Edhe pas një viti festa e Epifanisë së Zotit tonë Jisu Krisht ose e quajtur ndryshe edhe e Theofanisë i gjeti beratasit të mbledhur aty pranë Osumit, duke pritur me padurim bekimin e ujërave dhe hedhjen e Kryqit të Nderuar në lum. Kjo është një nga festat më të mëdha të vitit, sepse përfshin gjithë qytetin dhe qytetarë të të gjitha besimeve fetare, si në një festë popullore.
|
|
Kremtimi nis në të aguar të datës 6, kur besimtarë të shumtë nga të gjitha lagjet e Beratit i drejtohen kishës së Shën Spiridhonit. Ndalesa e parë është aty tek ikonat e Shën Spiridhonit dhe më pas në ndjekjen e Liturgjisë Hyjnore. Më pas njerëzit mbushin rrugët që të drejtojnë në urën e vjetër të Gorricës, ku hidhet dhe kryqi.
|
|
|
Në fakt, nëse dëshiron që të shikosh litaninë që nis që nga kisha dhe përfundon aty tek ura, duhet të zësh vend që herët, sepse sokakët, rrugët dhe anët e lumit janë mbushur plot me njerëz.
|
Liturgjia Hyjnore u celebrua nga Mitropoliti i Beratit Ignati, nga atë Petraq Simsia dhe nga dhjakonët Dhimitër Loshi e Niko Lushi.
|
|
|
Duke folur për rëndësinë e madhe që ka kjo ditë për gjithë Orthodhoksinë Imzot Ignati u ndal gjerësisht në Theofaninë dhe në Trinitetin e Perëndisë sonë e tha se e gjithë doktrina e Kishës sonë mbështetet mbi këtë të vërtetë, pra në Trinitetin e Perëndisë, në këtë mënyrë shfaq i plotë dhe hapur besimi ynë.
|
Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit e në vazhdim të gjithë me në krye bariun e tyre Imzot Ignatin, duke psalur përlëshoren e Theofanisë, u drejtuan për në Urën e Gorricës ku në praninë e mijëra besimtarëve dhe të pushtetit lokal Imzot Ignati pasi bekoi hodhi Kryqin e Nderuar në ujërat e lumit Osum.
|
|
|
Menjëherë u hodhën disa të rinj sipas traditës, për të kapur kryqin. Më pas të shoqëruar nga psaltët dhe populli të gjithë u kthyen në kishën e Shën Spiridhonit ku dhe u mbyll shërbesa.
|
|
|