Kampi i Skrofotinës ngrihet pranë një kodre të vogël në fshatin me po të njëjtin emër, pranë rrugës kombëtare Fier-Vlorë. Në pjesën perëndimore ndodhet kriporja e Vlorës dhe më tej horizontit duket laguna e Nartës bashkë me ishullin e bukur të Zvërnecit.
Programi në këtë kamp zhvillohej në një ambient të ngrohtë vëllazëror dhe familjar. Zgjimi ishte në orën 8:00, më pas kryhej Shërbesa e Mëngjesores. Nisja për në plazh ishte në orën 10:00 dhe kthimi ishte në orën 13:30. Pas drekës kishte një kohë pushimi, çlodhjeje dhe meditimi. Në orën 17:30 zhvilloheshin aktivitete sportive ndërmjet kampistëve. Në orën 19:30 kryhej Shërbesa e Paraklisit, në nderim të Hylindëses Mari.
Në orën 20:30 shtrohej darka dhe më pas programi vijonte me aktivitete argëtuese. Këto ditë çlodhëse në kampin e Skrofotinës iu dhanë mundësinë të rinjve të kishin një hapësirë më të madhe kohore për meditim dhe të falënderonin Perëndinë për të gjithë të mirat që Ai jep, në çdo aspekt të jetës, ku një shërbim i veçantë është edhe koha e kampeve verore që organizon Kisha. Ky kamp i ri dhe frytdhënës është vazhdim i punës së bariut tonë, Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, i cili e rivendosi në funksion këtë ambient përsëri pas një ndërprerje të gjatë.
Emanuel Pupi
Anesti Kepi