Periudha e kampit të dytë për vajza, organizuar edhe këtë vit në manastirin e Shën Joan Vladimirit, pranë qytetit të Elbasanit, solli 67 vajza nga e gjithë Shqipëria në datat 28 korrik deri në 7 gusht.
Ky është një nga aktivitetet më të dashura për vajzat, të cilat kanë nevojë për shoqëri të reja të krishtera si edhe të forcojnë komunikimin e tyre me Perëndinë, prandaj çdo vit ambienti i manastirit kthehet në shtëpi mikpritëse për këto vajza.
|
|
|
Prej më tepër se 8 vitesh, ambientet e manastirit janë rregulluar më së miri, duke i ofruar çdo kampisteje kushte shumë të mira qëndrimi, ushqimi, argëtimi dhe qetësie, të gjitha këto nën kujdesin e veçantë të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas.
|
Tema kryesore e kampit për këtë vit ishte: “Krishti u ngjall, gëzimi im!”. Stafi organizues i këtij aktiviteti u përpoq që me punën e tyre parapërgatitore të jepnin tek të gjitha kampistet mesazhin shumë domethënës të kësaj shprehjeje.
|
|
Programi ishte i ndarë në shpirtëror dhe argëtues. U formuan 8 grupe me vajza, përkatësisht me emrat e Fryteve të Shpirtit të Shenjtë. Vajzat drejtuese të grupeve dhe ato përgjegjëse për aktivitetet e veçanta ishin studente të diplomuara dhe aktualisht studente të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.
|
|
|
Për drejtimin e punëve, ndihmesë u dha edhe nga vajza të Qytetit Studenti në Tiranë, si edhe të rinisë së Kishës së Kavajës. Dita fillonte me lutje drejtuar Perëndisë, ku vajzat mblidheshin të gjitha në kishë për shërbesën e mëngjesores. Vajzat patën mundësinë të mësojnë Kanonin e Pashkës dhe shumë lutje të tjera të Kishës Orthodhokse.
|
Gjatë Shërbesës së Mëngjesit, një nga drejtueset e grupeve prezantonte për të gjitha vajzat një material shpirtëror përgatitur rreth temës së apostullit ose ungjillit të asaj dite. Shërbesa pasonte me kohën e qetë rreth 15 minuta dhe më pas me mëngjesin dhe pastrimin rreth kampit. Studimet biblike ishin shumë të rëndësishme për ngritjen shpirtërore të vajzave kampiste.
|
|
|
Temat e zgjedhura për këtë vit ishin mbi Kishën, Misteret, Lutjen, Adhurimin etj. Atmosferë të veçantë sollën në kamp edhe referuesit, të cilët patën mundësinë të ndanin me vajzat mendimet, idetë dhe përjetimet e tyre mbi temat si Ngjallja e Krishtit, Përmes kryqit vjen gëzimi, Si jetojmë me gëzimin e Ngjalljes çdo ditë, Himnologjia e Ngjalljes, si dhe Krishti u ngjall, gëzimi im!
|
Referuesit me referatet e tyre ndihmuan në kuptimin dhe përjetimin e temës kryesore të kampit. Shumë vajza patën mundësi të merrnin pjesë në misterin e shenjtë të Rrëfimit, kryer nga atë Jani Trebicka. Ndërkohë që në ditët e fundit të kampit, 7 vajza vendosën të bëheshin anëtaret më të reja të Kishës Orthodhokse, duke u pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
|
|
|
Gjatë periudhës së kampit vajzat morën pjesë në katër Liturgji Hyjnore, duke mësuar kështu më tepër mbi rëndësinë dhe mënyrën se si bëhej dhe se si duhej të përjetohej kjo shërbesë. Të gjitha shërbesat fetare u kryen nga prifti i kampit, atë Viktor Bërdufi. Gjithashtu u organizua edhe një konkurs mbi njohuritë e përgjithshme rreth besimit tonë orthodhoks, si edhe mbi materialin e prezantuar në referate dhe studime biblike.
|
Ditën e fundit të kampit u shpërndanë çmimet për grupet fituese të lojës së volejbollit dhe të konkursit biblik. Prezantimit të Akademisë iu dedikua një pasdite e veçantë. Vajzat studente ndanë me të gjitha vajzat e kampit me dëshminë e tyre përjetimet dhe jetën e tyre në Akademi.
