Duke ndarë dhimbjen me vëllezërit në nevojë

    Disa ditë pas tragjedisë së Gërdecit, një përfaqësi nga Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” pranë Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit në Durrës, dhe nga Komunitetit Orthodhoks i kishave të Durrësit dhe të Kavajës, të kryesuar nga Episkop Nikolla, Atë Spiro Tola, Dhjakon Spiro Kostoli dhe një grup studentësh, realizoi shpërndarjen e disa ndihmave materiale tek banorët e dëmtuar në fshatin Marikaj. Ndihmat u ofruan nga të ardhurat e mbledhura prej studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të Akademisë Teologjike si edhe të shumë besimtarëve orthodhoks të qyteteve fqinj.

    Më 26 mars, kjo përfaqësi u takua në Bashkinë e Vorës me kryetarin z. Fiqeri Ismaili dhe nënkryetarin z. Aqif Muça. Ata shprehën falënderimet e tyre për mbështetjen dhe ndihmën që u dha nga ana e Komunitetit Orthodhoks.

     Ndër të tjera kryetari i Bashkisë Z. Fiqeri Ismaili theksoi: “Për vetë vendin ku ndodhi tragjedia ishte një pikë strategjike, ishte vërtet një mrekulli që përmasat nuk ishin shumë të mëdha dhe numri i viktimave do kishte qenë shumë më i madh. Nëse Zoti bën mrekulli kjo është një prej tyre”.

    Ndihmësdrejtori i Akademisë Teologjike, Hirësi Nikolla shprehu mbështetjen e Kishës sonë dhe të Kryepiskopit Anastas për të lënduarit në këtë katastrofë.

    “Kisha Orthodhokse mendoi për lehtësimin e dhimbjes dhe të plagëve të banorëve të dëmtuar nga kjo tragjedi duke e bërë këtë gjë realitet me lutjen dhe ndihmën materiale që Ajo ofroi për familjet e dëmtuara”.

    Kjo përfaqësi, së bashku me studentët e Akademisë Teologjike, e shoqëruar nga kryeplaku z. Fiqeri Subashi, bëri shpërndarjen e 160 pakove me ndihma nëpër shtëpitë e banorëve të fshatit Marikaj. Banorët shprehën mirënjohjen duke theksuar se kjo ishte ndihma e parë që iu ishte ofruar atyre.

    Ndihma ndaj të dëmtuarve është bërë evidente çdo ditë. Akademia Teologjike dërgon çdo pasdite katër studentë për të qëndruar pranë fëmijëve dhe të rinjve me veprimtari të ndryshme kulturore e argëtuese. Gjithashtu Kisha jonë Orthodhokse ka atashuar një person që qëndron gjatë gjithë kohës në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme (Kovaleshencës) në Durrës, duke iu përgjigjur çdo kërkese dhe nevoje imediate nga familjarët e shumtë që ndodhen aty përkohësisht.

Nestilda Dangaj