Me bekimin dhe kujdesin e vazhdueshëm të Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas, për fëmijët dhe edukimin e krishterë të tyre, tashmë në Shqipëri ekziston dhe vazhdon të punohet për botimin e një serie programesh mësimore biblike, për fëmijë. Kjo seri programesh është përgatitur për moshat 6-17 vjeç dhe përmban 36 mësime, në dy vëllime për çdo vit. Pra, ekziston një libër i përshtatur me moshën, karakteristikat, zhvillimin e krishterë dhe social etj. Të gjitha këto bashkë, të ndërthurura në një libër ndikojnë në formimin e krishterë të fëmijës, i cili gradualisht do të kalojë nga një nivel i programit në tjetrin, duke zgjeruar njohuritë dhe besimin e tij.
Qëllimi i këtij programi, është të sigurojë programe mësimore fetare për fëmijët, që ata të kuptojnë Biblën dhe traditën e Kishës Orthodhokse si edhe ta përkushtojnë veten e tyre tek Jisu Krishti si Zot dhe Shpëtimtar, ndërsa mësojnë si të ndjekin shembullin e Tij në të gjitha çështjet e besimit dhe të jetës.
Perëndia ka folur “në shumë mënyra të ndryshme” (Hebrenjtë 1:1). Kështu, edhe kjo seri programesh mësimore, në mënyrë shumë efektive bën një ndërthurje të të dyjave: mësimeve nga Shkrimi i Shenjtë dhe eksperiencës së përjetuar apo Traditës së Shenjtë të Kishës. Kjo traditë shprehet nëpërmjet shkrimeve të shenjta, liturgjisë, mistereve, shkrimeve të etërve, dëshmisë së shenjtorëve, ciklit të kreshmëve dhe festave, ikonave të shenjta, artit, muzikës etj. Duke lidhur elementë të Traditës së Shenjtë me fokusin biblik të çdo mësimi, kjo seri programesh synon që ta fusë fëmijën në përjetimin e besimit të krishterë orthodhoks, me anë të të cilit do të rritet në marrëdhënien e tij me Jisu Krishtin.
Përveç kësaj, Programi mësimor Biblik për fëmijë përpiqet t’i qëndrojë besnike parimeve të shëndosha të arsimit fetar dhe arsimit në përgjithësi. Metoda e saj ndjek modelin e metodave të mësimdhënies së vetë Jisu Krishtit, Mjeshtrit të mësimdhënies. Zoti ynë i ftonte njerëzit ta zbulonin vetë të vërtetën e mësimeve të Tij. Ai përdorte paravoli, të cilat lidhnin dëgjuesit me eksperiencat e tyre në jetë. Përdorimi prej tij i shëmbëlltyrave, i ftonte dëgjuesit të hynin brenda tyre dhe t’i përjetonin ato. Në terminologjinë bashkëkohore arsimore kjo quhet metodë eksperienciale. Mbi këto është e ndërtuar edhe seria e programeve mësimore biblike, ku mësimet janë të organizuara në rubrika të ndryshme. Fokusi i tyre rrjedh nga një pasazh nga Dhiata e Vjetër ose Dhiata e Re, të cilat për çdo vit organizohen rreth një teme të përshtatshme për moshën. Mësimi nga Shkrimi i Shenjtë zhvillohet me një aktivitet hapës, që i bën fëmijët të mendojnë për eksperiencat që kanë patur në jetë, të cilat në mënyrë logjike do t’i ndihmojnë të kuptojnë tregimin nga Shkrimi i Shenjtë.
Paraqitja e tregimit nga Shkrimi i Shenjtë përdor metoda të përshtatshme për çdo moshë, me aktivitete që pasojnë për përsëritje, përforcim dhe zbatim. Më pas vazhdon me rubrikën Jeta në Kishë dhe në këtë mënyrë, zbatimi i mësimit nga Shkrimi i Shenjtë në eksperiencën e përjetuar nga Kisha mund të bëhet lehtë.
