|
Bashkëpunimi i krijuar midis të rinjve shqiptarë dhe atyre kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë 1999 ka ndjekur një traditë të veçantë përgjatë këtyre viteve. Përmes kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar një bashkëpunim i ngushtë në shkëmbimin e eksperiencave dhe thellimin e miqësisë, e cila nisi gjatë kohës së luftës dhe vijon të rritet çdo vit.
|
Pesë kampe me rreth 1800 fëmijë të shkollave kosovare u organizuan gjatë muajit gusht dhe shtator të këtij viti nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në komunën e Malishevës. Shkollat “Imer Krasniqi” dhe “Ilmi Hoti” në Carallukë, “Naim Frashëri” në Banja, “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, “Naim Frashëri” në Begaj pritën një grup prej 24 të rinjsh orthodhoksë, vullnetarë nga Kisha Orthodhokse për të shtatin vit radhazi.
|
|
|
“Kemi bashkëpunuar me bindjen që janë aktivitete të frytshëm dhe me interes për nxënësit dhe e pashë nga afër në Carallukë që të gjithë fëmijët ishin të kënaqur e të lumtur për punën. Ishte befasi e këndshme për të gjithë ne.” – tha Isuf Morina, drejtor i Drejtorisë Arsimore në Komunën e Malishevës. Aktivitetet ndihmojnë shumë në zhvillimin dhe mentalitetin e fëmijëve. Ata marrin njohuri në sjellje, disiplinë, edukatë dhe mësime, duke i përcjellë këto dije gjatë vitit shkollor.
|
Bedri Krasniqi ka qenë një prej bashkëpunëtorëve të parë me stafin e rinisë orthodhokse që në kampin e parë dhe tregon se kjo miqësi sipas tij ka qenë plotësisht e sinqertë. “Pas lufte kemi qenë në kontakt të herë pas hershëm, pasi Kisha, përveç aktiviteteve na ka ndihmuar me bibliotekën e shkollës që të krijojmë një ambient sa më të mirë dhe me tituj librash të shtëpive botuese atje, tituj të dublikuar dhe libra për të rinjtë e Malishevës”- thekson mësuesi i fshatit Carallukë. Bedriu kujton se fëmijë e burra të traumatizuar pas luftës së vitit 1999 kishin nevojë për çlodhje dhe qëllimi ishte që fëmijët të argëtoheshin me lojëra të mrekullueshme për të harruar mundimet e luftës. “Aktivitetet kanë sjellë relaksim, kanë ndihmuar që unë si arsimtar ta organizoj mësimin në një nivel shumë më të lartë e cilësor.
|
|
|
Disa nga elementët që na kanë ndihmuar gjatë procesit mësimor nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë janë: metoda bashkëkohore e punës me fëmijët si dhe puna në grupe. Duke qenë nënshkrues të Kartës së Bolonjës duhej që puna e procesit mësimor të bëhej në grupe dhe kjo punë në shkollën tonë nisi me ndihmën e Kishës, para se të fillonte kjo reformë. Ne si staf i shkollës së Carallukës e kemi pasur më të lehtë të punojmë me nxënësit në këtë formë”.
|
Programi i sivjetëm i këtyre kampeve përmbante lojëra në grup të vogël, këngë me lëvizje, diskutime mbi aspekte të ndryshme të lirisë, e cila ishte edhe tema qendrore e veprimtarisë. Kjo temë u fokusua në çështje të tilla si: respekti, vetëkontrolli dhe përgjegjësia. Drejtuesi i kësaj veprimtarie tashmë tradicionale, z. Nathan Hoppe tha para nxënësve kosovarë: “Liria është një nga vlerat më të çmuara njerëzore, dhuratë që Zoti na ka dhënë të gjithëve. Shpesh në histori liria ka mbetur si koncept i lidhur me politikën sesa me jetën e përditshme të njerëzve.
|
|
|
Shpresojmë që me këto vlera do të gëzoni dhe përjetoni një liri personale dhe Kosova do të shkojë përpara e do të ketë një shoqëri me të vërtetë të lirë ku çdo person do të gëzojë lirinë e tij.”
Veprimtaria vazhdonte edhe me lojëra në grup të madh, punëdore, kokteil, lojëra olimpike dhe festivali mbyllës i kampit, ndërsa në fund shtrohej një darkë për nder të arsimtarëve të këtyre shkollave.
|
Drejtori i një prej shkollave. Z. Mifail Krasniqi tha: “Fëmijët më shumë se kushdo tjetër kanë nevojë për aktivitete të tjera, edhe luajnë, edhe gëzohen, edhe kënaqen edhe mësojnë dhe kanë vërtetë nevojë për aktivitete të këtij lloji. Ky është një bashkëpunim i frytshëm dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Edhe mësuesit e prindërit janë të kënaqur me lumturinë që ndjenë fëmijët e tyre”.
|
|
Një prej fëmijëve nga Malisheva, Edona, tregoi se kishte mësuar shumë për lirinë dhe ka dëshirë që të marrë pjesë edhe në kampet e ardhshme. “Gjithmonë stafi i të rinjve orthodhoksë sjell risi, diçka relaksuese, argëtuese, por mbi të gjitha ata kanë sjellë diçka që na kanë rrënjosur në zemrat tona vullnetin për të qenë njerëz të së ardhmes” – përfundon mësuesi Bedri Krasniqi.
Të nxitur nga ky aktivitet edhe disa shkolla të tjera kanë bërë kërkesën që në të ardhmen ky aktivitet të zhvillohet edhe në shkollat e tyre.
Isidor Koti & Gabriela Hoppe