Mes ambientit të bukur dhe gjelbërimit, hijeshisë dhe qetësisë së Manastirit shumëvjeçar, në datat 16-25 korrik, 140 pjesëmarrëse kishin ardhur nga shumë qytete të Shqipërisë për të marrë pjesë në veprimtarinë e përvitshme të kampeve që mbetet një ndër më kryesoret dhe më të spikaturat të sezonit të verës.
Edhe këtë vit kampi do të kishte një temë qendrore për të cilën vajzat do të mësonin rreth Krishtit, besimit të krishterë orthodhoks, por mbi të gjitha rreth ngjarjes më të madhe në historinë e njerëzimit. “Krishti u Ngjall, gëzimi im”.
Vajzat morën pjesë në të gjitha shërbesat kishtare, në studimet biblike, aktivitetet kulturore dhe lojërat sportive. Asnjë ditë nuk pati monotoni, përkundrazi vetëm aktivitet, njohje me shoqe të reja që vinin nga qytete të ndryshme. Një rol të veçantë për mbarëvajtjen e kampit kishin edhe drejtueset, të cilat japin gjithmonë ndihmën e tyre vullnetare me qëllim që kampi të jetë i suksesshëm.
Shërbesat u drejtuan nga Atë Viktor Bërdufi, i cili dha një ndihmë të vlefshme për rritjen shpirtërore të vajzave. Programi kishte një larmishmëri aktivitetesh ku spikatën lojërat sportive dhe aktivitete të veçanta si: nata ndërkombëtare, festivali, lojërat olimpike etj. Në këto programe, ato konkuruan me dinjitet me aftësitë e tyre, duke marrë në shenjë falënderimi një çertifikatë nderi.
Nëpërmjet referetave dhe studimeve biblike, vajzat mësuan disa elementë të rëndësishëm të besimit. Një bekim i veçantë që u përjetua me shumë emocione nga kampistet ishte edhe pagëzimi i 18 vajzave katikumene, të cilat u bashkuan me Kishën e Krishtit dhe u bënë pjesë e familjes së madhe të krishterë.
Çdo ditë kishte të veçantën e vet dhe për drejtueset e kampit dhe ky vit do të mbetet i paharruar në përjetimet që kaluan me aq shumë të papritura dhe gëzime. Ndërsa fëmijët shprehën falënderimet e tyre edhe nëpërmjet prindërve, të cilët disa ditë pas përfundimit të kampit takonin si edhe telefonuan drejtueset, duke iu shprehur atyre mirënjohjen e thellë për ditët e gëzuara që fëmijët e tyre kishin kaluar gjatë 10 ditëve të bekuara të kampit.
Gëzimi i Ngjalljes së Krishtit përjetohej çdo ditë në kamp edhe nëpërmjet këndimit të himnit: “Krishti u Ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali”.
Sofia Bregu