KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
Kryepiskopata e Hirshme
Rruga e Kavajës Nr. 151, Tiranë. Tel 04-234 117, Fax 232 109
Zyra e Shtypit
Njoftim për Media 
 

   Kryepiskopi Anastas u zgjodh unanimisht President i Këshillit Botëror të Kishave në mbledhjen e Asamblesë së këtij Këshilli, ku merrnin pjesë rreth 700 delegatë, përfaqësues të 348 Kishave (Orthodhokse, Anglikane, Luterane, Presbiteriane, Metodiste, Reformatore, Baptiste, etj.)nga 120 vende të botës, zhvilluar nga data 14-23 shkurt, në Universitetin Katolik të Porto Alegre në Brazil.

   Në këtë Asamble, që pati si temë: “Perëndi, me hirin tënd, transformo botën”, morën pjesë mbi 4.000 veta, përfaqësues të kishave e organizatave të krishtera ekumenike, përfaqësues kishash pa të drejtë vote, të rinj e studentë etj., si dhe përfaqësues të Kishës Katolike, që në 10-vjetët e fundit merr pjesë aktive në takimet e KBK. Kryepiskopi Anastas ishte folësi i ceremonisë së hapjes si dhe kryetari i seancës “Pluraliteti fetar: përqafuar apo refuzuar”.

   Asambleja zgjodhi 150 anëtarë të Komitetit Qendror dhe 8 presidentë nga kontinente të ndryshme që do të drejtojnë Këshillin Botëror të Kishave në shtatë vitet e ardhshme. Ata promovojnë lëvizjen ekumenike dhe punën e Këshillit Botëror të Kishave në rajonet nga vijnë.

   Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, është anëtare e KBK që nga viti 1994. Kryepiskopi Anastas ka qenë që nga viti 1963 anëtar në shumë komisione si “Dialog me njerëz të bindjeve dhe ideologjive të ndryshme fetare”, gjithashtu dhe Kryetar i “Komisionit për Mision dhe Ungjillëzim” të Konferencës Botërore për Mision dhe Ungjillëzim në San Antonio Teksas të Sh.B.A 1989 si dhe shpeshherë referues në aktivitete të rëndësishme të këtij Këshilli.

   Temat kryesore që u shqyrtuan në këtë Asamble ishin: Drejtësia ekonomike; Rinia në kapërcimin e dhunës; Uniteti i Kishës; Identiteti i krishterë dhe pluraliteti fetar; Problemi i SIDA-s; Amerika Latine dhe problemet e saj.

   Këshilli Botëror i Kishave ka ndihmuar Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë gjithë procesit të ringritjes së saj nga gërmadhat. Ajo ka financuar programe në fusha të ndryshme, sidomos në atë sociale, nëpërmjet organizmit të vet për emergjencat – ACT, për refugjatët kosovarë, duke ndihmuar në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë rreth 33.000 veta me ushqime, veshje, ilaçe dhe ngritjen e kampeve etj. Këto programe vazhduan edhe pas kthimit të tyre në Kosovë.

   Me zgjedhjen në postin e rëndësishëm të Presidentit të KBK të Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, por dhe vendi ynë bëhen tashmë të njohur në të gjitha rangjet kishtare e politike kudo në botë.
 

     Tiranë 27.2.2006
 

    Për më shumë informacion mund të konsultoni faqen e Asamblesë:
         
www.wcc-assembly.info