Për lavdi të Perëndisë me bekimin e Mitropolitit të Korçës Hirësisë së Tij Joanit, në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës u zhvillua kampi rinor “Ngjallja e Krishtit”, pranë Manastirit të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë.
 
    Kamp, i cili është bërë tashmë një traditë prej tetë vjetësh dhe financohet nga Zyra Kombëtare e Rinisë në bashkëpunim me Zyrën e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë Korçë.
               
    Nga data 12 korrik deri në 21 korrik 2007 u zhvillua kampi i vajzave me një pjesëmarrje prej 53 personash ku 42 ishin kampiste, pjesa më e madhe e të cilave merrnin pjesë për herë të parë në një kamp.
 
    Drejtues shpirtëror ishte kleriku Atë Ilia Kotmilo dhe drejtuese kampi Kalina Thimo. Në zhvillimin e këtij kampi ndihmuan edhe dy studente të Akademisë Teologjike, si edhe një grup i madh anëtarësh të Lidhjes së Rinisë Orthodhokse në Korçë.
         
    Ndërsa kampi i djemve u zhvillua nga data 21 korrik deri në datën 30 korrik dhe pati një pjesëmarrje prej 53 personash gjithsej, 41 prej të cilëve ishin kampistë të moshës 13 deri 16 vjeç. Drejtues shpirtëror i kampit ishte kleriku Atë Konstandin Mujo dhe drejtuesit e rinisë: Mihal Sonellari dhe Vangjel Qazimllari.
 
    Tema qendrore e këtij kampi ishte: “Shkoni dhe bëni nxënës”. Temat kryesore ishin të përqendruara në pjesë nga libri i Veprave të Apostujve, nga Letrat e Apostujve dhe disa pjesë nga Ungjilli, të cilat kanë të bëjnë me veprën misionare të Kishës.            
 
    Gjithashtu për pjesëmarrësit në kamp u zhvillua një cikël katekizmi, ku u fol mbi Simbolin e Besimit, kreshmën, shenjtorët, ikonat, lutjen dhe misteret. Të dy kampet, si i vajzave dhe ai i djemve, patën një program me aktivitete të shumta e të larmishme argëtuese, lojëra, si edhe ekskursione në vendet piktoreske të zonës.
 
    U vizituan dhe u prezantuan kishat e fshatit që mbartin vlera të shumta fetare dhe historike. Gjithashtu u zhvillua edhe një ekskursion në fshatin Shipskë. Një moment i bukur, tashmë tradicionale, në programin e kampit ishte edhe mbledhja çdo mbrëmje rreth zjarrit, ku zhvilloheshin biseda të ndryshme.                             
 
    Gjithashtu edhe shërbesat kishtare të celebruara në kishën e Shën Joan Prodhromit patën edhe ato efektin e tyre dhe lanë gjurmë tek të rinjtë, të cilët të gjithë ishin pjesëmarrës në këto shërbesa duke psalur të gjithë së bashku nën drejtimin e kryetarëve të grupeve.
 
    Përveç garave sportive, në kamp u zhvilluan dhe konkurse me krijime si poezi dhe vizatime. Gjithashtu në kohën pas drekës dhe darkës, të gjithë së bashku këndonim këngë të ndryshme fetare dhe tradicionale.
 
    Ky kamp mbetet shumë i preferuar për të rinjtë e Dioqezës së Korçës dhe kontribuon ndjeshëm në rritjen e tyre shpirtërore, si edhe plotëson një pjesë të nevojave shpirtërore të rinisë në këtë dioqezë. Ishte vërtet e bukur të shikoje ata të rinj që të qëndronin si një familje e vetme. Në mes shoqërish të reja të krijuara dhe të bashkuara në emrin e Krishtit u mbyll edhe ky kamp për lavdi të Perëndisë.
               
 
Mihal Sonellari