Me gjithë madhështinë e panaireve orthodhokse u kremtua në Sarandë Theofania e Shenjtë (Uji i Bekuar). Prania e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, i cili kreu Liturgjinë Hyjnore dhe kryesoi të gjitha shërbesat e tjera të rastit, i jepte akoma më shumë shkëlqim kësaj feste të dritës për besimtarët orthodhoksë.  Qindra besimtarë nga Saranda dhe fshatrat përreth ishin grumbulluar për të kremtuar së bashku në kishën e re madhështore të Shn Harallambit në qendër të qytetit. Kishin ardhur gjithashtu kryetari i bashkisë, ministra, deputetë etj.
 
    Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Ajazmës së  Madhe dhe në vazhdim në një marshim madhështor njerëzit u drejtan në bregun e detit Jon, ku me hedhjen e kryqit në ujë nga Kryepiskopi u bë shenjtërimi i ujërave.
 
    Shumë të rinj nga Saranda, si dhe nxënës  të Shkollës së Mesme “Kryqi i Nderuar” u zhytën në det për të marrë Kryqin, nder i cili i takoi të riut Floro Xhai nga fshati Xarrë i këtij rrethi.
 
   Në predikimin e tij Kryepiskopi iu referua rëndësisë shpirtërore të kësaj të Kremteje të Shenjtë, ku fjala e ndriçimit dhe e shenjtërimit është aq shumë e lidhur me të. Dhe uroi që kjo Dritë e Theofanisë të ndrisë me fuqi në shpirtin e çdo pjesëtari të Kishës Orthodhokse dhe secili të rrezatojë si një rreze e saj në mjedisin ku jeton dhe punon. Kryepiskopi pati rastin të kujtojë për besimtarët se në çfarë kushtesh ishte realizuar kremtimi i Theofanisë në vitet e para (1992) kur nuk kishin kishë dhe u mor me qira salla e  kinoteatrit, ndërsa në vazhdim kur u hodh kryqi në det pati tension dhe një grup njerëzish donin të shkaktonin incident. Me këtë rast Kryepiskopi iu referua përparimit të madh që është shënuar gjatë këtyre viteve në përpjekjen për ringjalljen e Kishës sonë nga hiri. Dhe në pëprjekjen e saj për ringritje Kisha jonë me veprimtarinë e saj shpirtërore dhe sociale i jep një  dimension praktik konceptit të Shenjtërimit dhe Ndriçimit. Në zonat e  Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës janë ndërtuar nga themeli 52 kisha të reja, 120 janë rikonstruktuar ose riparuar ndërsa janë blerë, ndërtuar dhe rindërtuar mbi 20 godina të mëdha e të vogla për zhvillimin e jetës kishtare dhe aktivitetit arsimor. Shuma të mëdha janë investuar nga Kryepiskopi për vepra të ndryshme sociale (mbi 38 të tilla) si rrugë malore, rrjet elektrik, ujësjellësa, godina të arsimit publik. Në Mitropolinë e Gjirokastrës funksionojnë 4 qendra të përkujdesjes ditore të fëmijëve, Liceu Kishtar, konvikti i vajzave, 2  kampingje për të rinj etj. Janë realizuar programet pilot për zhvillimin e bujqësisë etj.