Larmia e rubrikave, e aktiviteteve, e tregimeve nga Shkrimi i Shenjtë, e elementëve nga Tradita e Kishës, e ilustrimeve plot ngjyra, e ushtrimeve të përshtatura, etj, e bëjnë këtë seri librash mjaft të dashur për të gjithë fëmijët të cilët po mësojnë nëpërmjet tyre në shumë grupe katekizmi. Kjo seri përfshin edhe librat instruktues të mësuesit të katekizmit për çdo vëllim dhe nivel.
* * *
Vendet ku përdoret deri tani seria e programeve mësimore biblike
Në Mitropolinë e Tiranës – në 6 qendra fëmijëshnë Tiranë, në Durrës, në Shën Vlash, Kavajë, Gramsh dhe Cërrik. Në Mitropolinë e Beratit – në fshatrat Shën Pjetër, Roskovec, Seman dhe Delisuf.
Në Mitropolinë e Korçës -në qytetin e Korçës.
Ndërkohë po punohet në vazhdim të hyjë edhe më gjerë në të gjithë mitropolitë dhe zonat e tyre.
Një aktivitet mjaft i rëndësishëm gjatë këtij viti ka qenë prezantimi i kësaj serie në një prej kampeve më të mëdha që organizon Kisha jonë, në kampin për vajza (turni I) “Bariu i Mirë” në Shën Joan Vladimir. Në këtë kamp morën pjesë rreth 100 vajza nga mora 9-13 vjeç. Në fillim të kampit u bë prezantimi i librave të botuara deri tani, shpjegimi i strukturës së mësimeve dhe shpjegimi tek vajzat i një mësimi në praktikë. Kjo vazhdoi më tej, pasi një prej botimeve më të fundit të kësaj serie me titull “Kisha rritet”, ishte zgjedhur të përdorej gjatë 10 ditëve të kampit, si libri kryesor për studimin biblik.
* * *
Misioni i kishës i ka rrënjët te porosia e madhe e Zotit tonë: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj…” (Mattheu 28: 19-20). Misioni edukativ shprehet qartë këtu si misioni i vetëm me qëllim çuarjen e njerëzve te shpëtimi i përjetshëm.
Shenja karakteristike e përpjekjes edukative të të gjitha Kishave Orthodhokse ka qenë edukimi i anëtarëve të saj që nga foshnjëria, nëpërmjet shpalljes së Fjalës së Perëndisë dhe nëpërmjet përjetimit adhurues.
Udhëtimi drejt bashkimit me Perëndinë është thirrja për çdo qenie njerëzore. Ky udhëtim fillon që në lindje dhe vazhdon deri në vdekje. Udhëtimi i besimit i çdo personi është unik, megjithatë ai përmban linja të përbashkëta zhvillimi me të gjithë njerëzimin. Ekzistojnë shumë njerëz dhe ngjarje në jetën e dikujt që influencojnë zhvillimin e besimit.
Të gjithë ne thirremi të ofrojmë kontributin tonë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve tanë në besimin e krishterë, ashtu siç thuhet dhe tek Fjalët e Urta: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket!” (Fjalët e Urta 22:6)
* * *
LIBRAT E BOTUARA DERI TANI
[çmimi për libër është 200 lekë]
1 – “Perëndia më krijoi me dashuri” Vëllimi I – Niveli 1
2 – “Jeta jonë më Zotin” Vëllimi I – Niveli 2
3 – “Jeta jonë më Zotin” Vëllimi II – Niveli 2
4 – “Kisha rritet” Vëllimi I – Niveli 3
5 – “Jeta jonë më Zotin” Vëllimi I – Niveli 4
6 – “Perëndia është me ne” Vëllimi II – Niveli 4
7 – “Pajtimi ynë me Perëndinë” Vëllimi I – Niveli 5
8 – “Pajtimi ynë me Perëndinë” Vëllimi II – Niveli 5







