Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, duke patur parasysh kërkesën e drejtorive të disa shkollave si dhe me lejen e Kuvendit Komunal të Komunës së Malishevës, organizoi dhe financoi për të gjashtën vit radhazi kampingjet për fëmijë në Kosovë.
Ky aktivitet drejtohet nga Zyra e Fëmijëve me drejtues të saj Z. Nathan Hoppe, i mbështetur nga një staf i përbërë prej 25 vetësh, kryesisht studentë të Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, si dhe përfaqësues nga rinitë orthodhokse të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.
|
|
|
Kampi i parë u zhvillua në fshatin Carallukë të komunës së Malishevës, në shkollën “Hilmi Hoti”, në datat 21-24 Qershor dhe mbante temën “Zemërgjërësia”.
|
Në këtë aktivitet katër ditor morën pjesë rreth 400 fëmijë të moshave nga parashkollorët deri në fëmijët e klasave të teta dhe të nënta, të cilët u ndanë sipas grupmoshave.
|
|
|
Kampi zhvillohej në mëngjes për fëmijët nga parashkollorët në klasën e katërt dhe pasdite me fëmijët e klasave të pesta deri në të tetën. Të gjithë fëmijët morën pjesë aktive në të gjithë programin e kampit që përmbante:
|
1. Mësimdhënie me karakter social-kulturor
2. Lojëra argëtuese në grup të vogël dhe të madh, këngë, dramatizime etj. 3. Lojëra Olimpike, për të cilat u ndanë dhe çmime. 4. Punëdore 5. Kokteil 6. Festa e fundit |
|
|
Risi për këtë vit ishin dhe dy dramatizimet “Tre Fluturat” dhe “Pema që jep” të përgatitura nga stafi i Kampit. Gjithashtu vetë fëmijët shpalosën dijet dhe talentet e tyre përgjatë kampit, të cilat u kurorëzuan në festën e fundit ku çdo grup kishte përgatitur materiale artistike si: këngë, valle, drama etj., të cilat i dhanë një atmosferë festive ambientit dhe një ndjenjë gëzimi arsimtarëve të asaj shkolle.
|
Çdo gjë përfundoi me sukses falë mbështetjes dhe ndihmës së drejtorit të shkollës “Hilmi Hoti” z. Mifail Krasniqi si dhe stafit të arsimtarëve të shkollës me të cilët në shenjë mirënjohjeje dhe miqësie u organizua një darkë festive. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i dhuroi kësaj shkolle dy kompjutera dhe një printer të modelit printer-fotokopje-skaner, gjë për të cilën stafi pedagogjik dhe drejtori i shkollës ishin shumë mirënjohës pasi kishin shumë nevojë për to.
|
|
|
Në të njëjtat linja u zhvillua edhe kampi tjetër “Shpresa” në datat 26-29 Qershor në Malishevë në shkollën “Ibrahim Mazreku”, me drejtor Z. Rexhep Mazreku. Në këtë shkollë ishte viti i dytë radhazi që u zhvillua ky aktivitet, ku morën pjesë rreth 400 fëmijë. Edhe njëherë tjetër u demonstrua energjia dhe dinamika që këta fëmijë mbartin brenda vetes së tyre.
|
Së fundi, duhet të theksojmë se të dy këto aktivitete 4-ditore kishin si qëllim zhvillimin social, edukues dhe kulturor të fëmijëve nëpërmjet aktiviteteve përfshirëse, zbavitëse dhe edukuese. Në vazhdën e kampeve po organizohet kampi Mirësia në Begaj dhe pas tij do të organizohet kampi Gëzimi në fshatin Banja.
Elena Krakulli – Sevastiani Semini
|