Në institucionet arsimore të Kishës sonë u organizuan veprimtari kulturore dhe bamirësie me rastin e Festave Kombëtare të 28 – 29 Nëntorit. Si çdo vit, ato u kremtuan me solemnitet nga brezat e rinj, të cilët nderojnë veprën dhe sakrificat e paraardhësve.
 

    Data 22 nëntor ishte e veçantë në shkollën shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, në Tiranë. Në klasat fillore mësuesit folën për historikun e flamurit, ndërsa nxënësit recituan vjersha e poezi atdhetare. Më pas, të gjithë u mblodhën në oborrin e shkollës, me flamuj të përgatitur nga vetë nxënësit në orën e artit dhe kënduan së bashku himnin dhe këngën e flamurit.

    Nxënësit e klasave të larta kishin përgatitur dramatizimin “Nëntori i dytë”, me personazhe kryesore Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Marigo Pozio etj., por edhe historikun e Ditës së Falënderimeve, një nga festat kombëtare të SHBA.

    Një aktivitet shumë i rëndësishëm ishte edhe vepra bamirëse ndaj moshatarëve me probleme ekonomike e sociale. Deri në datën 22 nëntor, nxënësit e kësaj shkolle kishin mbledhur dhurata në veshje e ushqime për fëmijët në nevojë. Këto dhurata drejtuesit e shkollës bashkë me mësuesit i çuan në organizatën “The children of the World”, për fëmijët romë.

    Në kuadër të festave kombëtare të nëntorit është kthyer në traditë organizimi i aktiviteteve të veçanta edhe në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Studentët e kësaj Akademie përcollën mesazhin e tyre për festat, duke vlerësuar përpjekjet e popullit për pavarësinë dhe çlirimin e atdheut.

    Veprimtaria filloi me troparin “Përlufteshës gjenerale” dhe më pas u mbajt referati me temë “Dita e Pavarësisë”, nga pedagogu i lëndës së historisë në këtë Akademi, atë Emanuel Lusha. Gjatë referatit, ai përmendi përpjekjet e shumta të popullit tonë në shekuj, duke theksuar rolin e figurës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit dhe më pas atë të atdhetarëve të shumtë që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë dhe Çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët.

    Në referatet e tjera u fol se si u krijua Himni kombëtar dhe për Flamurin kuq e zi, simbolet e kombit tonë. Në këto kumtesa u kujtua lufta shekullore që ka bërë populli ynë për të fituar lirinë.

    Krahas këtyre referateve atmosfera e festës u bë dhe më e bukur me buqetën e recitimeve dhe këngëve që sollën fëmijët e shtëpisë “Shpresa”.

    Më pas u mbajt një minutë heshtje në nderim të të rënëve, që u pasua nga këndimi i Himnit tonë kombëtar. Aktiviteti u mbyll me përshëndetjen e rastit nga zëvendësdrejtori i Akademisë, Hirësi Nikolla, i cili theksoi rëndësinë e lirisë: Zoti e la njeriun e lirë, ndaj të gjithë duhet ta respektojmë lirinë”.

 

 

Përgatitën:

Luljeta Pjetri, Nestilda Dangaj