|
Lidhja e të rinjve shqiptarë me fëmijët kosovarë po ndjek një traditë të veçantë përmes organizimit të aktiviteteve kulturore dhe edukative. Për të gjashtin vit me radhë, një grup vullnetarësh orthodhoksë shqiptarë synojnë të mbjellin dhe të kultivojnë te fëmijët e komunës së Malishevës vlerat kryesore të shoqërisë.
|
Këtë verë ata organizuan katër kampe verore që identifikohen me emra virtytesh të tilla si: në Carallukë me emrin “Zemërgjerësia”, në Malishevë me emrin “Shpresa”, në Banja me emrin “Gëzimi” dhe në Begaj me emrin “Mirësia”. Më shumë se 1500 fëmijë morën pjesë në këto veprimtari të larmishme.
|
|
|
Vullnetarët e ardhur nga Shqipëria u përqendruan në programe edukative përmes të cilave realizuan përcjelljen e dijes dhe krijimtarisë te fëmijët, duke i shndërruar kështu kampet në një model të shkollave verore.
|
Ky aktivitet drejtohet nga Zyra e Fëmijëve me drejtues të saj, misionarin amerikan z. Nathan Hoppe, i mbështetur nga një staf i përbërë prej 25 vetësh, kryesisht studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, si dhe përfaqësues nga rinitë orthodhokse të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Nga viti 2001 rreth 100 vullnetarë të Kishës Orthodhokse kanë dhënë kontributin e tyre në këto aktivitete.
|
|
|
Programi përmbante mësimdhënie me karakter social-kulturor, lojëra argëtuese në grup të vogël dhe të madh, këngë, dramatizime etj. lojëra olimpike, punëdore dhe kokteil. Kampi mbyllej me një program festiv i përgatitur nga vetë fëmijët kosovarë ku ishin të ftuar arsimtarët e shkollave përkatëse dhe prindër të fëmijëve. Gjithashtu në fund të çdo kampi organizohej një mbrëmje festive me arsimtarët e këtyre shkollave.
|
“Synimi ynë është të krijojmë dhe të forcojmë miqësinë midis nesh dhe fëmijëve” – tha Nathan Hoppe, drejtor i stafit të kampit. Ndërsa koordinatorja e stafit të të rinjve vullnetarë znj. Gabriela Bezhani tha se qëllimi i organizimit të këtyre kampeve ishte që të argëtohen fëmijët pas traumave të luftës, të krijohen ura miqësie midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit.
|
|
|
“Sot mund të them që jam e kënaqur me punën që kemi bërë. Virtytet me të cilat identifikohen kampet tona paraqesin vlera të veçanta dhe në këtë plan mendojmë se kemi kontribuar diçka për shoqërinë kosovare” – tregon ajo.
|
Organizimi i kampeve bëhet në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe me lejen e Drejtorisë Komunale të Arsimit pasi kampistët janë nxënës shkollash fillore. Nga viti në vit ka edhe kërkesa nga shkolla të tjera për organizimin e këtyre kampeve. Idriz Hoti, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Imer Krasniqi” iu drejtua sivjet përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë që të mundësohet organizimi i kampit veror për nxënësit e shkollës së tij.
|
|
|
“Kemi shumë fëmijë që ende janë me shenja e trauma nga lufta dhe gjendja e rëndë sociale nuk iu jep mundësi që t’i përjetojnë dhe t’i bëjnë aktivitetet shumë të mira dhe të dobishme për fëmijët, siç i bën Kisha Orthodhokse e Shqipërisë”. Drejtoresha e Arsimit znj. Sanije Kelmendi tha se vitin e kaluar nuk e kishte besuar që kampet ishin kaq mirë dhe që fëmijët kënaqeshin kaq shumë. “Unë shpresoj që këto kampe të vazhdojnë sërish edhe në vitet e ardhshme”. Ndërsa banorët e zonës kanë shprehur konsideratat e tyre për këto aktivitete.
|
“Fëmijët tanë kanë marrë pjesë vazhdimisht në kampet e organizuara nga Kisha Orthodhokse dhe mezi kanë pritur që të vijë koha e organizimit të tyre” – thotë banorja e Carallukës znj. Emine Krasniqi. Ndërsa Milaim Kastrati, banor i Malishevës flet pozitivisht për punën e vullnetarëve të Kishës në kampin e së cilës ka marrë pjesë vajza e tij Mirenxa.
|
|
|
“Vajza ime ka qenë shumë e kënaqur. Në kamp ka pasur lojëra, këshilla edukative dhe unë jam i kënaqur me punën që është bërë dhe që është reflektuar shumë mirë tek vajza ime” – thotë ai.
|
Shkollës “Hilmi Hoti” iu dhuruan dy kompjutera dhe një printer, gjë për të cilën stafi pedagogjik dhe drejtori i shkollës ishin shumë mirënjohës pasi kishin nevojë për to. Këtij aktiviteti i kushtoi rëndësi edhe media kosovare, ndër të cilat gazetat “Koha Ditore” dhe “Zëri”.
|
|
|
Për t’iu përgjigjur kërkesës së drejtorit të shkollës “Imer Krasniqi” z. Idriz Hoti për mbajtjen e një kampi në shkollën e tij, në fund të muajit gusht do të organizohet kampi “Miqësia” në këtë shkollë.
|
|
|
Gabriela Bezhani dhe Isidor Koti