Si në të gjitha kishat e vendit, edhe në kishën e Shën Theodhorëve në Vlorë, atmosfera e Krishtlindjeve u ndie shumë ditë më përpara se sa të vinte data 25 Dhjetor. Që prej disa vitesh, është bërë traditë që në këtë kishë, në datën 24 dhjetor të vijnë gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit të datës 25 shumë besimtarë të qytetit, të cilët luten e këndojnë psalme të ndryshme. Festa e Krishtlindjes filloi që në datën 24 me Shërbesën e Orëve, Mbrëmësores së Madhe si edhe Meshës së Shën Vasilit. Më pas banda muzikore e qytetit e përbërë nga 20 muzikantë e shoqëruar nga kori i vajzave, psaltët e kishës dhe nga shumë besimtarë ekzekutoi himne dhe psalme nëpër rrugët e qytetit.
Në datën 25 në mëngjes kisha ishte përsëri plot me besimtarë, të cilët morën pjesë në Liturgjinë e Krishtlindjes. Pas Liturgjisë, këshilli kishtar organizoi një kokteil dhe pritje, në të cilën erdhën për të uruar përfaqësues të pushtetit lokal, të institucioneve të ndryshme shtetërore, përfaqësues të shoqatave dhe partive politike si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare të qytetit.
Në datën 30 dhjetor, besimtarët i gëzoi edhe prania e Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit, i cili celebroi Liturgjinë Hyjnore i ndihmuar edhe nga prifti predikues nga Patra e Greqisë, Atë Sotiri, i cili bëri edhe predikimi e rastit.
Gjatë ditëve të para të vitit të ri, në kishën erdhën shumë besimtarë të cilët ndiznin qirinj dhe luteshin për një vit të mbarë. Në datën 6 Janar në mëngjes u celebrua Liturgjia Hyjnore dhe më pas u krye Shërbesa e Bekimit të Ujit, ku edhe besimtarët morën nga ky ujë i bekuar për ta përdorur në raste sëmundjesh të ndryshme. Më pas besimtarët shkuan në anë të detit, tek vendi i quajtur “Moli i Vlorës” dhe pas një shërbese të shkurtër u bë hedhja e kryqit në det nga Atë Kostandin Prifti. Këtë vit kryqi u kap nga besimtari 53 vjeçar Vangjel Ndini, të cilit iu dha një dhuratë simbolike nga kisha. Duhet theksuar se moti ishte shumë i keq dhe binte shumë shi, por kjo nuk i pengoi besimtarët të merrnin pjesë në këtë ceremoni të bukur.
Krishtlindjet dhe Uji i Bekuar u festuan edhe në kishat e tjera të zëvendësisë; në “Shën Dhimitër” – Dukat, në “Shën e Diela” – Nartë, në “Shën Dhimitër” – Mëkat, në “Shën Koll” – Poro, në “Ngjallja e Krishtit” – Novoselë, në “Shën Spiridhon” – Mifol si edhe në “Pesë Martirët” – Bestrovë. Në këto kisha Bekimi i Ujit u bë në ambientet e brendshme. Kronika të shumta nga këto veprimtari u transmetuan gjerësisht në mediat lokale.
Selenicë: Edhe në qytetin e Selenicës festa e Lindjes së Krishtit u prit dhe u festua me gëzim nga të gjithë besimtarët e qytetit.
Në datën 25 Dhjetor në orën 00 të mesnatës disa grupe fëmijësh duke mbajtur ikonën e Lindjes së Krishtit në dorë shkuan në shtëpitë e besimtarëve duke kënduar këngën tradicionale “Mirëmëngjes o i zoti i shtëpisë kemi ardhur për bakshish se ka lindur Zoti Krisht nga barku i Shën Mërisë”. Besimtarët hapnin dyert e shtëpive dhe u jepnin fëmijëve të holla dhe fruta të ndryshme. Ky rit bëhet çdo Krishtlindje dhe vazhdon deri në orët e para të datës 25 dhjetor.
Në mëngjes, në kishën e “Shën Athanasit ” u celebrua Liturgjia Hyjnore në të cilën morën pjesë shumë besimtarë. Pas Liturgjisë, Këshilli Kishtar organizoi një kokteil dhe pritje në të cilën erdhën për të uruar përfaqësuesit e pushtetit lokal të institucioneve të ndryshme shtetërore, si dhe përfaqësues të shoqatave dhe të partive politike.
Ka disa vite që në këtë kishë me rastin e Krishtlindjeve vjen për të festuar me fëmijët e Selenicës edhe Atë Sotiri me një grup të rinjsh nga Patra e Greqisë. Edhe këtë vit, më 28 dhjetor, Atë Sotiri ishte përsëri mes fëmijëve të Selenicës me të cilët organizoi një festë të bukur. U kënduan psalme dhe u treguan histori të ndryshme Krishtlindjesh, që dëgjoheshin me interes nga fëmijët. Pas festës, fëmijët morën nga miqtë grekë edhe një dhuratë të vogël. Prania e miqve nga Patra si edhe pjesëmarrja e 250 fëmijëve krijoi një atmosferë të gëzueshme në ambientet e Kishës.
Vitin e kaluar, për herë të parë në historinë e Selenicës u bë hedhja e kryqit në lumin Vjosë, kjo falë iniciativës dhe këmbënguljes së besimtarit Spiro Kiço Bombaj. Edhe sivjet në 6 Janar pas celebrimit të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët sugjeruan që tradita e filluar të vazhdojë. Besimtarë të ndryshëm u mblodhën në qendër të qytetit dhe prisnin të përmirësohej moti pasi binte shumë shi. Por këmbëngulja e iniciatorit Z. Spiro ishte kaq e madhe sa ai iu drejtua besimtarëve duke iu thënë që të niseshin për tek lumi sepse kur të arrinin aty do të dilte dielli. Kështu ndodhi. Pasi u nisën nëpër shi në vendin që do të kryhej ceremonia, buzë lumit Vjosë shiu pushoi dhe doli dielli. Të gjithë shikonin njëri-tjetrin dhe i gëzoheshin kësaj mrekullie. Pas shërbesës së rastit u bë hedhja e kryqit në ujin e ftohtë dhe të rrëmbyeshëm të Vjosës. Për të kapur kryqin u hodhën në lumë të rinjtë: Sokol Petraq Mitraj dhe Andrea Stavri Mitraj. Pas disa çastesh kërkimi në ujin e turbullt kryqi u nxor nga i riu Andrea Mitraj, të cilit iu dha një dhuratë simbolike nga kisha. Shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe në vitet që do të vijnë.
Atë Spiro Bulika