|
Përshëndetja e ngazëllueshme: Krishti u Ngjall! – Vërtet u Ngjall! jehoi në të gjitha enoritë orthodhokse të Kishës sonë në festën e e festave. Si diell pranveror ngrohu zemrat kjo Pashkë dhe i mbushi me shpresë besimtarët, të cilët përjetuan me dëshirë përtëritjeje fitoren e jetës. Me gëzim të papërshkruar mijëra orthodhoksë kaluan një Javë të Madhe e të Shenjtë me shpresëtari, duke pritur me ngazëllim pas ditëve të bekuara të kreshmës, ditën e shumëlartë të Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht. I gjithë shkëlqimi i Ngjalljes ndriçoi në të gjitha zonat e Mitropolisë së Tiranës. Java e Madhe dhe sidomos Shërbesa e Ngjalljes ishte e mbushur me emocione dhe madhështi, gjatë së cilës u lexua edhe mesazhi paskal i Kryepiskopit Anastas.
|
|
|
Shkodër Është bërë traditë e veçantë për komunitetin orthodhoks të qytetit verior që shërbesat e çdo dite gjatë Javës së Madhe të ndiqen me përkushtim. Kisha “Lindja e Krishtit” mirëpriti komunitetin orthodhoks të qytetit bashkë me minoritetin orthodhoks malazez që jeton në qytet, duke ndarë së bashku me tre klerikët Atë Aleksandër Petanin dhe të birin e tij, Dhjakon Nikon dhe Atë Jovan Koroveshin gëzimin e përbashkët të Ngjalljes së Krishtit. Sheshi përreth kishës ishte mbushur me dritat e llambadhave dhe urimet e shumta të besimtarëve. Të dielën e Pashkës u zhvilluan edhe pritjet e rastit, ku personalitete të ndryshme të politikës dhe kulturës në qytet përcollën urimet më të përzemërta të kësaj dite.
|
![]() |
![]() |
Durrës Në qytetin bregdetar, në kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Java e Madhe u përjetua me devocion dhe gëzim. Puna shpirtërore u krye me kontributin e klerikëve Atë Spiro Tola, Atë Spiro Qosja, Dhjakonët Spiro Kostoli dhe Andon Gjonej, të cilët të Enjten e Madhe u vizituan edhe nga Episkop Nikolla. Këtë vit numri i besimtarëve ishte më i madh se vitet e tjera dhe ra në sy një pjesëmarrje e gjerë në marrjen e misterit të Kungatës Hyjnore. Të dielën e Pashkës, u organizua një pritje e veçantë në ambientet e Kishës ku spikati ardhja e Ministrit të Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, Kryetarit të Bashkisë së qytetit z. Vangjush Dako dhe personaliteteve të tjera të institucioneve vendore. Po këtë ditë klerikët bënë vizita edhe tek të burgosurit, tek të cilët u transmetua mesazhi i Pashkës dhe u dhanë dhuratat festive.
|
|
Elbasan Në dy kishat kryesore të qytetit “Shën Nikolla” dhe “Shën Athanasi”, me qindra besimtarë orthodhoksë të qytetit ndoqën shërbesat e Javës së Madhe. Të Mërkurën e Madhe dhe të Premten e Madhe, shërbesat u kryesuan nga Episkop Andoni. Periudha e Pashkës është një motiv i veçantë për besimtarët e këtij qyteti për të ndjekur ditë pas dite përjetimet e Zotit Jisu Krisht, duke u lutur për më shumë përjetim dhe përparim shpirtëror, duke pasur si shembull shpëtimi dhe imitimi Jisu Krishtin.
|
![]() |
![]() |
Sipas klerikëve orthodhoksë që shërbejnë në këtë qytet, Atë Gjergji Trebicka, Atë Pavli Dimashi, Atë Janaq Gjica, Atë Stavri Çipi kjo festë bashkon edhe besimtarë të besimeve të tjera sepse: “Ngjallja e Krishtit është një festë e përbotshme dhe mesazhi i saj nuk njeh kufi”. Të dielën e festës, përfaqësues të autoriteteve qeverisëse lokale dhe shoqatave të ndryshme në qytet kryen vizita dhe shkëmbyen urime.
|
|
Kavajë Nën madhështinë e tropareve mbresëlënëse nisi edhe në Kavajë, Java e Madhe dhe e Shenjtë e Zotit tonë Jisu Krisht. Të gjithë besimtarët së bashku me priftërinjtë e këtij qyteti Atë Petro Thanasi, Atë Kristo Sharko, Atë Jani Tereziu përjetuan më së miri ngjarjen që ndryshoi botën, sepse Kisha e ka caktuar këtë ngjarje si epiqendrën e gjithë vitit liturgjik, e ka thurur aq bukur me një mjeshtëri hyjnore.
|
![]() |
|
Besimtarë të shumë orthodhoksë të Kavajës dhe zonave përreth përjetuan pësimet e Shenjta, shpëtimtare dhe të tmerrshme të Zotit tonë Jisu Krisht si dhe emocionet e mëdha të varrimit dhe zbritjen e Tij në Ferr, me anën e të cilave qenia jonë u thirr prej prishjes dhe vajti te jeta e amshuar, ku ditën e Premte të Madhe të Zezë në Shërbesën e Epitafit mori pjesë edhe Episkop Nikolla. Ceremonitë e këtyre të kremteve u celebruan në kishën e Shën Nikollës. Në këto ditë të gjithë thërrisnin: “Ti je Perëndia i gjallë dhe vdiqe në dru, o i vdekur, i zhveshur dhe Fjalë e Perëndisë së gjallë. Dyert e mbyllura të Parajsës hapi, duke vendosur në të kyçin”. Çdo ditë ishte një emocion më vete, deri në ditën e gëzueshme të së Dielës së Shenjtë të Pashkës së Madhe në të cilën kremtojmë vetë Ngjalljen Jetëdhënëse të Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. ”Krishti u ngjall së vdekurish me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali”.
Pas këtij rrugëtimi me porosi dhe mesazhe thelbësore për jetën, besimtarët vazhduan festën, duke marrë me vete këtë Pashkë më shumë dashuri, besim dhe shpresë.
|
|
|
Isidor Koti
|
|




