U realizua edhe këtë vit për të gjashtin vit radhazi programi i kampingjeve verore të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një nga veprimtaritë më të hareshme të kësaj Mitropolie. Kampingjet mblodhën fëmijë dhe të rinj nga zona të ndryshme të Mitropolisë, duke u dhënë atyre mundësinë të plotësojnë përgatitjen shpirtërore që marrin në shkollat e katekizmit, të shijojnë përvojën e mrekullueshme të jetesës së përbashkët dhe adhurimit orthodhoks si edhe gëzimin e njohjes mes tyre. Sikundër ka theksuar Kryepiskopi Anastas, kampingjet përbëjnë shkollat verore të Kishës sonë Orthodhokse, në një kohë kur këta nuk mësojnë asgjë rreth besimit fetar në arsimin publik.
Me bekimet e Mitropolitit të Gjirokastrës, dhjetëra të rinj dhe të reja nga pothuajse të gjitha trevat iu gëzuan kësaj përvoje të papërsëritshme. Në kampin e Glikomilit të Dropullit u pritën më shumë se 200 fëmijë (djem dhe vajza) në periudha të ndryshme kampingu. Një kamping tre-ditor u organizua gjithashtu për nëna të reja nga Gjirokastra dhe Dropulli. Motoja qendrore e kampingut ishte: “Hierapostoli në gjurmët e Krishtit” i marrë nga libri i Kryepiskopit tonë që qarkulloi kohët e fundit. Për funksionimin e mbarë të kampingut kontribuuan kuadro të Mitropolisë si dhe të ardhur nga Greqia, të cilët ofruan shërbime të vyera dhe shkëmbyen përvojë. Në të gjitha periudhat e kampingut, Ajazmën e çeljes e kreu Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia e Tij z. Dhimitër, i cili i palodhur kreu edhe shërbesa dhe mistere të tjera për kampistët, në një atmosferë shpirtërore. Fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës patën rastin të përjetonin përvoja të mrekullueshme, por më kryesorja përjetuan dhe morën pjesë në dy mistere të hirshme të Kishës sonë: misterin e Rrëfimit dhe Kungimit Hyjnor. Momente të hirshme dhe të papërsëritshme, përvoja të paprovuara për fëmijë dhe të rinj që jetojnë në enori të largëta dhe të izoluara.
Në këtë mënyrë, Mitropolia e Gjirokastrës vazhdon iniciativat e avancuara për shoqërinë shqiptare që të rinjtë të njohin besimin e vërtetë dhe të kenë integrim të shëndetshëm në shoqëri. Përvoja e kampingut i ndihmon të rinjtë tanë që të kenë një paraqitje ndryshe në komunitetet e fshatrave të tyre të largëta dhe malore me sjelljen e tyre kristiane dhe duke shpërndarë në to ngushëllim dhe shpresë.
Marrë nga “Enoria Jonë”,
buletin informativ i Mitropolisë së Gjirokastrës