Në një ambient piktoresk ku mbizotëron gjelbërimi, ajri i pastër dhe harmonia e natyrës, në ishullin që ndodhet në prehrin e lagunës së Nartës dhe ku historikisht qëndron madhështor Manastiri i famshëm “Fjetja e Hyjlindëses” në Zvërnec të Vlorës, u zhvillua kampi i dytë i Kishës sonë me djemtë e moshës 14 – 18 vjeç. Dhjetë ditë (13 – 23 korrik) ishin më shumë se shënimet e një ditari. |
|
|
Larg një monotonie të zakonshme verore dhe ditëve të nxehta, larg përkëdheljeve prindërore… në një atmosferë të krishterë mes dashurisë vëllazërore, me lutje e biseda miqësore, lojëra sportive, por edhe punë për tu njohur dhe përgatitur me sfidat e panumërta të jetës. |
Kjo ishte tabloja e projektuar në vëmendjen e gjimnazistëve që kishin ardhur nga pothuajse e gjithë Shqipëria. Ata ishin 120 vetë dhe bashkë me drejtuesit e tyre, të cilët vinin nga Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit përjetuan një kamp që shkonte përshtat edhe me temën qendrore: “Tani të gjitha u mbushën me dritë”. |
|
|
Zvërneci mbetet pa asnjë mëdyshje vendi më i spikatur për kampet e djemve dhe një ambient i përshtatshëm për të gjallëruar jetën shpirtërore. Ky vend është i mbushur me dritën e Krishtit dhe të rinjtë përjetojnë bekime të shumta, aq domethënëse për jetën e tyre shpirtërore. |
Në një bisedë që zhvilluam me përgjegjësin e këtij aktiviteti, z. Harallamb Terziu, u njohëm me programin e përditshëm. Mëngjesi niste me ngritjen e flamurit që shoqërohej me këndimin e himnit të kampit. Më pas gjimnazistët merrnin pjesë në shërbesën e Mëngjesores. |
|
|
Pas ngrënies së mëngjesit zhvillonin një diskutim në grup të vogël rreth mesazhit të Ungjillit të ditës. Orët e drekës i kalonin në plazh, ndërsa gjatë pasdites zhvillonin lojëra sportive si kampionate futbolli, shahu, tavlle, domino etj. |
Në orën 19.00 të gjithë së bashku mblidheshin në oborrin e Manastirit për të dëgjuar referatin, i cili mbahej nga klerikë, teologë dhe pedagogë të Akademisë Teologjike. Në mbrëmje zhvillohej edhe shërbesa e Pasdarkës, ndërkohë që të ditën e diel dhe të kremtet e mëdha të Kishës kryhej Liturgjia Hyjnore. |
|
|
Një nga ditët më të veçanta të kampit ishte edhe pagëzimi i 20 të rinjve, të cilët “u veshën me Krishtin”, duke u bërë anëtarë të Kishës së Tij. Pagëzimi u krye nga Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, i ndihmuar edhe nga Atë Kozma Sovjani dhe dhjakon Spiro Kostoli. Shumë të rinj morën pjesë edhe në Misterin e Rrëfimit, i cili u krye nga Atë Jani Trebicka. |
Një ndihmë të veçantë për pasurimin e jetës shpirtërore të kampistëve dha edhe Atë Kozmai, i cili si Atë shpirtëror i këtij kampi qëndroi çdo moment pranë të rinjve, duke iu qëndruar pranë në problemet e tyre dhe këshillat atërore. |
|
|
Gjithashtu kampi u vizitua edhe nga dy drejtuese të kampit të vajzave, Sonila Dedja dhe Ana Kërçyku, që është duke u zhvilluar paralelisht në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit. Ato folën për eksperiencën në kampet e vajzave dhe për temën: “Si të ecim me Krishtin”. |
Madje iu mësuan gjimnazistëve disa këngë e lojëra argëtuese. Kampi përfundoi me një mbrëmje festive dhe pjesëmarrësit u shprehën të kënaqur për organizimin dhe të gjitha bekimet që morën në këtë veprimtari. |
|
Isidor Koti