Në datën 19 janar 2006, në mjediset e Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie” u zhvillua sesioni shkencor me temë “Roli i marrëdhënieve publike në shoqëri dhe instrumentet e komunikimit për një ndryshim të përgjithshëm dhe të vazhdueshëm”.

Drejtoresha e Institutit, Prof. As. Dr. Beatriçe Polo, në fjalën e saj theksoi se ky aktivitet shkencor zhvillohet për nder të së kremtes së Tre Hierarkëve (Vasilit të Madh, Grigor Theologut dhe Joan Gojartit), për idetë shkencore, mesazhet, mendimet, humanizmin dhe vlerat e tyre origjinale që kanë dhënë për botën dhe kishën, e cila i kujton dhe i nderon më 30 janar. Të tre këta dijetarë, me teorinë e tyre thellësisht shkencore që kanë lënë pas kanë qenë, janë dhe do të mbeten në përjetësi një realitet modern.

 Në këtë sesion shkencor u referuan dhe u vlerësuan temat si:

1 – Roli dhe misioni i marrëdhënieve publike, në veçanti në ditët e sotme kur diferencimet sociale brenda shteteve, fenomene të tilla negative si: droga, dhuna, oshilacionet ekonomike, dëmtimi i mjedisit, shkaktojnë tronditje të thella në planetin tonë.

Studenti i vitit të dytë, dega Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Fisnik Selimi, në kumtesën e tij theksoi që në themel të marrëdhënieve publike janë marrëdhëniet njerëzore, ku individi në komunikimin dhe lidhjen e tij me vetveten, familjen, farefisin dhe shoqërinë, gjen gjithmonë e më tepër plotësinë e qenies së tij.

Sesioni shkencor analizoi përvojën e zhvillimit të marrëdhënieve publike në Amerikë dhe Europë, shërbimin që ato i sjellin me një rezultat të dukshëm sektorit publik dhe atij privat, të drejtuara nga Kodi i Etikës, i formuluar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Marrëdhënieve Publike si edhe përpjekjet për përhapjen dhe zhvillimin e tyre edhe në vendin tonë.

2 – Mbi ndërgjegjen, konceptimin e saj dhe fuqinë që ka ajo për të na ndihmuar të përmbushim me sukses detyrat tona.

Për këtë temë, studentja e vitit të dytë, dega Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Steliana Shiba, në kumtesën e saj theksoi se, është ndërgjegjja ajo prej së cilës individi merr shkakun dhe drejtimin e veprimeve të tij dhe të shoqërisë që e rrethon. Në këtë rast ndërgjegjja u analizua e lidhur ngushtë me formimin e saj, me ndërgjegjen profesionale dhe me lirinë e brendshme të njeriut, që është premisë kryesore për zhvillimin e  personalitetit të tij. Ajo e mbylli kumtesën duke thënë: “Është ndërgjegjja, ajo që fisnikëron natyrën e njeriut dhe moralin e veprave të tij”.

3 – Roli i medias në shoqërinë dhe ndikimi që ajo ka në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.

Për këtë temë, një studente e vitit të dytë, dega Kuadër Menaxher, theksoi, rolin e madh të medias si mesazher në një shoqëri bashkëkohore. Në kumtesë ajo e vlerësoi median si një pjesë integrale të shoqërisë, si një forcë e lidhur me të, që ka për detyrë të analizojë, të interpretojë dhe të krahasojë faktet, me qëllim që të japë kuptimin e tyre. Problemet e ndryshme politike, ekonomike, të biznesit dhe veçanërisht ato sociale që preokupojnë mbarë shoqërinë si: droga, dhuna, shtatzënitë e hershme të adoleshenteve etj., kanë gjetur pasqyrim në media, duke sensibilizuar publikun, në sajë të instrumenteve si: gazetat, broshurat, revistat dhe deri tek ato elektronike si televizioni, kompjuteri, videot, interneti etj.

4 – Roli i librit dhe i televizionit në jetën tonë, si dy instrumente mjaft të rëndësishëm dhe me përhapje të gjerë për vlerat që përçojnë, siç e ka vërtetuar edhe vetë praktika

Studentja e vitit të dytë dega kuadër menaxher, Erinda Shkokota, analizoi këtë temë në kumtesën e saj. Ajo vlerësoi librat si një komponent i rëndësishëm i jetës sonë, që ofrojnë njohuri për njerëzit e të gjitha moshave, stimulojnë imagjinatën tonë, transmetojnë shumë nga trashëgimia e së kaluarës dhe na ndihmojnë të kuptojmë vetveten dhe botën ku ne jetojmë. Ajo theksoi gjithashtu edhe rolin mjaft të rëndësishëm që luajnë televizori dhe mjetet e tjera elektronike. Referuesja theksoi që këto të fundit po revolucionarizojnë mënyrën e jetesës, të qeverisjes, të të bërit biznes, të kalimit të kohës së lirë, nëpërmjet marrjes së informacionit në mënyrë të shpejtë.

Ky sesion shkencor është i pari, i cili do të pasohet nga takime të tjera të këtij lloji. Aktiviteti u vlerësua nga të gjithë pjesëmarrësit për problemet që trajtoi.
 

Drejtoresha e Institutit
      Prof. As. Dr. Beatriçe Polo