|
|
|
Festa e 2 gushtit, 15 vjetori i Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas ishte një nga ditët më të veçanta për shumicën e vajzave, mendime këto të shprehura në vlerësimet e fundit. Shumë nga to merrnin pjesë për herë të parë në një Liturgji Sinodike, si edhe takuan nga afër Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Fotoja me të do të jetë për të gjitha vajzat kujtimi më i bukur i këtyre ditëve.
|
Programi argëtues kishte një larmishmëri aktivitetesh, ku vlen të përmenden loja e motrës misterioze, lojë kjo shumë e dashur për të gjitha vajzat kampiste dhe drejtuese, kampionati i volejbollit, projekti i punës së dorës, që për këtë vit ishte punimi me shtiza i një çante, përgatitja nga ana e grupeve, të këngëve, skeçeve ose pjesëve të tjera artistike dhe prezantimi i tyre gjatë programit të mbrëmjes për të gjithë kampin.
|
|
|
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit u mendua të organizohej një natë shqiptare, e cila konsistonte në paraqitjen e materialeve nga vetë vajzat pjesëmarrëse, të qyteteve nga ato vinin. Me këtë organizim u arrit edhe forcimi i njohjes me njëra – tjetrën i vajzave të cilat vinin nga i njëjti qytet ose mitropoli. Përveç informacionit karakteristik mbi qytetin e tyre, ato prezantuan edhe aktivitetet e jetës fetare të atij grupi. Përshëndetjet me këngë dhe valle tradicionale të qyteteve ia shtuan edhe më tepër bukurinë kësaj mbrëmjeje.
|
Një pasdite u organizua shëtitje në mal. Për shumë vajza kjo ishte një eksperiencë e panjohur dhe në të njëjtën kohë shumë e veçantë. Të së njëjtës rëndësi ishin bisedat në grup dhe lojërat, që kryheshin gjatë ditës në sallën e përgatitur posaçërisht për këtë aktivitet. Gjatë periudhës së kampit, vajzat patën mundësinë të dëgjonin leksione mbi Ndihmën e Parë dhe mbi tema të ndryshme sociale nga dy pjesëtare të stafit të zyrës “Diakonia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë), zyrë kjo, e cila që prej tre vjetësh ofron shërbimin e saj edhe për vajzat e kampit “Bariu i Mirë” në Shën Joan Vladimir.
|
|
Gjatë qëndrimit në kamp, të gjitha vajzat u përpoqën të njihnin sa më tepër shoqe dhe të krijonin kështu një shoqëri të mirë të krishterë, e cila do të vazhdonte edhe pas përfundimit të kampit. Opinionet mbi kampin dhe organizimin e tij, vajzat patën mundësinë t’i përcillnin edhe për moshatarët e tyre kudo në Shqipëri, nëpërmjet korrespondentëve të Radios “Ngjallja”, të cilët përgatitën në vazhdim edhe një emision mbi këtë aktivitet.
|
Aktivitete shtesë gjatë qëndrimit në kamp ishte edhe mësimi që priftëresha Julita Sharko dhe njëkohësisht kuzhinierja e kampit dha për të gjitha vajzat mbi mënyrën e gatimit të bukës së meshës. Pati shumë interes për shumë vajza, disa prej të cilave morën kurajën të gatuanin vetë bukën e meshës për liturgjitë që do të zhvilloheshin në kamp. Me shumë interes u panë nga vajzat edhe mësimi i bërjes së kryqit me rruaza dhe i komboskinit.
Të gjitha vajzat patën mundësinë të pajiseshin me dosjen e tyre me shumë materiale të dobishme për jetën e tyre shpirtërore, duke përmendur këtu broshurën me Kanonin e Pashkës, librin me autor Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas “Tani të gjitha u mbushën me dritë … ” me të gjitha mesazhet e Pashkës drejtuar besimtarëve orthodhoksë gjatë këtyre 15 vjetëve, botimin “Jetë shenjtorësh” nr. 4, si edhe shumë mesazhe të tjera shpirtërore. Dëshira e të gjitha vajzave, të cilat u larguan të përlotura nga kampi dhe shoqet e tyre të reja ishte: Më tepër ditë kampi!
Duke falënderuar stafin organizues të këtij aktiviteti dhe të gjithë ato që ndihmuan gjatë gjithë kësaj periudhe, shpresojmë të kemi edhe vitin tjetër po këtë gjallëri dhe atmosferë, pse jo edhe me më tepër ditë kampi!
Krishti u ngjall, gëzimi im!
Sonila Dedja