle, Fortlumturisë së tij Anastas dhe për të gjithë pedagogët.”
Një tjetër studente, që fitoi bursë dhe përshëndeti të pranishmit ishte Sonila Bushi. Ajo pasi shprehu falënderimet e rastit për Kryepiskopin, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, stafin pedagogjik, drejtorinë dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe vazhdimisht investojnë në fushën e arsimit dhe kulturës në vendin tonë, përfundoi:
|
|
|
“… Me urimet më të mira në vazhdimësinë e këtij Instituti edhe në nivele më të larta, pse jo në rang Universiteti!”.
Hirësia e Tij, Episkop Andoni, pasi përcolli tek të pranishmit urimet më të mira dhe përgëzimet edhe nga ana e Kryepiskopit, ndër të tjera tha: “… gjatë këtyre dy vjetëve ju jeni formuar me dije që do t’ju vlejnë për jetën tuaj. Një porosi të cilën Kryepiskopi Anastas e thotë për veten e tij, unë e mendoj shpesh. Ia kam thënë edhe studentëve që kanë përfunduar një vit më parë, dhe po jua them edhe juve sot: Mos harroni të jini studentë dhe dhjakonë. Dhjakon në gjuhën kishtare do të thotë të ndihmosh të tjerët. Ritmet e shkencës janë të shpejta.
|
Kjo do të thotë që njerëzit të jenë vazhdimisht në kontakt me librat, me njerëz të ditur dhe me institucione të specializuara. Meqënëse jeni në momentet kur do të filloni punë, porosia ime për ju do të ishte ndershmëria, gjithashtu të punoni me devocion dhe dashuri për punën. Kjo e fundit duhet të jetë baza e motivimit tuaj. Kudo që të jeni mundohuni ta bëni atë me përsosmëri. Kur ne vendosim më të mirën tonë, për ta bërë atë patjetër, ne do të fillojmë ta dashurojmë punën dhe njerëzit do të fillojnë të na pëlqejnë ne. Kjo do të jetë garanci edhe për mbarëvajtjen tonë shpirtërore dhe gjithçka tjetër vjen rreth saj. Perëndia t’ju bekojë! Urime”.
Kjo ceremoni u mbyll me përshëndetjet dhe fotot me njëri–tjetrin dhe pedagogët, si edhe me urimin e sinqertë për të gjithë; Suksese!
J.Pjetri